Kureshtja ishte e madhe. Si vallë është një udhëtim zgjedhor me kandidatin për kryeministër të Partisë Socialiste? Nisja për Berat ishte caktuar në 15.45. Një kafe e shpejtë në të famshmin bar “Austria”, ku priste orarin e nisjes edhe “skuadra” e Beratit. Tavolina ku ishte ulur Fidel Ylli dhe Artan Lame ishte plot me njerëz, ndërsa Eduart Shalsi, ndodhej në një tjetër tavolinë, vetë I dytë. Një pritje lodhëse. Autobuzi i veshur me ngjyrat dhe fjalët rilindase ishte në gadishmëri, po ashtu edhe gazetarët, edhe rinia socialiste shoqëruese në të gjitha takimet, pritej vetëm Rama. Ai u duk rreth orës 16.45. Një orë pritje. Vallë të jetë i ngjashëm me kryeministrin e fundit socialist?

NË AUTOBUZ

Rama hipën i fundit. Përkulet gati i gjithë (sa i gjatëëëë!), është dy herë sa dera dhe zë vendin e zakonshëm në këto udhëtime, në sediljen e tretë, pranë dritares, në krah të Ermonela Felajt. Nuk është në humor. “Kam një dhimbje në rruazën e katërt të kurrizit”, shpjegon Rama. Të jetë ky shkaku i vonesës? “Isha duke dhënë një intervistë për një televizion të huaj, por se ç’patën disa probleme”, na heq ai menjëherë kureshtjen, duke vazhduar shtriqjen e trupit.

Siç duket dhimbja nuk e lë rehat. Një interesim i menjëhershëm, nëse kurohet, apo nëse duhet të operohet. “Unë dhimbjen e luftoj me dhimbje”, përgjigjet kryesocialisti, si një budist i vjetër. E si për ta vërtetuar mendimin që më përshkroi, për budistët, shton, “përdor mendjen për të mposhtur dhimbjen dhe jo ilaçet”. Një temë e gjatë kjo dhe goxha kurioze, por që nuk ishte momenti për ta zhvilluar, pasi autobuzi ishte nisur. Përpara printe një makinë e gardës, e cila hapte rrugën. Minutat e para duke dalë nga Tirana, janë të qeta. Prezantim, vëzhgim, ndonjë batutë për lirinë dhe grupi i transmetimit direkt që përgatitej. Në të hyrë të autostradës Tiranë-Durrës, një aksident...

“Ky autobuz është tip Obama”. “E”, tund kokën Rama. “Tip Obame, po unë i kam bërë këto përpara Obamës”, thotë ai, sigurisht duke kujtuar kohën kur drejtonte bashkinë. “Pse nuk merrni dhe bashkëshorten me vete”. Kjo në fakt ishte pyetja ku desha të dilja. “Ne s’jemi në zgjedhje Presidenciale”, thotë Rama, megjithëse teorikisht kryeministri i Shqipërisë ka pozita më të forta se sa presidenti. Madje ka pasur edhe rast kur Zonja e parë ka qenë gruaja e kryeministrit. Eshtë një bisedë që ngel në mes...

Kisha përshtypjen e një Rame që duke kërkuar përsosmërinë dhe për këtë nuk ia ka besën askujt, do të ndërhynte në çdo veprim të grupit të transmetimit. Por ndërrova mendim. Jo vetëm që dëgjonte çfarë i thoshte një djalosh i ri dhe tre herë më i shkurtër se ai, por edhe bindej menjëherë. Transmetimi direkt me disa televizione nuk kishte ndonjë gjë interesante. Pyetje të ditura pak a shumë, përgjigje të thëna, veçse të renditura ndryshe.

Pyetjet ishin vetëm për Ramën, por pas një kohe ai “futi në lojë” edhe skuadrën, jo të gjithë, vetëm Lamen dhe Felajn. Sigurisht që kjo e fundit kishte më shumë se ç’të fliste për Beratin, ndërsa Lame i qëndroi stoik historisë dhe kulturës. Të jetë një ministër i ardhshëm i kësaj fushe? Rama nuk e pohoi plotësisht, por përderisa nuk e mohoi, po e marrim deri në 23 qershor si pohim. Ai u përgjigj disa pyetjeve, por ëndërrimtar, si një artist, u tregua vetëm për Televizionin Shqiptar.

