Ligji i ri/ Presidenti s'anulon zgjedhjet dhe s'refuzon dekretet për ministrat pa dakordësinë e mazhorancës! Nga nënshtetësia te dekoratat, PS i 'kufizon Metës' 6 kompetenca

TIRANË- Presidenti i Republikës së Shqipërisë nuk do të kryejë një sërë veprimesh pa dakordësinë e mazhorancës, e cila nëpërmjet një projektligji të posaçëm e ka kufizuar kreun e shtetit, duke u nisur dhe nga precedentë të mëparshëm. Mazhoranca synon t'u japë fund përplasjeve Kuvend-Presidencë, teksa deputeti Adnor Shameti i cilësoi këto ndryshime si të domosdoshme që zgjidh ato që i cilëson si "ngërçe artificiale". 

Report Tv ka siguruar draftin e plotë të përbërë nga 45 nene, në të cilat, siç SHameti tha, i përcakton qartë detyrat e kreut të shtetit. Kështu, ndalur te dekretimi i ministrave, presidenti ka 7 ditë kohë për t'u shprehur. Nëse presidenti nuk shprehet për 7 ditë, emërimi i ministrit bëhet nga Kuvendi. Me anë të këtij neni mazhoranca synon që të mos përsëritet më skenari "Cakaj dhe Lleshaj", ku kreu i shtetit, Ilir Meta refuzoi t'i dekretonte ato.

"Në rast se Presidenti i Republikës nuk nxjerr dekretin për emërimin e ministrit të propozuar nga Kryeministri brenda 7 ditëve nga marrja e propozimit, atëherë Kryeministri ia paraqet propozimin Kuvendit për miratim, pavarësisht nga mungesa e dekretit për emërim. Ministri i miratuar sipas kësaj pike bën betimin drejtpërdrejt në Kuvend, pavarësisht nga mungesa e dekretit për emërim", shkruhet në draft. 

Sa i përket datës së zgjedhjeve, nëse ajo nuk caktohet nga presidenti, kompetencat i ka sërish Kuvendi. Data e zgjedhjeve vendoset konsensus nga palët politike dhe në momentin që nuk është arritur dot në një konsensus, atëherë caktohet data e partisë që është në pushtet. Gjithashtu, nëse kërkon t’i anulojë, sërish duhet të rakordohet me partinë më të madhe. Pra, nuk do të ketë më një rast tjetër të ngjashëm siç ndodhi me zgjedhjet lokale të 30 qershorit, ku Meta i anuloi, por ai dekret nuk u mor parasysh nga mazhoranca e cila shkoi drejt kutive të votimit. 

"Presidenti i Republikës cakton datën e zgjedhjeve pas konsultimit me kryetarët ose përfaqësuesit e autorizuar të partive parlamentare. Data e zgjedhjeve përcaktohet nga Presidenti i Republikës mbështetur në konsensusin e partive pjesëmarrëse në konsultë. Në rast se mungon konsensusi, atëherë Presidenti i Republikës cakton datën e zgjedhjeve, sipas propozimit të partisë apo partive që mbajnë numrin më të madh të mandateve parlamentare", shkruhat ne draft. 

Për betimin e gjyqtarëve, nëse presidenti nuk i thërret brenda 7 ditësh, ato do të betohen para Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ). Për këtë parashikim në projektligj, mazhoranca ka marrë shkas nga rasti i Arta Vorpsit, e cila u zgjodh anëtare e gjykatës kushtetuese automatikisht nga KED, por që nuk u thirr për betim nga presidenti aktual Ilir Meta.

"Në këtë rast, si dhe kur Presidenti nuk shprehet, kandidati shpallet i emëruar dhe fillon detyrën brenda 15 ditëve nga data e vendimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor", vijohet më tej. 

Ashtu siç ishte paralajmëruar më herët, ndryshime ka pasur edhe në kompetencat që ka kreu i shtetit në dhënien e nënshtetësive. Mazhoranca ka zgjedhur të ndërhyjë në këtë pikë, pas skandaleve të publikuara njëra pas tjetrës nga Shqiptarja.com, ku mësohet se tani më presidenti duhet të konsultohet ngushtësisht me Ministrinë e Brendshme dhe organet e sigurisë, ndryshe nga sa ka ndodhur aktualisht nga Ilir Meta.

