Report TV është nisur drejt Zagradecit, fshatit më të famshëm për prodhimin e fasules, për t'u njohur nga afër me traditën e vjetër të kultivimit të kësaj kulture, historinë e saj, por edhe te gjitha proceset që banoret ndjekin për të marrë këtë prodhim.

Gjatë udhëtimit tonë nga Korça drejt Zagradecit na shoqëruan cicërimat e zogjve dhe fëshfërimat e gjetheve. Pas 1 ore rrugë me makinë kemi mbërritur ne fshatin buze liqenit te Prespës së Vogël.

Kemi mbërritur në Zagradec, vendasit u janë drejtuar tokave për të filluar nga puna. Kultivimi i kësaj kulture në fshatin Zagradec zë fill në shtetin grek, kur banorët emigruan për një jetë më të mirë e më pas e sollën këtë kulturë në tokat e tyre duke e shndërruar Zagradecin në fshatin e famshëm të  fasules. Të ndodhur shumë pranë kufirit me Greqinë, zagraçarët në fillim të viteve 90-te u nisen drejt Mikrolinit, Kariesas,Lefkonas ku ata punonin për prodhimin e fasules ose siç i thonë vendasit "pllaqi".

'Fshati im jo vetëm u njoh me këto bimë, po i morri dhe të gjitha sekrete e saj që nga mbjellja, që nga kallamat, që nga lidhja, që nga shërbimet e bëra si vaditja dhe prashitja me mundësitë që dispononte fshatari. Morëm përvojën e duhur për kultivimin e saj. Pas 3-4 vitesh pasi përfituan përvojën e duhur në Greqi, të gjithë fshatarët e krahinës së Devollit nuk ka njeri që nuk i mbjell. Jo vetëm këtë por edhe në kulturat e tjera, ku greku i ka shumë të zhvilluara se ne si një vend i izoluar", tha një prej banorëve që po punonte tokën.

"Këtu ishte përqendruar e gjithë fasulja e kooperativës, është e toka që e do këtë kulturë. Pllaqia ka nisur kultivimin pas viteve 2000", tha një tjetër

Prodhimi i kësaj kulture bujqësore me mjete primitive nuk ka qenë i lehte, por falë punës dhe këmbënguljes fermerët e Zagradecit ia kanë dalë. Ata treguan për Report Tv vështirësitë dhe sakrificat por edhe te gjitha proceset qe ata ndjekin për të marre prodhimin e fasules .

'Tani kemi mbjellë më 25 prill dhe duan 20 ditë për të prashitur dhe më pas do i mbushim për një javë dhe do i lëmë një javë tjetër dhe do i vëmë kallamat që fasulja të marrë përpjetë. Këtu prashitet me kalë apo dorë, ndërsa në Greqi ka mjete moderne. Ne mundohemi shumë. Ne nga shteti duam vetëm ujë, nuk duam lekë, punën e bëjmë vetë", tha një banor.

Ata janë tashmë mjeshtër të prodhimit të fasules njohin gjithçka me përpikmëri çdo proces e teknike qe nga mbjellja vendosja e kallamave apo ujitja ne forme gjarpri.

Kjo vaditet 5-6 herë gjatë sezonit 3 mujor që kemi. I japim formën e gjarprit që uji ti vijë rrethe  qark fasulet dhe mban më shumë lagështi.

"Ne nuk përdorim ilaçe që përdor greku, është bio dhe ka vlera dhe shije më të mirë. ka vitamina. Kjo traditë është trashëguar edhe te brezat e rinj, po mësojnë pas nesh. Jemi bërë mjeshtër të fasules", thanë banorët.

Fasulja pllaqi ose fasulja Prespe mbetet kultura kryesore në bujqësi ku është përqendruar ekonomia e kësaj zone, edhe pse tregu nuk është gjithnjë i sigurt. Tradita ruhet edhe nga të rinj... sot ne Zagradec nuk ka familje qe nuk e kultivon fasulen. 

1590394311_Screenshot2.jpg

Gazetarja e Report TV me fermerin korçar te fushat e mbjella me fasule në Zagradec