“Do shihni një televizion publik, si nuk e keni parë kurrë”. Ç’të jetë ky TV që s’e paskemi parë kurrë?! Rama nuk di ta shpjegoj me hollësi, por tingulli i fjalëve duket si i një shkrimtari që hedh sytë nga dritarja për të nisur kapitullin e ri të romanit. Në vija të trasha, në TV publik, nuk do të nisnin lajmet me kryeministrin dhe të përfundonin me Presidentin. Çudi! Rama do të bëhet drejtor i TVSH, apo kreu i qeverisë? Apo do të rendisë kokat e lajmeve për transmetim? Apo, apo, ajo që ka vërtetë në mendje, është ta lerë të lirë këtë media të ecë vetë. Problemi, që duhet të zgjidhë është me njerëzit. Kushdo që ka qenë atje, apo që vendoset atje, me thënë të drejtën i ka bërë ndopak fresk qeverisë së rradhës. Aaaa, nëse Rama ka parasysh një RAI, i cili nuk pyeste pse ishte Berluskoni kryeministër, kjo është tjetër punë...

Diku afër Durrësit, transmetimi ndërpritet. Si më të çliruar. Dhe biseda nis direkt për rrugët. Në fakt autobuzi nuk ka troshitje, por kreu i PS sheh tjetërkund. “Pse kështu janë rrugët në Europë”, thotë ai me atë ironinë e hidhur paralajmëruese: kujdes mos më kundërshto. Vetëm tund kokën në formën “ç’po thua mo ç’po thua”, kur e pyet se si do t’i bëni ju rrugët...

Dhimbja duket se s’do ta lëshojë. “Në periudha të lodhshme pune, aktivizohet”, shpjegon ai dhe nis të ndërrojë vendin në autobuz. Shkon prapa, pranë Shalsit, po aty nuk gjen qetësi. Del përpara pranë shoferit e përpiqet të bëjë pak fizkulturë. Përpiqet, se nuk ja arrin dot. Ndonjëherë gjatësia qenka problem. Teksa mundohem t’i bëj një foto duke e pasur diçiturën e saj në mendje...”mos më nxirr duke u ngërdheshur”. Duket një kërkesë njerëzore, ndaj fotoja “do të flejë” në telefonin-aparat.

Biseda kalon në “risinë” e listave, Koço Kokëdhimën. “Eshtë një opozitar i vendosur, nga të paktët”, thotë Rama arsyen pse e ka kandiduar, duke shpjeguar se pushteti i Berishës pikërisht për qëndrimet e tij e ka sulmuar dhe ai për këto qëndrime gati ka humbur gjithçka. Nuk provokohet ta përmendë fjalën “mik”, i qëndron opozitarizmit të Koços, edhe pas tre-katër pyetjeve me rradhë. Ta besojmë?! E meqë jemi tek skuadra e Vlorës, diku nga fundi i udhëtimit e pyeta për kandidatët “vlonjatë”.

“Pse unë nga jam”, m’u përgjigj hidhur. “Nga bregu”, tha një nga shoqëruesit e tij. “Dakort, dakort, po s’je nga Vlora”. Nuk ishte punë gjoksi, por pyetje-ankesë edhe nga faqet sociale ku “gëlojnë” vlonjatët. Flor Serjani, një nga djemtë e zyrës së shtypit, që gdhihet e ngryset në PS, ndërhyn. “E bëre si një xhaje në Vlorë. Po mirë mor bir, ndonjë lab nuk keni vënë”. “Rri Flor, i them, se po filluam me Gjirokastrën tënde, nuk të del hesapi”...Punë listash.