"Dhënia e shtetësisë shqiptare dhe lejimi i lënies së saj bëhen nga Presidenti i Republikës me dekret, me propozim të ministrit që mbulon çështjet e brendshme, brenda 60 ditëve nga marrja e propozimit. Dekreti kundërfirmohet nga ministri propozues.Kërkesat, për të cilat Presidenti i Republikës dhe ministri që mbulon çështjet e brendshme kanë gjykim të kundërt quhen të rrëzuara.", thuhet në draftin organik të mazhorancës. 

Kritika nga mazhoranca, të artikuluara me ironi jo pak herë nga kryeministri Edi Rama është edhe dhënia e dekoratave nga ana e presidentit Ilir Meta. "Meta i ka marrë varrezat me radhë dhe si e ka nisur do dekorojë dhe Skënderbeun", ka thënë më herët Rama, e sot mazhoranca ia ka kufizuar këtë kompetencë. Tani më Meta nuk mund të japë një dekoratë, nëse nuk merr konfirmimin nga ana e organit propozues.

"Dekoratat dhe titujt e nderit jepen nga Presidenti i Republikës me dekret, me propozim të organeve të përcaktuara me ligj. Dekreti kundërfirmohet nga organi propozues", thuhet në nenin 31 të raportit. 

Një nga kompetencat që mazhoranca i ka kufizuar presidentit është edhe sa i përket kthimit të ligjit. Në nenin 35 të këtij drafti, është përcaktuar qartë rastet kur kreu i shtetit kthen një ligj. Në pikën 4 të saj, thuhet që kreu i shtetit mund të kthejë një ligj vetëm kur ai është në shkelje të kushtetutës dhe jo kur nuk pajtohet me "qëllimet, objektivat, mekanizmat, procedurat apo efektet e pritshme të ligjit", siç ka ndodhur deri më tani presidentin Ilir Meta. Ky ndryshim vjen si rezultat i luftës së dekreteve që kanë ndodhur së fundmi mes institucionit të presidentit dhe Kuvendit, ku një pjesë e madhe e ligjeve janë kthyer pas.

 "Në rast se Presidenti i Republikës konstaton papajtueshmëri të ligjit të miratuar me Kushtetutën ose me ligjet me forcë më të lartë juridike, atëherë ai ka të drejtë ta kthejë ligjin për rishqyrtim vetëm një herë. Presidenti i Republikës nuk mund t’a kthejë ligjin për rishqyrtim për shkak se nuk pajtohet me qëllimet, objektivat, mekanizmat, procedurat apo efektet e pritshme të ligjit", shkruhet në draft.

Ky projektligj pritet t'i nënshtrohet shqyrtimit në komisionet parlamentare për të kaluar më pas në Kuvend për miratim. Këtë draft, nga Bylysi, Meta e ka quajtur si "përpjekje puçiste" që do e marrë përgjigjen më 25 prill.

(Kliko këtu ) Drafti i plotë per ligjin e Presidentit

VIDEO/Detajet nga gazetarja e Report TV Klesiana Omeri

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:33
Ligji për presidentin, ja si emërohet kryeministri i ardhshëm

Drafti i propozuar nga mazhoranca për ndryshimin në ligjin e Presidentit të republikës rregullon mënyrën e emërimit të kryeministrit. Në pikën 1 të nenit 20 thuhet se Kryeministri i emëruar duhet të gëzojë mbështetjen e partisë ose koalicionit të partive që kanë shumicën e vendeve në Kuvend.

Ndërsa në pikën 6 është vendosur edhe mekanizmi zhbllokues i një situatë ku asnjë forcë politike nuk arrin të krijojë shumicën në parlament. Në rast se përfaqësuesit e partive politike nuk i japin mbështetjen e mjaftueshme asnjë kandidati të mundshëm, atëherë Presidenti i Republikës emëron Kryeministër dhe dërgon për miratim kandidatin e partisë që ka numrin më të madh të vendeve në Kuvend.

