Renditja/ Partizani s'dorëzohet kurrë, fiton 0-1 në Laç në minutën e 94! Tirana mposht 2-0 Teutën, Vllaznia dhe Erzeni paqe 1-1 (GOLAT)

Superliga shqiptare e futbollit ka mbyllur këtë të mërkurë javën e 11-të. Në kryeqytet, Tirana fitoi 2-0 kundër Teutës, duke marrë tri pikë pas tre ndeshjeve "jo". Në Laç, Partizani fitoi 0-1 me vendasit falë një goli të Taipit në minutën e fundit. Po sot, në 17:00 Vllaznia dhe Erzeni barazuan 1-1. Edhe pas kësaj jave, Egnatia dhe Partizani kryesojnë me 23 pikë.

Në "Selman Stërmasi" Tirana fitoi 2-0 kundër Teutës për javën e 11-të në Superligë. Pas tre ndeshjeve "jo", djemtë e Ahmatajt dolën te tri pikët për të zhytur durrsakët në fund. Ndeshja u zhbllokua pas vetëm 12 minutave lojë nga Florent Hasani. Një skemë e bukur nga këndorja solli edhe golin e avantazhit, ndërsa goli i dytë u shënua po nga sulmuesi Hasani në minutën e 82-të. Me 17 pikë bardheblutë ngjiten në vendin e tretë në klasifikim, ndërsa me 11 pikë Teuta është e parafundit, aq pikë sa ka edhe Dinamo që qëndron në fundin e klasifikimit.

Dramë në stadiumin e Laçit. Partizani fitoi 0-1 me vendasit e Mirel Josës, edhe pse kampionët në fuqi të vendit ende nuk e kanë një trajner të mirëfilltë në stol. Arbër Abilaliaj merr fitoren numër katër në kaq ndeshje, edhe pse është drejtor sportiv dhe fati e ka ulur në stolin e skuadrës së kuqe. Duhej minuta e fundit (90+4) që ndeshja të fliste për Partizanin. Gjelbrim Taipi ishte ai që i dha tri pikë të tijve, me Partizanin që për ndeshjen e katërt radhazi fiton në sekondat e fundit. Me 23 pikë Partizani mban vendin e dytë, me pikë të barabarta me Egnatian kryesuese. Laçi me 14 pikë qëndron në vendin e katërt.

Vllaznia dhe Erzeni barazuan 1-1 për javën e 11-të në Superligë. Dueli i zhvilluar në "Loro Boriçi" ishte i pari për Qatip Osmanin në krye të stolit të shkodranëve, me trajnerin që u prezantua vetëm dje para medieve. Edhe largimi i Memellit s'e ka sjellë suksesin e plotë të Vllaznisë, me Osmanin që merr vetëm një pikë në debutim. Ndeshja u zhbllokua pas 28 minutave lojë me penalltinë e Bekim Balaj, që kaloi në epërsi vendasit. Në një stadium "të ftohtë", pjesa e parë u mbyll me avantazhin minimal të Vllaznisë. Duhej minuta e 68-të që Erzeni të barazonte shifrat. Goditja e Zekës nga jashtë zone u stampua në shtyllën pingule dhe me topin e kthyer, portieri i Vllaznisë, Qarri ishte i pafat duke e devijuar në rrjetën e tij. Kështu të dyja skuadrat ndajnë nga një pikë, me Vllazninë dhe Erzenin që i bashkohen Kukësit dhe Skënderbeut në kuotën e 13 pikëve për vendet gjashtë dhe tetë në renditje.

Superliga - java 11-të:

E martë:

Egnatia 2-1 Kukësi

Dinamo 2-1 Skënderbeu

E mërkurë:

Tirana 2-0 Teuta

Laçi 0-1 Partizani

Vllaznia 1-1 Erzeni

Renditja:

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:29
'Barazimi ishte rezultati i saktë', Osmani pas debutimit te Vllaznia: Këta djem mund të bëjnë më shumë


Trajneri i Vllaznisë, Qatip Osmani foli pas barazimit që të tijtë morën kundër Erzenit 1-1 për javën e 11-të në Superligë. Në debutimin e tij në krye të shkodranëve, Osmani nuk shkoi më shumë se një pikë, duke thënë për mediet se ky rezultat ishte më i drejtë për atë çka prodhuan skuadrat në fushë.

