Mos heqja dorë e qeverisë siç kërkojnë protestuesit buron nga “ora ku gjendet Shqipëria”, tha kryeministri Rama duke iu referuar negociatave për anëtarësimin në BE. Rama u shpreh se nëse dera e BE s’do të ishte e hapur, do të ishte dorëhequr me mirënjohje pas besimit që shqiptarët i kanë dhënë pas 12 viteve në këtë detyrë.

Më tej, premtoi se do të bëjë të pamundurën që PS të nxjerrë gjithçka nga vetja deri në fund të mandatit të katërt.

“Nëse nuk do të ishte urgjenca e përditshme e detyrave të panuërta të anëtarësimit që nuk presin as ditën, jo më javën, kaq e ngjeshur është axhenda e negociatave dhe kalendari i detyrave që duhet të plotësojmë dhe nëse dera e hapur për herë të parë e BE për Shqipërinë, jo me fjalë, por konkretisht, nuk do të ishte kaq afër, me shumë gjasë do të isha tërhequr me shumë mirënjohje të madhe në katundin tim të vogël pas 12 vjetëve të jetuara me mish e shpirt në detyrën më të lartë që një vend i jep birit të vet dhe pas gjithë këtyre viteve në PS. Shqipëria pas 12 vjetëve të PS në drejtim, me punët e panumërta transformuese dhe përtej gjithë gabimeve dhe të metave, u bë një Shqipëri aq tjetër nga ajo që morëm në kurriz kur e gjetëm në buzën e greminës në 2013, sa pa këtë orën e historisë në dyert e Europës, mund të quhej mision i përmbushur. Pas gjithë asaj përpjekjeje dhe pune kolosale, mandati i katërt ishte jo vetëm vazhdimi më i natyrshëm, por e vetmja zgjidhje logjike. Deri në ditën e fundit të mandatit të katërt, do të bëj të pamundurën që partia jonë të nxjerrë gjithçka nga vetja për Shqipërinë dhe shqiptarët. Mandati i 2025 nuk mjafton për të shpjeguar pse kjo parti duhet ta synojë besimin edhe më tutje. Këtu vjen përgjigjja e pyetjes tjetër, pse duam të qëndrojmë ne gjithnjë në krye. Jo vetëm sepse ne dimë më tepër, as sepse kundërshtarët tanë janë pa kokë kur janë të vjetër dhe të vjetër kur janë të rinj, as sepse jemi të vetëlidhur pas karrigeve të pushtetit. Përgjigjja e vërtetë ka të bëjë me orën ku ndodhet Shqipëria. Shqipëria nuk është sot ende një vend në rrugë të zakonshme që mund të ecë, ndalojë, ndërrojë qeverinë, të vazhdojë ku e la sikur koha mos të kishte çmimin dhe historia të ishte tren që rri në stacion. Demokracitë e vjetra janë vende ku kjo nuk ndodh sepse e kanë shtetit den baba den”, tha Rama.


Lajmi kryesor:

‘Prania besnike’, dokumenti i ri i Ramës: Transformim makinerisë elektorale të PS, detyrim për të dëgjuar njerëzit! S’ka dorëheqje pa u ulur në sofrën e BE