HYRJA PËR BERAT

Kalojmë rrethrrotullimin e Lushnjes dhe marrim rrugën e Beratit. Në fakt nuk është rrugë, por çfarë ka mbetur nga diçka që dikur është quajtur e tillë. Rama nuk mjaftohet më me ankesat me gojë, por përdor edhe duart, duke mos lënë gropë pa treguar. Dhe janë shumë. Tmerrësisht shumë. Ata që rregullojnë makinat në Berat duhet të jenë të lumtur. Troshitjet e autobuzit më japin mundësinë t’i bëj ndonjë pyetje, megjithëse tashmë ka nisur ritualin telefonik, mesazhet.

Pa fund. Madje në një rast, fliste me një telefon që ia kaloi një nga bashkëpunëtorët e tij dhe me tjetrin shkruante. “Do e mbash premtimin se aleatin që do të marrë 25 mijë vota do t’i japësh një post në qeveri”? “Patjetër thotë Rama”. “E nëse merr 150 mijë vota, do t’i japësh gjysmën e qeverisë”? Përgjigja është e thjeshtë; një ngritje supesh, por jo me nënkuptimin “nuk e di”, por “bravo i qoftë. T’i ketë hallall”. Menjëherë më kalojnë në mendje partitë që mund ta kenë “këtë fat”. E para LSI. Me të paktën 100 mijë votat e saj, sipas pohimit të Ramës do të ketë katër vende dhe e dyta PSD e Skënder Gjinushit, me një vend në qeveri. Në fakt jo keq si ide. Ish kryetari i PS në fitoren e tij të parë, i ndau postet për të ndarë pushtetin, jo si meritë, kësaj rradhe ndahet merita për të marrë pushtet.

Rama është tifoz me Italinë, ndërsa në Shqipëri...një mbledhje buzësh. “Po s’do bësh gjë për sportin”. “Si s’do bëjmë. Ja ku është Fidel Ylli, ai e ka të gjithë programin e sportit”. Të jetë Fideli ministri tjetër? Dy ministra të ardhshëm në autobuzin e Beratit. Jo keq për një qytet 2400 vjeçar. Por kjo vlen për Lamen. Ndërsa Tomorri, skuadra e Beratit, ka rënë në kategorinë inferiore... Në fakt edhe “Skënderbeu” i Korçës nga ajo kategori e nisi dhe doli tre herë kampion...

Dy pyetje të fundit, shpejt sepse jemi në të hyrë të Beratit dhe nga larg duken flamujt e PS-së dhe njerëzit që duartrokasin. Pëlqen Freddie Mercury, ish liderin e QUEEN. Të famshmin, me të famshmen “We are the champions” (ne jemi kampionët). “Të mëdhenjtë nuk vdesin kurrë”, thotë Rama nostalgjik. Pikturon? “Çdo ditë”, është një përgjigje e shpejtë, më e shpejta. Jemi në limit, po hyjmë në qytet, dhe më në fund janë “zgjuar” edhe të rinjtë socialistë, të cilët kanë qëndruar gati në heshtje gjatë gjithë rrugës. “Si ma përshkruan Preç Zogajn me tre fjalë”, përpiqem t’i shkëpus edhe një batutë të fundit. Mendohet. Mendohet. Pres një nga ato thëniet, alla “sorrë”. “Një personalitet i dyfishtë”, thotë Rama. Një përgjigje e zakonshme?! “S’më le kohë, kjo më erdhi e para në mendje”, justifikohet ai.

Në të hyrë të Beratit një e papritur. Tre djem dhe një vajzë hipur në kuaj, që na “tregojnë rrugën”. Dy prej tyre mbajnë flamujt e PS-së. He. U desh kjo që të shfaqej Rama i vërtetë. Brenda dy minutash ka thënë një mal me batuta për kuajt, njëri prej të cilëve “harroi” që ishte në rrugë dhe “u lirua” para autobuzit. “Ç’janë këta kuaj o Fidel”, i drejtohet Rama. “Po edhe me skenografinë do merresh tani”, i përgjigjet Fideli. “Ej po këta s’janë kuaj mo, këta ngjajnë si lepuj. Me këta do e bëni Rilindjen”, ishte kundëreagimi i kryesocialistit. Duhet ta ketë pasur fjalën për ngjyrën e kuajve, ishin pullalinj. Në fakt ishte një pamje surreale, kuajt para, dy makinat e policisë pas, autobuzi që i ndiqte dhe njerëzit rrotull që brohorisnin këtë “karvan” të çuditshëm. Rama vazhdon nga batutat: Fotografoji këto makinat e policisë pas kuajve, po se mos harron, në fotoshop hiqi flamujt tanë. Eshtë batuta e fundit.

