Bota po futet në një fazë tjetër. Jo me zhurmë tankesh, por me zhvendosje pozicionesh, miliarda euro për mbrojtje dhe fjalime, si ai i kancelarit gjerman Friedrich Merz që thonë hapur se rendi i vjetër botëror ka mbaruar.
Në emisionin “Bota Report” në Report TV, ish zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Ralf Gjoni u përpoq ta shpjegojë thjeshtë dhe qartë atë çfarë po ndodh realisht pas tensionit mes Europës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke dhënë përgjigje për pyetje si çfarë është ky rend botëror? Kush janë protagonistët? E mbi të gjitha a rrezikon Europa të jetë një aktor më minor? Sipas tij, ajo që pamë në Konferencën e Sigurisë në Mynih nuk ishte thjesht debat. Ishte ripozicionim, sidomos kur jemi përballë faktit historik që Gjermania do të shpenzojë 150 miliardë euro për mbrojtjen.
“Ajo që ka ndodhur këto ditë në Mynih është rikonfirmimi i ripozicionimit të aleatëve dhe fuqive të mëdha, dhe një rendi të ri botëror që po shpaloset dhe do vazhdojë të shpaloset për vite të tëra. Gjermania është aktori më i madh i BE-së, sa i përket harxhimeve dhe parasë që do shpenzohet në mbrojtje. Përkushtimi i Gjermanisë për të shpenzuar 150 miliard euro deri në 2029 për mbrojtjen, eshtë lajmi më i rëndësishëm pas Luftës së Dytë Botërore. Kjo shifër është sa buxheti i Francës dhe Polonisë së bashku. Është një shifër marramendëse që Amerikanët po e ndjekin me shumë kujdes dhe interes. Amerika ka vite që kërkon që vendet Europiane të riarmatosen dhe të shpenzojnë për mbrojtjen nga buxhetet e tyre kombëtare. ” tha Gjoni.
E ndërsa fabrikat dhe uzinat më të sofistikuara të prodhimit ushtarak janë pozicionuar në Mynih të Gjermanisë, sipas Gjonit mesazhi është i qartë: Europa po ndërton një pol të vetin ushtarak, përballë atij amerikan.Aspekti i dytë që Gjoni nënvizoi në analizën e tij është ai ideologjik.Në SHBA, linja e bazës MAGA të president Donald Trump është sovraniste. Amerika e para. Europa, ndërkohë, funksionon ndryshe. Vendet janë sovrane, por kanë dorëzuar një pjesë të kompetencave te Bashkimi Europian. Këtu lind përplasja. Sipas Gjonit, Rubio kishte tone më të buta, por thelbi ishte i njëjtë: Amerika do një Europë më të fortë, por jo të varur.
“Është e qartë që Europianët nuk mund të bien dakord me filozofinë e MAGA-s, europianët nuk janë sovranistë. Ato janë vende sovrane por e kanë dorëzuar një pjesë të sovranitetit pranë ombrellës së BE-së. Amerika ka një interes më të dobët në Europë. Kërkon një europë partnere por jo europën e vjetër. Kërkon të jetë prezentë në indopaqësor dhe do të gjithë hapësirën e Amerikave deri në Antarktidë, pra do kontroll të këtij rripi të globit. Europa nuk hyn në këto interesa. Mesazhi i Merz është i qartë: Ne jemi partnere me SHBA por nuk do t’i shkojmë pas avazit të tyre” tha Gjoni.
Në mesin e marrëdhënieve SHBA-Europë qëndron edhe çështja bërthamore. Sot, sipas Gjonit shumë koka bërthamore në Gjermani, Itali, Belgjikë, Hollandë dhe Mbretëri e Bashkuar, janë amerikane dhe kontrollohen nga SHBA. Në BE, vetëm Franca ka pavarësi të plotë nukleare, por zgjerimi i ombrellës bërthamore do të kërkonte ndryshim traktatesh e vendime të vështira politike, njëjtë si me çështjen e zgjerimit.
“Amerika nuk ka thënë që mbrojtjen nukleare do ta tërheqim nga Europa, por kërkon një rritje të shpenzimeve dhe përkushtimit europian bKa disa muaj që Polonia po i kërkon Francës të rishikojë politikën e saj sa i përket ndarjes së informacionit dhe mbrojtjes nukleare drejt disa vendeve europiane. Deri ku do të shkojë kjo bisedë europiane? A do bien dakord që në rast të një sulmi nuklear nga Rusia, Franca të jetë e gatshme të ofrojë ombrellën e saj ndaj vendeve të treta europiane? A do të ngrihet një kapacitet europian ndërshtetëror nuklear? Kam dyshime, sepse do kërkohej ndryshimi i Traktatit të Europës që nuk parashikon kapacitet nuklear. Do të duhej legjislacion i ri që do të diskutohej në t ëgjitha hallkat, njësoj si me zgjerimin. Unë nuk e shoh të mundur një pavarësi nukleare të Europës nga Amerika por shoh një diskutim në rritje për autonomi europiane nga Amerika” tha ai.
Dhe pastaj vjen varësia teknologjike e financiare. Pagesat me kartë në eurozonë kalojnë nëpër rrjete amerikane. Telefonët, rrjetet sociale, serverët – gjithçka është e lidhur me SHBA. Sipas Gjonit, kjo e bën ndarjen thuajse të pamundur. Sipas tij, Europa dhe Amerika janë të ndërthurura thellë.
“Jo vetëm kartat bankare, por edhe telefoni, Iphone, Whatsapp, Facebook, Instagram, tani edhe Tik Tok është amerikan. Çdo gjë që ne kemi në telefon është në një server amerikan, me akses amerikan, kontrolluar nga amerikanët, edhe sistemi financiar është nën kontroll amerikan. Ndërvarësia mes Europianeve dhe Amerikanëve është shumë e komplikuar dhe e pazgjidhshme. Rubio po kërkon më tepër pavarësi të Europës. Fjalimi i Rubios është pozitiv sepse është një sinjal që “kohët kanë ndryshuar, duam të jemi partnerë me Europën e re, më pragmatike, të fortë e që beson në vlera. Në thelb, kërkesa amerikane është e sinqertë. Përkushtimi Gjerman për mbrojtje, përkushtimi francez për ombrellën nukleare, afrimitetin e Britanisë së Madhe me Europën janë sinjale që diçka po ndryshon” tha ai.
Konkluzioni i Gjonit në fund është i thjeshtë: nuk po shohim ndarje, por rishpërndarje fuqie. Amerika kërkon më shumë përgjegjësi nga Europa. Europa po përpiqet të rritet si aktor më i pavarur. A do bëhet aktor minor apo madhor? Kjo, sipas Gjonit, do varet nga sa seriozisht do ta marrë këtë moment historik.
Komente








