Report Tv në Thumanë! Tërmeti shoi tre familje, të afërmit përkujtimore në varrezat e qytetit! Dedikimi prekës i Bert Carës: Mendova se do bëhem gjysh, por as baba s'mbeta

THUMANË- Buqeta me lule, lot e dhimbje shoqëruan familjen Cara, Cakolli, Greku, e Lala këtë 26 nëntor të vitit 2020 në 1 vjetorin e tragjedisë së tërmetit që goditi Shqipërinë duke shkaktuar 24 viktima në qytetin e Thumanës.

Mes tyre që vizitoi varret e të ndjerëve ishte edhe Albert Cara, i mbijetuari i vetëm i familjes Cara. Të martën e 26 nëntorit të një viti më parë, ai humbi të gjithë familjen. Nuk ishte i pranishëm në varrimin e tyre pasi ndodhej në Itali për kurim, por ishte sot në 1 vjetorin e përkujtimit. Report Tv transmetoi një vit më parë 'live' momentin e shpëtimit nga rrënojat të Albert Carës. Një vit më pas, ai në një intervistë nga vendi kur dikur banonte thotë se pas 8 orë qëndrimi në rrënoja e vetmja frikë ishte se do të vdiste nga mungesa e oksigjenit.

Ajo që ra në sy sot është se askush nga pushteti lokal dhe ai qendror nuk iu bashkua familjarëve të viktimave në ceremoninë përkujtimore në Thumanën që jeton dy botë, të shkuarën me jetët e humbura dhe të ardhmen e një qyteti të ri.

Personat që humbën jetën nga tërmeti në Thumanë
1. Ariela Lala 4 vjeç
2. Selvie Lala 75 vjeç (gjyshja me mbesën)
3. Bukurie Leka 70 vjeç
4. Hasan Albert  Cara 18 vjec 
5. Almir Albert Cara 29 vjec
6. Erisa Albert Cara 25-vjeçe (motër e vëllezër) 25 vjeë
7. Fatmira  Cara (nëna e tyre) 44 vjeç
8. Stela Cara (e fejuara e Almir Carës) 25 vjeç
9. Anthi Cara - nusja e xhaxhait të Albert Carës (i mbijetuar) 72 vjeç
10. Sadajana Cara - mbesa e Anthit (Shpëtoi nëna e Sadajanës, Lindita Cara) 21 vjeç
11. Pëllumb Greku 57 vjeç
12. Çelike Greku 57 vjeç
13. Saimir Greku 31 vjeç (babai, nëna dhe djali)
14. Sardi Çuka 18 vjeç
15. Fatmira Çuka 44 vjeç (nënë e bir)
16. Hajrie Vata 65 vjeç
17. Rolejt Vata 7 vjeç (gjyshja dhe nipi)
18. Hajredin Çupi 66 vjeç
19. Lutfie Çupi 55 vjeç
20. Klement Çupi (Klevis) 34 vjeç (babai, nëna dhe djali) - Fejonin djalin tjetër ditën e tërmetit, Aleksi shpëtoi
21. Kastriot Cakoni 46 vjeç
22. Drita Cakoni 15 vjeç (Babë e bijë. E kërkonte daja me pasaportë në QSUT)
23. Aderina Kabili 21 vjeçe (Shpëtoi nga tërmeti babai i saj Haxhi Kabili)
24. Suada Hysa 18-vjeç

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:08
Humbi 3 fëmijët, gruan dhe nusen e djalit/ Albert Cara për Report Tv: Ishte vendim i Zotit, i kam në memorie të gjitha....fjalët 'magjike' që thotë për 3 engjëjt e tij (VIDEO)

Të gjitha ato momente tragjike nga tërmeti i 26 nëntorit, i ka të fiksuara në memorie. Ai ishte i vetmi nga familja e tij që ia doli të mbijetoni, teksa humbi 7 anëtarë nga familja e tij, por nuk është i mërzitur me fatin  e tij, e ka pranuar si vullnet të Zotit. Për mikrofonin e Report Tv, Albert Cara është kthyer pas në kohë, duke risjellë në vëmendje ato momente të trishta.

"Fjalë e mia mungojë, por gjithçka itha i madhi Zoti, ai tha t'i merrte dhe të më linte mua, hallall Zoti, hallall qeverisë shqiptare dhe italiane, të dy më bën njeri,ata bën shkencë me mua. I kam regjistruar këtu, s'kam pse të shoh videot, kam ndenjur 8 orë nën rrënoja, para meje kanë nxjerrë një fëmijë, po qante dhe unë gëzoja që u shpëtua fëmija. Kam qenë i vetëdijshëm. Kur ndodhi tmerri më ka ikur dyshemeja nga këmbët, kisha fëmijët përpara, ato të dy kanë fluturuar para meje, rashë poshtë dhe thashë 'ou qënkam gjallë'. Kërkoja ndihmë, por nuk më dëgjonin. Ka qenë një ushtarak me dialekt verior që kanë thënë "kam personin e gjallë këtu", më zbuluan kokën dhe u mbusha me frymë", tregon Cara.

