Qendra Shëndetësore e Picarit në Gjirokastër, nga një ngrehinë e degraduar ndër vite, sot është kthyer në një qendër model të kujdesit parësor që i shërben 1600 banorëve të kësaj zone.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, vizitoi qendrën e sapo rehabilituar të njësisë administrative Picar, ku theksoi se qeveria ka përparësi fuqizimin e kujdesit parësor në të gjithë vendin.
Kemi nisur programin kombëtar të rehabilitimit të 300 qendrave shëndetësore në këtë mandat. Vetëm për vitin 2018 do të rehabilitojmë 80 qendra shëndetësore nga veriu në jug të vendit.
Ogerta Manastirliu, ministre e Shëndetësisë
Qarku i Gjirokastrës është një nga përfituesit më të mëdhenj të këtij investimi të qeverisë, pasi vetëm për këtë vit, pritet të rehabilitohen tërësisht 8 qendra shëndetësore.
Brenda muajit korrik nis rehabilitimi i 8 qendrave shëndetësore në këtë zonë, nga të cilat 6 do të rikonstruktohen në Gjirokastër, një në Përmet dhe një në Tepelenë.
Ogerta Manastirliu, ministre e Shëndetësisë
Gjatë vitit 2018, me investim nga buxheti I shtetit, në Gjirokastër do të rehabilitohen qendrat shëndetësore Dunavat, Palorto, “11 Janari”, “18 Shtatori”, ndërsa në Njësinë Administrative Cepo do të rehabilitohet qendra shëndetësore Kardhiq; në Njësinë Administrative Lunxhëri do të rehabilitohet qendra shëndetësore Shën Todhër; në Tepelenë do të rehabilitohet qendra shëndetësore Krahëz dhe në Përmet qendra shëndetësore Petran.
Si asnjëherë më parë, investojmë për fuqizimin e kujdesit Parësor- duke kthyer vëmendjen tek rëndësia e mjekut të familjes dhe ofrimi i kujdesit shëndetësor me standarte në qendrat shëndetësore.
Ogerta Manastirliu, ministre e Shëndetësisë