Rënia e euros nuk po ndikon vetëm në kursin e këmbimit, por edhe në mënyrën se si qytetarët dhe bizneset po e perceptojnë monedhën evropiane. Sipas Dritan Vakajt, Drejtor Ekzekutiv i Shoqatës së Agjencive të Këmbimit Valutor, tendenca e zgjatur e forcimit të lekut ka ndikuar edhe në sjelljen e kursimtarëve dhe operatorëve ekonomikë që tashmë po zgjedhin lekun.

“Po bëhen gati pesë vjet me tendenca rënëse të euros, gjë që i ka bërë qytetarët që kursimet e tyre t'i zhvendosin drejt monedhës vendase, drejt lekut. Edhe operatorë të ndryshëm të ekonomisë, përfshirë ato në turizëm apo dhe në tregtinë e tregtimin e pasurive të paluajtshme, shohim që aktivitetin e tyre dhe çmimet, listimet e tyre i kanë tanimë me lekë, duke marrë në konsideratë këtë forcim të lekut dhe zhvlerësim të euros. Është një tendencë rënëse e stërzgjatur dhe në një farë mënyre euro e ka humbur besimin për t'u rritur", thotë Vakaj.

Për shkak të zhvlerësimit të valutave, për herë të parë në korrik depozitat në monedhën kombëtare i kaluan ato në valutë. Në fund të korrikut në banka ishin 781.9 miliardë lekë kursime në lekë dhe 781.2 miliardë lekë depozita në valutë.

Drejtori Ekzekutiv i Shoqatës së Agjencive të Këmbimit Valutor Dritan Vakaj, thotë se nëse flukset vijojnë, rënia e monedhës evropiane vetëm sa do të thellohet, por në kushtet aktuale, cdo ndërhyrje e fortë nga institucionet mund të sillte pasoja negative.

"Në qoftë se kemi këtë trend hyrjes të monedhës euro pa diskutim që do bjerë edhe më shumë. Sigurisht tanimë është një situatë delikate pra dhe ndërhyrjet e institucioneve nuk janë të lehta. Pra është situatë komplet tjetër nëse do kishin filluar në 2017-2018. Kemi parë kemi parë vende si Maqedonia, Serbia, Hungaria, Polonia, që i kanë ndaluar kryerjen e transaksioneve kryerjen e transaksioneve vetëm në monedha të huaja, por kërkonin vetëm monedhën vendase. Pra, ju ka dhënë natyrë mundësi dhe për një politikë monetare më të suksesshme. Ama në situatën aktuale kur ne kemi një prezencë kaq të madhe të euros në treg, çdo lloj ndërhyrje, në mënyrë arbitrare nga ana e rregullatorëve apo nga ana e shtetit pa diskutim do shkaktonte panik, dhe mund të na kthej dhe në bumerang”, thotë Dritan Vakaj , Drejtori Ekzekutiv i Shoqatës së Agjencive të Këmbimit Valutor", shprehet Vakaj.


Lajmi kryesor:

Euro në rënie të lirë, kush humbet apo fiton? Ekspertët: Në treg ka më shumë valutë se lekë, monedha evropiane rrezikon të zbresë nën 90 lekë