Emërimi i Kryeministrit

1. Emërimi i Kryeministrit bëhet nga Presidenti i Republikës me dekret. Emërimi i Kryeministrit është nismëtar kur procedura për emërimin e kryeministrit nis nga Presidenti i Republikës dhe është pasues kur procedura nis nga Kuvendi. Kryeministri i emëruar duhet të gëzojë mbështetjen e partisë ose koalicionit të partive që kanë shumicën e vendeve në Kuvend.

2. Emërimi nismëtar bëhet në fillim të legjislaturës ose kur posti i Kryeministrit ngelet vakant dhe përfshin emërimin sipas pikave 5, 6 dhe 7 të këtij neni.

3. Emërimi pasues i Kryeministrit bëhet në rastet kur Kryeministri zgjidhet nga Kuvendi pas përfundimit pa sukses të procedurave për miratimin e Kryeministrit të emëruar, kur zgjidhet për shkak të mosushtrimit nga Presidenti i Republikës të kompetences për emërim ose të moszbatimit të procedurës së emërimit, si dhe kur zgjidhet me mocion mosbesimi. Emërimi pasues i Kryeministrit bëhet nga Presidenti i Republikës pa zhvilluar procedura konsultimi.

4. Presidenti i Republikës nxjerr dekretin për emërimin e Kryeministrit, në rastin e emërimit nismëtar, brenda 10 ditëve nga mbledhja e parë e legjislaturës së re të Kuvendit, brenda 10 ditëve nga përfundimi pa sukses i raundit të parë për miratimin nga Kuvendi të Kryeministrit të emëruar, ose brenda 10 ditëve nga krijimi i vakancës. Për emërimin pasues, Presidenti i Republikës nxjerr dekretin për emërimin e Kryeministrit brenda 10 ditëve nga votimi në Kuvend për Kryeministrin e zgjedhur nga vetë Kuvendi.

5. Presidenti i Republikës bën emërimin nismëtar të Kryeministrit, pas konsultimit me kryetarët ose përfaqësuesit e autorizuar të partive që kanë mandate në Kuvend. Konsulta ka qëllim të identifikojë kandidatin që gëzon mbështetjen e shumicës së Kuvendit dhe që mund të marrë miratimin në Kuvend. Kryetarët ose përfaqësuesit e autorizuar të partive që kanë mandate në Kuvend mund t’i paraprijnë konsultës me Presidentin e Republikës me takime eksploruese mids tyre, me qëllim që të lehtësojnë përafrimin drejt kandidaturave të përbashkëta.

6. Në rast se përfaqësuesit e partive politike nuk i japin mbështetjen e mjaftueshme asnjë kandidati të mundshëm, atëherë Presidenti i Republikës emëron Kryeministër dhe dërgon për miratim kandidatin e partisë që ka numrin më të madh të vendeve në Kuvend.

7. Në rast se kandidati i emëruar nuk miratohet në raundin e parë të votimit, atëherë Presidenti i Republikës rinis konsultën me kryetarët ose përfaqësuesit e autorizuar të partive që kanë mandate në Kuvend. Në rast se përfaqësuesit e partive politike nuk i japin mbështetjen e mjaftueshme asnjë kandidati të mundshëm, atëherë Presidenti i Republikës emëron Kryeministër dhe dërgon për miratim kandidatin e partisë së dytë me numrin më të madh të vendeve në Kuvend.

8. Në rast se kandidati i emëruar në raundin e dytë nuk miratohet, atëherë Presidenti i Republikës emëron Kryeministrin e zgjedhur nga Kuvendi, ose shpërndan Kuvendin, kur Kuvendi nuk arrin të zgjedhë vetë Kryeministrin e ri.

9. Në rast se Presidenti i Republikës nuk nxjerr dekretin për emërimin nismëtar të Kryeministrit, ose nuk e nxjerr atë sipas procedurës së përcaktuar në pikat 5, 6 dhe 7 të këtij neni, atëherë Kryeministri zgjidhet drejtpërdrejt nga Kuvendi. Në këtë rast zbatohen gjegjësisht procedurat që rregullorja parashikon për zgjedhjen e Kryeministrit me mocion mosbesimi.