A do të rikthehet të jetojë këtu, për këtë nuk e di ende, por është shumë e bukur kur i dëgjon fjalët me të cilët i përshkruan të gjithë fëmijët e tij. Nuk e harron as nusen e djalit.

A do jetojmë sërish këtu? Nuk e di, mund të banojë këtu, apo jo. Këtu më merr malli për këtë vend, këtu kam vuajtur, këtu rrita fëmijët, këtu ia dhashë Zotit të gjitha me vete. E kisha shok jo djalë, nuk ndahen fëmijët por i vogli ka pas emrin e babait tim, por e dorëzoi shumë emrin, djali i madh ishte këshilltari im, vajza ishte adrenalina ime, nusja ishte mjalti i mjaltit tim, bëhej xheloze nusja ime pse ajo rrinte më shumë me mua se me të", tha ai për gazetarin e Report Tv, Arsen Rusta.

E pranishme krah tij, ishte edhe krushka, e ëma e Stelës, e fejuara e Almirit. "Jemi bërë krushk për qejf dhe miq do mbetemi gjithmonë", u shpreh Berti, teksa krushka tregon ankthin që ka përjetuar në ato momente.

"Momenti kur u nisa për në punë, kur kam arritur këtu ishte një tmerr i paparë, po prisnin nga momentet momente, erdhën në gërmadha. Stela dhe Almiri dolën të fundit, ishte një ankth dhe një tmerr", rrëfeu ajo.

Ora 10:16
'S'ka më fëmijë me qa për nënën, s'ka më nënë me qa për fëmijët'...dedikimi prekës për anëtarët e familjes Cara

Tërmeti i 26 nëntorit në Thumanë shoi familjen Cara. 5 persona, Fatmira, Almiri, Stela, Erisa dhe Hasani gjetën vdekjen nën rrënoja. Të afërmit e tyre kanë bërë një dedikim prekës për ndarjen e tyre nga jeta.

"Atë të martë të zezë nëntorit, ai tërmet i zi jetën ua mori. Erdhi nëntokë papritur dhe u vërsul mbi ju si i uritur. Eh tërmet fort me lëkundje mi dhe dhimbje shpirtit tim, s'ka më fëmijë me qa për nënën, s'ka më nënë me qa për fëmijët. Qau dhe qielli mbi rrënona leshun lot dhe ret e zeza familja e Bert Carës u shpërngul, në varrezë sa shumë u luta poshtë nën rrënoja, por ishte errësirë dhe s'ju shikoja, sa shumë qava dhe rënkova, por asnjë dot nga ju nuk shpëtova. Mendova se do bëhem gjysh, por as baba nuk mbeta. M'u ça jeta në dysh nga plagët që më dha jeta. Më plasi zemra nuk di ku të shkoj, s'ka doktor të më shërojë, veç i lutem të madhit Zot të vij te ju në tjetrën botë. Emrat tuaj në zemër i kam shkruar, ju jeni kujtimi më i bukur që s'kam për t'iu harruar. Përjetësisht në zemrën time, Fatmira, Alrimi , Stela, Erisa Hasan", shkruhet në dedikim.

Ora 10:03
Depozita e ujit e trashëguar nga Komunizmi, e vetmja që s'u prek nga tërmeti! S'do të prishet nga projekti në Thumanë (VIDEO)

Një vit nga tërmeti tragjik i 26 nëntorit në Thumanë e vetmja gjë që ka mbetur e padëmtuar është depozita e ujit e trashëguar nga koha e komunizmit.

Pikërisht kjo depozitë është e vetmja që nuk është dëmtuar nga tërmeti pasi pothuajse gjithçka tjetër në këtë zonë është shkatërruar.

Sipas projektit të rindërtimit të Thumanës së re depozita e ujit do të qëndrojë si simbol si e vetmja gjë që s'pësoi asnjë dëm nga tërmeti.

B.K./I.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Thumans: 26/11/2020 12:42

    Nuk eshte e trasheguar nga komunizmi depo e ujit por eshte ndertuar para 6 vitesh kur ishte kryetar PD ne komunen e thumanes dhe nuk eshte mbushur asnjehere me uje

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja