Report Tv me varkë në Obot, 150
banesa në ujë nga përmbytjet

SHKODER-Shumë fshatra janë të bllokuar nga përmbytjet, ndërsa e vetmja rrugë për të qarkulluar është me varkë. Mëngjesin e sotëm një person me probleme shëndetësore është transportuar me varkë për në qendrën shëndetësore, pasi banesa është bllokuar nga uji. Niveli i ujit ka arritur në 80 cm, ndërsa 150 banesa janë të rrethuara nga uji. 35 fermerë kanë kërkuar ndihmë, pasi baza ushqimore ka mbaruar. Përmbytjet kanë ardhur si pasojë e reshjeve të dendura të shiut dhe shkarkimet nga HEC-et, thonë banorët për Report Tv. ‘Më keq nuk ka se ku shkon. Nuk kemi pasur as ndihma dhe asgjë. Voltana thotë po ajo tjetra, ajo komunistja thotë jo”.

Banorët dalin nga banesat vetëm me varka për t’u furnizuar me ushqime, pasi lëvizja me mjete të tjera ëshët e pamundur, ndërsa prej ditës së djeshme një pjesë e fshatit nuk ka as ujë të pijshëm. Efektivët e FA nisin shpërndarjen e ndihmave për banorët. 420 pako me ndihma ushqimore po transportohen për në Dajç, ndërsa për shpërndarjen e pakove janë angazhuar efektivë të Batalionit të Këmbësorisë dhe të Mbështetjes Rajonale në Shkodër.

[gallery]25758[/gallery]
Probleme ka në njësitë Ana e Malit, Dajç, Guri i Zi dhe shumë fshatra, të cilët janë nën pushtetin ujit. Sipas të dhënave të fundit të ardhura nga Shkodra, njoftohet që niveli i ujit ka pasur rritje deri në 20 cm që nga mbrëmja e djeshme. Ndërkohë kryebashkiakja e Shkodrës, Ademi i ka bërë një tjetër thirrje Prefektit që të shpallë gjendjen e emergjencës, pasi situata pritet që të rëndohet si pasojë e reshjeve dhe shkarkimeve nga HEC-et.

Prefekti nuk ka pranuar që të shpallë emergjencën deri tani. Nga bashkia e Shkodrës, deri tani llogaritet që të jetë 57 mln lekë të reja shifra nga dëmet te Njësia Ana e Malit.  Probleme nga shirat ka pasur edhe në qytete të tjera të vendit. Në Kukës niveli i HEC-it ka arritur në 295 metra, vetëm një metër larg maksimales, ndërsa ka pasur shkarkime të kontrolluara. Në Gjirokastër janë evakuuar 5 familje në Tërbuq, ndërsa problematike vijon të mbetet situata në fshatin Cerrunjë në Elbasan.

Letra e plotë e Voltana Ademit

Deputetë të Qarkut Shkodër
Anëtarë të Këshillit të Bashkisë së Shkodrës

 

KËRKESË PËR MBLEDHJE TË KOMISIONIT TË EMERGJENCAVE CIVILE TË QARKUT SHKODËR

Drejtuar: Prefektit të qarkut Shkodër, z. Çesk Millja, Kryetar i KECQ Shkodër.

I nderuar z. Prefekt,

Ne, të zgjedhur të Bashkisë dhe Qarkut të Shkodrës, të shqetësuar maksimalisht nga situata e përmbytjeve që vazhdon prej disa ditësh, ju drejtohemi me një kërkesë legjitime në emerin tonë dhe të mijëra shkodranëve që përfaqësojmë, duke kërkuar:

- Mbledhjen e Komisionit të Emergjencave Civile te Qarkut Shkodër, për t’u njohur zyrtarisht me situatën sipas informacioneve që ju dispononi.

- Në këtë mbledhje kërkojmë të jemi prezent ne, anëtarë të këshillit të Bashkisë së Shkodrës dhe deputetë të Qarkut.

Kërkojmë nga ana juaj, për sa më sipër, të thirrni mbledhjen e KECQ urgjentisht, brenda mesditës së datës 08 mars 2018.

Si të zgjedhur të banorëve të Bashkisë dhe Qarkut Shkodër e konsiderojmë jetike organizimin e mbledhjes së kërkuar, për të kontribuar në marrjen e përgjegjësive dhe përballimin e situatës shumë të rëndë të krijuar.

d.b/shqiptarja.com

 

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Arjan Hoxha nga selia blu: Rakip Suli ka dhënë leje ndërtimi në një zonë të shpallur të rrezikshme nga institucionet e shtetit, SPAK ta hetojë!

Arjan Hoxha nga selia blu: Rakip Suli ka dhënë leje ndërtimi në një zonë të shpallur të rrezikshme nga institucionet e shtetit, SPAK ta hetojë!