10. Në rast se Presidenti i Republikës nuk nxjerr dekretin për emërimin pasues të Kryeministrit, brenda 10 ditëve nga zgjedhja, atëherë Kryeministri i zgjedhur i paraqet Kuvendit për miratim përbërjen dhe programin e qeverisë, pavarësisht nga mungesa e dekretit për emërim. Kryeministri, zëvendeskryeministri dhe ministrat e miratuar sipas kësaj pike bëjnë betimin drejtpërdrejt në Kuvend, pavarësisht nga mungesa e dekretit për emërim

Ora 10:44
Shameti: Ligji për presidentin gati! Nuk i heq asnjë kompetencë, por zgjidh ngërçet artificiale

TIRANË-  Ligji për kompetencat e presidentit është gati! Mazhoranca ka mbyllur punën e saj disa javore dhe ka hartuar një draft të përbërë nga 45 nene, ku sipas deputetit Adnor Shameti zgjidh ngërçet artificiale siç ai i  quan, që kanë ndodhur deri më tani.

Në këtë ligj, Shameti theksoi se nuk i hiqen kompetencat që aktualisht ka presidenti, por janë të përcaktuara shumë qartë të gjitha detyrat që ka kreu i shtetit. Nevojë e domosdoshme, e quajti Shameti, për shkak të përplasjeve që ka pasur institucioni i presidencës dhe kuvendit sa i përket betimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, refuzimi i dekretimin të ministrave, rasti i ministrit të Jashtëm, Gent Cakaj dhe ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj nga presidenti aktual, Ilir Meta. 

"Në lidhje me hartimin e ligjit për presidentit, i dhamë dorën e fundit dhe disa detajeve, dua të sqaroj që hartimi i një ligji për organizimin ne presidenti ka qenë një domosdoshmëri dhe detyrim kushtetues. Është një ligj organik, ky ligj ka analizuar dhe përfunduar në detaje të gjithë procedurën që presidenca duhet të ndjekë në ushtrimin e kompetencave të veta, marrin fund të gjitha ngërçet artificiale të lindura në vite duke pasur parasysh kushtetutën. Nuk bëhet fjalë për kufizime të kompetencave është elaburimi i të gjitha të drejtave të presidentit. Grupi i punës ka përfunduar draftin dhe ky draft do t'i nënshtrohet procedurave parlamentare ku do të depozitohet në Kuvend dhe pastaj do të vijojë puna normale që do jetë gjithëpërfshirës dhe do diskutohet dhe në Komisionin e Ligjeve. Është një ligj i kompletuar nuk është për privilegjet e presidentit, por i jep fund ngërçeve artificiale, ka 45 nene në tërësinë e tij dhe të gjitha problematikat që ju i ngrini gjejnë zgjidhje", tha Shameti.

Ligji për kompetencat e presidentit duhet të ishte gati në datën 15 tetor, por hartimi i saj ka marrë më shumë kohë dhe prezantimi është bërë vetëm sot (6 nëntor). Grupi i punës ishte i përbërë nga tre deputetët Vasilika Hysi, Adnor Shameti dhe Alban Zeneli. Mazhoranca ka bërë me dije se një ndër pikat që do të ndërhyhet në këtë ligj është edhe dhënia e nënshtetësive, pas skandaleve të publikuara nga Shqiptarja.com, ku kreu aktual i shtetit Ilir Meta ka dhënë mbi 100 nënshtetësi brenda një viti, një shifër shumë e lartë krahasuar me paraardhësit e tij. Më herët në intervistën e dhënë për Report Tv, deputeti Alket Hyseni ka deklaruar se Meta ka abuzuar me këtë kompetencë, e për pasojë do të rishikohet pasi sipas tij "është e papranueshme që ky akt solemn siç e quan ai të përdoret për ndere personale".

B.K.//Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Pritet konferenca e parë ndërqeveritare, mendoni se Shqipëria bëhet anëtare e BE në një kohë të shkurtër?



×

Lajmi i fundit

John

Pas 5 vitesh mungesë Adele ngjitet përsëri në skenë! Tregon emocionet e rikthimit