TIRANE-Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha nuk pranoi ftesën e kryeministrit Rama për të qenë pjesë e mbledhjes së Komitetit Kombëtar të Rindërtimit, por zhvilloi në selinë blu një takim me disa ekspertë, sipas PD-së në fushën e emergjencave civile, me pedagogë inxhinierë, gjeologë, arkitektë, ekspertë të sizmologjisë dhe të ndërtimit për t’u konsultuar rreth masave që duhet të marrë Shqipëria për normalizimin e situatës në një kohë sa më të shpejtë dhe për marrjen e masave për të ardhmen.

"Pjesë e këtij takimi ishin personalitete të njohura si Ismail Hoxha, Faruk Kaba, Skënder Allkja, Markel Baballëku, Fisnik Kadiu, Ernest Noka, Rikard Luka, Sokol Allaraj, Marin Biçoku, Besnik Aliaj, Gafurr Muka, Lulzim Shena, Klid Premti, Sazan Guri, Mentor Balili, Shemsi Prençi" njofton selia blu.  Sipas PD-së, ekspertët sollën përvojën e tyre dhe propozime konkrete, të cilat do të jenë baza për propozimet e Partisë Demokratike për përballimin e situatës.

Kryetari Basha, po sipas njoftimit të PD-së, vlerësoi se Shqipëria ka burime të mjaftueshme njerëzore për të evidentuar problematikën dhe për të dhënë zgjidhje, por kërkohet koordinim, mbështetje dhe financim. "Një nga problemet e ngritura në takim nga ekspertët sizmologë është që Shqipëria nuk e ka të plotë rrjetin e saj sizmik, nuk ka financimet e duhura dhe Instituti i Sizmologjisë është përjashtuar nga oponenca sizmike e ndërtimeve" thuhet më tej. 

Sipas PD-së, inxhiniere Mimoza Hysaj nga Durrësi ishte njëra nga ekspertet që foli duke e trajtuar çështjen në 3 drejtime kryesore; Në menaxhimin e burimeve njrëzore, në ekspertizë dhe në legjislacion. Inxhinierja tha se në aspektin njerëzor, emergjencat nuk kanë funksionuar. “Nuk kishte asnjë plan për raste të tilla, siç ka në çdo vend të botës. Qytetarët e Durrësit nuk dinin ku të trokisnin. Edhe sot vazhdon sorollatja e tyre. Akoma nuk gjejnë mundësitë të komunikojnë me autoritetet për të shprehur shqetësimin e tyre. Ajo që kam konstatuar këto ditë nga disa inspektime që kam bërë vetë privatisht dhe me disa kolegë të tjerë është se ka apartamente të shkatërruara, që janë bashkuar me njëri-tjetrin, pavarësisht dukjes jo shqetësuese të fasadës“- u shpreh e shqetësuar ing. Mimoza Hysaj.

Përsa i përket funksionimit të ligjit, Hysaj propozoi ndryshimin e ligjit për Planifikimin e Territorit, duke bërë të detyrueshëm në ndërtim studimet sizmologjike dhe gjeologjike. “Mendoj që pjesa e studimit gjeologjik dhe sizmik të bëhet detyrim ligjor, pasi, aktualisht, është vetëm rekomandim dhe jo gjithmonë respektohen nga arkitekti dhe konstruktori. Është shumë e rëndësishme që detyrimet ligjore të shikohen me përpikmëri dhe të zbatohen"  tha ing Mimoza Hysaj.

Ajo ngriti pyetje të vlefshme lidhur me ndërtimet në zonën e Kënetës dhe të mosfunksionimit të IKMT-së. “IKMT nuk është vetëm për të prishur objektet. Në radhë të parë është për të parë zbatimin e këtyre objekteve që kanë marrë leje ndërtimi. Me të drejtë u tha këtu që në Kënetë nuk duhet ndërtuar, pasi njihen njollat gjeologjike. Pyetja është kush i ka dhënë këto leje ndërtimi? Pse janë dhënë? Pse disa ndërtojnë dhe nuk kontrollohen, ndërsa disa kontrollohen edhe për gjënë më të vogël? Ne vetëm flasim për standard europianë, por, de fakto nuk i kemi” – theksoi ing Mimoza Hysaj.

Kryeministri Rama i ka drejtuar disa ftesa publike Lulzim Bashës që të ulen bashkë për të bashkuar forcat për të kapërcyer këtë moment të vështirë pas tërmetit tragjik, por lideri demokrat ka refuzuar. "Do të doja të ishte këtu edhe opozita, pasi janë të mirëpritur gjithmonë. Do të doja të ishte këtu edhe opozita dhe janë gjithmonë të mirëpritur. Sepse këtu nuk kemi çfarë të ndajmë dhe nuk kemi çfarë dallimesh të kërkojmë tek njëri-tjetri" tha Rama sot në mbledhjen e Komitetit të Rindërtimit.