Një çoban që kishte punuar në stallat Violand Braçellarit u përfshi në operacion, veshur me një bluzë me mbishkrimin "Policia". Kjo e dhënë del në dosjen e Prokurorisë për vrasjen e efektivitit të policisë Enea Mekolli gjatë operacionit për arrestimin e të kërkuarit Violand Braçellari në malin e Bodesë në Maliq.

Braçellari ishte dënuar me 10 vite burg për trafik narkotikësh dhe prej vitesh rezultonte në kërkim. Sipas dosjes, ai ishte vendosur në një zonë të thellë malore ku administronte disa stalla me lopë e bagëti dhe lëvizte vazhdimisht i armatosur.

Policia mbërriti tek aty pas kallëzimit të Aleksandër Kolës, që kishte punuar rreth një muaj në stanet e tij dhe kishtë bërë kallëzim për dhunë. Gjatë marrjes në pyetje ai u dha hetuesve informacion të detajuar për vendndodhjen, ndaj e morën me vete në operacion. Çobani deklaron se gjatë operacionit iu dha një maskë dhe një bluzë me mbishkrimin "Policia".

Shefi i Komisariatit Maliq, Artur Xhunga, ka deklaruar se vetëm komisariati që ai drejtonte kishte angazhuar 10 efektivë dhe dy automjete në aksion. Në terren ndodheshin gjithashtu Forcat "Shqiponja", Operacionalja. Sipas planit operacional, grupet do të afroheshin nga drejtime të ndryshme për të mbyllur perimetrin dhe për të bllokuar rrugët e largimit. Megjithatë, sipas rindërtimit të ngjarjes në dosje, Braçellari arriti të konstatojë praninë e policisë para se rrethimi të përfundonte.

Në atë moment ai hapi zjarr me armë automatike drejt efektivëve. Nga të shtënat mbeti i vrarë efektivi i Forcave "Shqiponja", Enea Mekolli, ndërsa u plagos efektivi Edison Adri. Pas shkëmbimit të zjarrit, Braçellari u plagos dhe u arrestua.

Një nga gjetjet më domethënëse të ekspertimit lidhet me armën e Mekollit. Sipas procesverbaleve, në armën e tij u gjetën 29 fishekë në krëhër dhe një fishek në fole, çka tregon se efektivi nuk kishte arritur të qëllonte.

Kontrollet e zhvilluara pas operacionit zbuluan gjithashtu mënyrën se si Braçellari kishte arritur t'i shmangej arrestimit për vite me radhë. Në stalla u gjeten automatik, armë gjahu, sasi municioni, karikatorë, radio komunikimi si ato te policise, telefona celularë, dylbi dhe një dron. Ndërsa mes pemëve në zonë te fshehur kishte ndërtuar kasolle, ku sërish u gjet pushkë dhe sende të tij personale.

Pavarësisht se policia kishte informacion se Braçellari ishte i armatosur, operacioni përfundoi me vrasjen e efektivit. Pikërisht për këtë arsye, përveç hetimit ndaj Braçellarit, AMP po verifikon nëse janë marrë të gjitha masat e nevojshme për neutralizimin e një personi me rrezikshmëri të lartë.

Deri në këtë fazë të hetimit nuk ka persona konkretë të proceduar për "Shpërdorim detyre", por dokumentet tregojnë se fokusi i verifikimeve është zhvendosur nga vetë përplasja me armë tek mënyra se si u organizua operacioni që duhej të sillte arrestimin e Braçellarit dhe përfundoi me vrasjen e një punonjësi policie.