rama ne autobus

MITINGU

Nuk e kisha dëgjuar ndonjëherë Ramën direkt. Kisha parë zjarrin e Berishës para njerëzve, qetësinë e Nanos, pushtetin e Metës mbi turmën, por jo Ramën. Megjithëse kishte nisur një shi i hollë hyra mes turmës. Një zë vajze dhe djali, nga ata të autobuzit lajmëronin me rradhë folësit, ishin kandidatët për deputetë. Duartrokitjet më të shumta për një djalë të ri, kirurg thanë disa aty pranë, për Lamen që si zakonisht tregoi histori nga historia, dhe për Fidel Yllin.

Rama u ngjit në skenë me një shtrëngim dhëmbësh. Unë e dija pse (dhimbja e rruazës në kurriz), ndoshta të tjerët nuk e vunë re. Ishte një e folur që nisi qetë, me falënderime për Erjon Braçen e Marko Bellon. Por shpërthimi ishte më pas. Një pasion i flaktë, një ëndërrim i skajshëm, mbi ç’ka ka në mendje ky njeri. Diku gjatë rrugës, duke folur për bashkinë e Tiranës tha me dhimbje: “Në Tiranë do ishin bërë gjëra shumë të bukura, por na penguan”.

Aty në shesh po e shihja dhimbjen e këtij njeriu, jo nga trupi, e kishte mundur kur fliste për ardhmen. Ai kishte dhimbje për të tashmen. Dukej se do të pranonte çdo bashkëjetesë, çdo marrëveshje, për të bërë realitet çka ka në mendje. “LSI ka dhjetë përqind”, tha në autobuz. Rama duket se e ka pranuar marrëveshjen me “mikun-armik” të dikurshëm, pikërisht për këtë dhjetë përqindësh. Jo për makiavelizëm, por pikërisht për pasionin e tij për të ndryshuar realitetit.

Duke folur, nën kalanë e Beratit dhe shtëpive karakteristike, ai u tjetërsua. Dukej se ai mikrofon dhe ato qëndra zëri nuk i mjaftonin...Ishte një Ramë pa dhimbje kur fliste për të ardhmen. Shiu shtroi mirë dhe të gjithë dëgjuesit hapën çadrat. Për çudi tek Rama nuk u afrua askush. “Pse”? “Nuk do t’i mbajë njeri çadrën”, më shpjegojnë. E shoh me çudi. Vallë kaq shumë ka ndryshuar ky njeri, apo kështu ka qenë?! Rama nuk i lë më njerëzit në shi. E mbyll. Dhe me mbylljen, shuhet edhe pasioni i tij në publik. E sërish duket qartë që i shfaqet dhimbja, ngërdheshet duke shtrënguar dhëmbët... Ky njeri nuk kërkon thjesht të fitojë. Ai refuzon të humbasë. Nuk kam shpjegim tjetër.

Merr një tufë me lule, takon kandidatët e skuadrës dhe largohet me ta. Unë largohem në krahun tjetër. Kthimi ynë do të bëhet me autobuz, ndërsa një pjesë e skuadrës së Beratit dhe e skuadrës ndihmëse së PS-së do të ktheheshin me makina. Nuk u ankuam për këtë “lënie pas dore”...

Dy gra të mitingut, teksa kalonin pranë autobuzit me ngjyrat e rilindjes e përkëdhelën me dorë: hajt ishallah me fat, i thanë njëra- tjetrës. Të jetë vallë çështje fati?

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 14.05.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)