Statistikat zyrtare të INSTAT për Produktin e Brendshëm Bruto dhe rritjen ekonomike gjatë vitit të shkuar 2020 dëshmojnë se, goditja që ekonomia mori nga pandemia dhe recensioni i shkaktuar ishin në mënyrë domethënëse mjaft më të përmbajtura se sa pritshmëritë dhe shqetësimet fillestare. INSTAT jep një vlerësim paraprak të PBB-së për vitin 2020, i cili mbështetur në vlerësimet tremujore, pësoi një rënie prej 3,31 % krahasuar me vitin 2019.
Në raportin e INSTAT bërë për 3 mujorin e fundit të vitit 2020, ekonomia u rrit me 2.9% krahasuar me 3-mujorin e 4 të vitit 2019. Pra në 3 muajt e fundit të 2020 u regjistrua rritje ekonomike 2.99 % pas rënies gjatë 9 muajve te vitit.Kontribut pozitiv në muajit tetor-dhjetor kanë dhënë degët: Ndërtimi me +1,84 pikë përqindje, Administrata publike, Arsimi dhe Shëndetësia me +1,01 pikë përqindje, Aktivitete të pasurive të paluajtshme me +0,52 pikë përqindje, Industri, Energji dhe Uji me +0,49 pikë përqindje dhe, Aktivitete profesionale dhe Shërbime administrative me +0,36 pikë përqindje, Aktivitete Financiare dhe të Sigurimit me +0,27 pikë përqindje, Informacioni dhe Komunikacioni me +0,24 pikë përqindje, Arte, argëtim dhe çlodhje; aktivitete të tjera shërbimi me +0.08 pikë përqindje.
Praktikisht rënia e Prodhimit te Brendshëm Bruto ishte më e ulët se parashikimet e bëra. INSTAT e ka materializuar rënien në nivelin 3.3%, ndërsa Ministria e Financave priste rënie 4.4%
Kjo është rënia më e ulët gjatë viti të pandemisë, ku fillimisht projeksione nga institucione të ndryshme (përfshirë MFE, FMN, BB, KE, etj.) varionin në një interval të recensionit nga rreth – 6% në – 7.5%, sipas statistikave paraprake.
Ministrja e Financave, Anija Denaj tha se rënia ekonomike e Shqipërisë në 2020 ishte më i kontrolluari në rajon, ku recensioni mesatar i vendeve të rajonit shkoi në 5.14%.
"Në gjykimin e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, kjo përmbajtje e nivelit të impaktit të goditjes nga pandemia në ekonominë tonë, e pasuar nga goditja e mëparshme nga tërmeti, përveç se dëshmon edhe njëherë strukturën relativisht rezistente dhe elastike të ekonomisë sonë përballë goditjeve të tilla (ashtu siç ka rezultuar edhe më parë gjatë krizës globale financiare në vitin 2009), i atribuohet po ashtu në një masë të konsiderueshme edhe menaxhimit makroekonomik e financiar relativisht të mirë që ju bë sërish nga autoritetet, nëpërmjet një miksi adekuat dhe të mirë koordinuar të politikës fiskale e asaj monetare. Ky impakt më i përmbajtur i goditjes në ekonominë tonë, vihet re edhe në kontekstin krahasimor rajonal, sipas tabelës më poshtë, ku recensioni i Shqipërisë gjatë 2020 prej -3.31% është dukshëm më i kontrolluar se sa recensioni mesatar i vendeve të rajonit prej -5.14%." tha Denaj.