Vjeshta nuk sjell ndryshime vetëm në natyrë, por edhe në organizmin tonë. Një prej shqetësimeve që shumë njerëz vërejnë pikërisht në këtë periudhë është shtimi i rënies së flokëve. Por pse ndodh kjo? Cilët janë faktorët që ndikojnë dhe kur duhet të shqetësohemi?
Në emisionin “Rreze Dielli” në Report Tv, ndalemi pikërisht te rënia e flokëve dhe mënyrat natyrale që mund të ndihmojnë në forcimin e tyre, veçanërisht te kujdesi për rrënjën dhe skalpin. Specialisti i bimëve mjekësore Ylli Merja shpjegon strukturën e flokut, faktorët që ndikojnë në shëndetin e tij dhe disa përbërës bimorë që mund të përdoren në trajtime natyrale.
Përveç rënies së flokëve, vëmendje i kushtohet edhe përdorimit të lëvozhgave të arrës dhe bimëve të tjera në kujdesin ndaj flokëve, përfshirë përgatitjen e formulave bimore që mund të ndihmojnë në mbulimin e thinjave.
Si është i ndërtuar floku?
Edhe pse në pamje të parë duket si një strukturë e thjeshtë, fija e flokut është shumë më komplekse. Sipas Ylli Merjas, boshti i flokut përbëhet kryesisht nga keratina dhe qeliza të keratinizuara, ndërsa në prerje tërthore dallohen tri shtresa kryesore: kutikula, korteksi dhe medula.
Kutikula është shtresa e jashtme e flokut dhe përbëhet nga qeliza të sheshta, të vendosura njëra mbi tjetrën, ngjashëm me tjegullat e çatisë. Kjo është edhe shtresa e parë që dëmtohet nga faktorët e jashtëm. Kur dëmtohet, floku bëhet më i ashpër, humbet shkëlqimin, bëhet më i thatë dhe këputet më lehtë.
Korteksi përbën pjesën më të madhe të fijes së flokut. Është i pasur me fibra të α-keratinës dhe përmban granulat e melaninës, të cilat përcaktojnë ngjyrën e flokut. Korteksi lidhet ngushtë me forcën, elasticitetin dhe formën e tij.
Medula është shtresa më e brendshme e flokut. Ajo përbëhet nga qeliza dhe mund të mungojë në fijet e holla të flokëve.
Folikuli i flokut, nën lëkurë ndodhet folikuli, i cili në pjesën fundore formon bulbin e flokut. Brenda tij ndodhet papila dermale, një strukturë e pasur me enë gjaku. Rreth saj gjenden qelizat e matriksit, të cilat shumohen me shpejtësi dhe marrin pjesë në formimin e fijes së re të flokut.
“Një fije floku është shumë më komplekse nga sa duket. Ne dallojmë fijen plot keratinë dhe folikulin. Fija e flokut ose boshti i flokut përbëhet nga keratina dhe qeliza të keratinizuara, pra jo qeliza të gjalla”, shpjegon Merja.
Skalpi i shëndetshëm, baza e një floku të shëndetshëm
Për të pasur flokë të shëndetshëm, kujdesi nuk duhet të fokusohet vetëm te fija e flokut. Një rol të rëndësishëm luan edhe shëndeti i skalpit dhe ushqyerja e folikulit. Keratina përbën strukturën kryesore të flokut, ndërsa floku është i pasur me aminoacide, veçanërisht me cisteinë.
“Qëllimi për të ndaluar rënien është të ruajmë folikulin të shëndetshëm, të ushqejmë fijën, anagjenën dhe të kufizojmë miniaturizimin”, shprehet Merja.
Cilët faktorë ndikojnë në rënien dhe dëmtimin e flokëve?
Rënia e flokëve mund të lidhet me faktorë të ndryshëm, ndërsa edhe cilësia dhe rezistenca e fijes mund të ndikohen nga faktorë të jashtëm.
Ndër faktorët e përmendur janë:
- temperaturat e larta dhe djersitja;
- kripërat dhe klori i ujit;
- uji i detit, i cili mund ta ashpërsojë dhe thajë flokun;
- infeksionet bakteriale dhe mykotike;
- çrregullimet hormonale;
- çrregullimet e tiroides;
- ndryshimet e prolaktinës dhe hormoneve androgjene;
- mungesa e mineralave dhe vitaminave.