"Sigurisht që të gjithë prisnim të paktën fitoren. Sa i përket lojës, mendoj se shumë hapësira i lejuam kundërshtarit. U munduam në pjesën e dytë që të freskojmë diçka me ndërrimet, por prapë nuk ia dolëm, kështu që ndoshta rezultati është real. Kemi bërë së bashku dy stërvitje dhe ato të lehta, taktiko-teknike, ku informacionet që kisha, jam përqendruar te problemet e të kaluarës së ekipit. Kemi lojtarë cilësorë që janë të dëmtuar, të cilët janë me rëndësi për këtë ekip. Por megjithatë, duhet të përqendrohemi te këta që kemi të gatshëm dhe pse mendoj se këta që luajtën sot mund të bëjnë edhe më mirë. Do të mundohemi në ndeshjet që na kanë mbetur që të përmirësohemi e sigurisht që presim rezultate më të mira", tha Osmani.

Ora 19:16
VIDEO/ Barazimi nuk pranohet në Shkodër, ultrasit e Vllaznisë vendosin 'në rresht për një' lojtarët

Vllaznia nuk ia doli të merrte tri pikë as në "Loro Boriçi". Në debutimin e Qatip Osmanit në krye të stolit të shkodranëve, Vllaznia barazoi 1-1 me Erzenin për javën e 11-të në Superligën e futbollit. Pas ndeshjes, "Vllaznit Ultras" nuk janë pajtuar me rezultatet e fundit dhe vendin e gjashtë në renditje, duke vendosur "në rresht për një" lojtarët. Disa minuta tifozët duket se kanë kërkuar llogari nga lojtarët, me shpresën për një kthim te fitoret.

Video: Sport nga Bajraktari
Ora 19:02
Qatip Osmani s'e ka 'shkopin magjik', Vllaznia barazon 1-1 me Erzenin në Shkodër (GOLAT)


SHKODËR - Vllaznia dhe Erzeni barazuan 1-1 për javën e 11-të në Superligë. Dueli i zhvilluar në "Loro Boriçi" ishte i pari për Qatip Osmanin në krye të stolit të shkodranëve, me trajnerin që u prezantua vetëm dje para medieve. Edhe largimi i Memellit s'e ka sjellë suksesin e plotë të Vllaznisë, me Osmanin që merr vetëm një pikë në debutim.

Ndeshja u zhbllokua pas 28 minutave lojë me penalltinë e Bekim Balaj, që kaloi në epërsi vendasit. Në një stadium "të ftohtë", pjesa e parë u mbyll me avantazhin minimal të Vllaznisë.

Duhej minuta e 68-të që Erzeni të barazonte shifrat. Goditja e Zekës nga jashtë zone u stampua në shtyllën pingule dhe me topin e kthyer, portieri i Vllaznisë, Qarri ishte i pafat duke e devijuar në rrjetën e tij.

Kështu të dyja skuadrat ndajnë nga një pikë, me Vllazninë dhe Erzenin që i bashkohen Kukësit dhe Skënderbeut në kuotën e 13 pikëve për vendet gjashtë dhe tetë në renditje.

Ora 16:59
Humbja në kryeqytet, thumbon Edi Martini: Lojtarëve të Tiranës bravo që shtriheshin në fushë


Tirana fitoi 2-0 kundër Teutës për javën e 11-të në Superligë. "Djemtë e Detit" marrin humbjen e dytë radhazi dhe shohin fundin e klasifikimit. Trajneri i durrsakëve, Edi Martini ka thumbuar lojtarët e Tiranës në konferencën pas ndeshjes dhënë për MCN.

"Të rëndësishme janë pikët, u goditëm nga dy goditje standarde, kishim rastet tona dhe mundësitë tona, dhamë maksimumin, u munduam që të ndryshojmë pjesën e dytë, u ndëshkuam tek penalltia, pastaj s’kishim mundësi çfarë të bënim. Bravo iu qoftë lojtarëve të Tiranës që uleshin në tokë dhe fusnin mjekët në fushë, na ulën ritmin e ndeshjes, por dhe kjo është meritë dhe bravo iu qoftë. I kërkoj sulmuesve që ashtu siç mbrojnë të fusin kokën dhe këmbën aty ku nuk duhet, goli duhet të hyjë me dhunë, na mungon sulmuesi, na mungon goli, shpërdorojmë shumë, ata kanë ritëm kanë dëshirë, punojmë por nuk arrijmë tek goli. Na mungon cilësia para portës, pikët janë ata që të vënë në presion, kështu vazhdon situta. Besoj që fitorja do të vijë shumë shpejt me këtë lojë që djemtë po bëjnë. Prapë prisja më shumë, ndrrimet i kisha të detyruar, Iljazi bëri një ndeshje të mirë, me të tjerët sjam shumë i kënaqur, por gjithsesi duhet të ecim përpara", tha Martini pas ndeshjes.

S.Dh/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

MPJD i kundërpërgjigjet Beogradit, ia refuzon kërkesën për vizitë një ministri serb

MPJD i kundërpërgjigjet Beogradit, ia refuzon kërkesën për vizitë një ministri serb