Italia ka thënë se “është në luftë” me trafikantët e emigrantëve dhe i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian që të ndërmarrë veprime të fuqishme për të ndaluar vdekjet në Mesdhe.

Kryeministri Matteo Renzi i ka bërë këto komente në prag të samitit të së enjtes të BE-së për krizën me migrantë. "Kjo lloj përparësie është diçka që ne duhet t'ia kërkojmë Bashkimit Evropian, ne duam diçka të ndryshme nga një mbledhje vendesh që janë anëtarë të një klubi ekonomik. Duam diçka të ndryshme nga një klub specialistësh teknikë që njohin të gjitha dinamikat kryesore gjeopolitike, por harrojnë të japin përgjigje në momentin e dhimbjes. Unë jam shumë optimist se Bashkimi Evropian më në fund mund të ndryshojë kurs," tha kryeministri italian para ligjvënësve. 

emigrantet

Ministrja e Mbrojtjes e Italisë, Roberta Pinotti, i ka thënë televizionit italian se BE-ja duhet të konsiderojë ndërhyrjen ushtarake. Mbi 800 njerëz kanë vdekur pasi anija e tyre, e cila është nisur nga Libia, është mbytur të dielën në ujërat e Mesdheut.

Numri i njerëzve që bëjnë përpjekje të largohen nga lufta dhe varfëria në Lindjen e Mesme dhe Afrikë, është rritur mujave të fundit. Autoritetet thonë se kjo është fatkeqësia më e madhe e këtij lloji në Mesdhe. Vetëm 28 persona mbijetuan. Prokurorët në Katania të Siçilisë e shfajësuan anijen tregtare nga çdo përgjegjësi për tragjedinë.

Një anije e dytë me emigrantë u përmbys të hënën pranë ishullit grek të Rodosit. Tre vetë u mbytën. Më shumë se 90 u shpëtuan. Të 28 krerët e qeverive të Bashkimit Europian do të mbajë një takim të ngutshëm në Bruksel nesër për të diskutuar mbi krizën.

emigrantet

Bashkimi Evropian ka qenë nën kritika në rritje sepse nuk i është përgjigjur sa duhet fluksit të emigrantëve nga Afrika Veriore, Lindja e Mesme dhe Azia Jugore që kërkojnë një jetë më të mirë në Evropë.

Vitin e kaluar BE-ja ndërpreu një program për kërkim-shpëtimin në Mesdhe për shkak të shqetësimeve të shprehura nga disa vende anëtare, sipas të cilave, operacionet detare po inkurajonin më shumë imigrantë për të ndërmarrë udhëtime të rrezikshme drejt brigjeve të Evropës.


Redaksia Online
(g.f/Shqiptarja.com)