Edhe ekspozimi ndaj diellit, oksiduesve, zbardhuesve, trajtimeve alkaline dhe larjeve agresive mund të dëmtojë kutikulën, skalpin dhe strukturën e flokut. Si pasojë, floku bëhet më poroz, më i thatë dhe më i brishtë, duke u këputur më lehtë.
Sipas Merjas, kujdesi ndaj flokëve duhet të zhvillohet në dy drejtime: mbrojtja e fijes së flokut dhe kujdesi për rrënjën.
“Kujdesi për flokun duhet të konsistojë në dy drejtime: mbrojtja e kutikulës, hidratim, ulje e porozitetit, mbrojtje nga oksidimi dhe këputja. Për rrënjën: veprim mbi skalpin dhe folikulin”, thekson ai.
Vajrat bimorë dhe përbërësit natyralë
Në kujdesin natyral për flokët përdoren një sërë vajrash bimorë, të cilët mund të jenë pjesë e maskave dhe formulave të ndryshme.
Ndër përbërësit e përmendur janë:
- Vaji i hudhrës, i njohur për vetitë antiseptike dhe antibakteriale;
- Vaji i kokosit, i cili mund të depërtojë në strukturën e flokut dhe të ndihmojë në ushqyerjen e tij;
- Vaji i lirit, i përdorur në formulime për kujdesin ndaj flokëve;
- Vaji i farës së zezë, vaji i ullirit dhe vaji i kastorit;
- Rozmarina, karafili dhe sherebela, të cilat mund të kombinohen në përgatitjen e maskave bimore.
Lëvozhgat e arrës për flokët dhe mbulimin e thinjave
Një tjetër aspekt i trajtimit natyral është përdorimi i ekstrakteve bimore për kujdesin dhe ngjyrosjen e flokëve.
Sipas formulimeve të prezantuara nga Merja, mund të përdoren ekstrakte nga gjethet e arrës, lëvorja e lisit, lëvorja e arrës, rozmarina, sherebela, lëvozhga e qepës së kuqe dhe gjethet e frashërit. Këta përbërës përdoren në formula bimore që synojnë të forcojnë flokun dhe t’i japin atij një nuancë më të errët, duke ndihmuar edhe në maskimin e thinjave. Për flokët në nuanca kafe, sipas formulës së propozuar, lëvozhga e qepës së kuqe mund të zëvendësohet me qepë të verdhë dhe kamomil, duke synuar një rezultat më të përshtatshëm për këtë ngjyrë floku.
“Në një litër ujë, hidhni 30 gramë lëvozhga arre të gjelbra, një lugë gjelle frashër, lëvozhga të qepës së kuqe, shtog të zi ose fruta të cinglës, një lugë gjelle çaj të zi dhe lëvore lisi. Vlojini të gjithë përbërësit në ujë për 5–10 minuta. Pasi çaji të jetë përgatitur, vendoseni në skalp dhe lëreni të thahet. Çdo 3–4 minuta bëni një masazh të lehtë të skalpit, pasi kjo mund të ndihmojë në stimulimin e qarkullimit të gjakut. Lëreni për rreth 5–6 minuta, më pas aplikojeni sërish. Përsëriteni këtë proces 2–3 herë dhe, në fund, mos e lani kokën. Më pas, lyeni skalpin me vaj kokosi. Për kujdesin ndaj skalpit mund të përdorni edhe vajin e farës së zezë, vajin e kokosit, vajin e recinit dhe vajin e rozmarinës.Nëse në skalp keni zona të bardha, mund të përzieni vaj rozmarine me vaj hudhre. Të dy këta përbërës përdoren tradicionalisht për të nxitur dhe përmirësuar qarkullimin e gjakut në skalp”, këshillon Merja.
Kujdesi për flokët nis nga skalpi dhe folikuli, por përfshin edhe mbrojtjen e fijes nga dëmtimet e jashtme. Një rutinë e përshtatur sipas nevojave të flokut, së bashku me identifikimin e shkaqeve të rënies së shtuar, mund të ndihmojë në ruajtjen e shëndetit dhe pamjes së tyre.












Komente
Komento