Restaurimi i tavolinave
e rindërtimi i vendit

Restaurimi i tavolinave<br />e rindërtimi i vendit
Kush i njeh dy Tanat, Lamen e Shkrelin, patjetër që duhet të njohë dhe pasionin e tyre për çdo “vjetërsirë” (kështu i them unë) që gjendet rreth e rrotull. Por kujdes! Tua thuash atyre të dyve këtë fjalë, ka mundësi mos të të flasin me gojë...ndoshta për një javë.

Nuk më bën asnjë habi, që të dy së bashku, i kanë hyrë gjithë asaj godine kryeministrore, për të mos lënë vrimë pa hyrë, merimangë pa pastruar, e tapet pa shkulur. Edhe pse s’kam qenë me ta, e imagjinoj Lamen me kostum e kollare duke u zhgarravitur nëpër vjetërsira, duke u bërë gjithë pluhur nga koka te këmbët, por ama kostumin nuk e heq. As kollaren nuk e liron. Dhe a e dini pse? Sepse Lame, ka respekt për institucionin ku shkel, dhe ai quhet Këshilli i Ministrave.

Po ashtu imagjinoj dhe Shkrelin, ndoshta me këmishë poshtë e ndonjë pulovër sipër. Me xhinse e atlete, as nuk do t’ia dijë se ka hyrë te Këshilli i Ministrave, por është duke rrëmuar nëpër objektet e vjetra dhe me atë “vizionin e tij platonik”, jep idetë sesi duhet bërë diçka, e se te cili restaurator duhet të çohen objektet e gjetura, si duhet të transportohen, cilët punëtorë duhet t’i ngrenë që aty ku janë, madje, edhe me sa shumë përkujdesje duhet të merren ato objekte, në mënyrë që ata që do t’i transportojnë, të mos i prishin!!!! (Epo, a thua se në 23 vjet që janë kalbur e dergjur bodrumeve të kryeministrisë e nuk është kujdesur njeri për to, ata që i kanë zhvendosur nga zyrat, kanë pasur të tillë përkujdesje??)

Jam shumë e sigurt se punonjësit e Gardës së Republikës janë çorientuar totalisht. Eshtë godina e Këshillit të Ministrave pra. Eshtë institucioni, ku askush nuk mund të hyjë si pa teklif, e ku çdokush duhet të paraqesë një kartë identiteti, të kalojë në ato paisjet detonator ku shihet nëse ke objekte metalike me vete, të lërë aty në sportel çdo gjë që konsiderohet e dëmshme dhe të hyjnë një nga një. Jo në grup. Se prishet qetësia e atyre që punojnë në Këshillin e Ministrave.

“Çfarë qetësie more!” ulëret Lame ndërsa vë duart në kokë dhe thotë se me të tilla procedura nuk mbaron puna as sot e as mot. Duhet që Edi Rama kur të kthehet të dielën, t’i ketë paisjet nëpër zyrat e kryeministrisë, madje edhe ekspozitë në holl, në katin e parë, për t’ua rrëfyer shqiptarëve e të huajve që do ta vizitojnë. Në fund të fundit, këtë lloj mjeshtërie e dashurie, patjetër dy Tanat, me kalimin e viteve, ia kanë ngulitur edhe atij në mendje.

Sepse jo rastësisht nga gjithë kjo histori, më kujtohet xhiroja e të dyve, me Edi Ramën në mes, duke kaluar në orët e vona të natës në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, aty mes ministrive, e ku lindi projekti i aqdebatuar “Kthim në Identitet”. Shkreli, jepte idetë sesi ndriçimi i dritareve të punuara që në kohën e italianëve, duhet të vinte nga poshtë, sidomos për natën, për të krijuar dritëhijet. Rama e Lame dëgjonin, e të nesërmen, një dhurues, duhet detyrimisht të paguante për restaurimin. E njëjta gjë me Urën e Tabakëve, apo edhe me godinën e Bashkisë së Tiranës dhe transformimin e saj.

Mund të ndodhin shumë gjëra brenda godinës së qeverisë këtë javë që Edi Rama nuk është. Opozita po merret gjerë e gjatë me një çështje, që për momentin, ka vetëm vlerë tregimore për atë se çfarë ndodh me disa objekte që kanë pasur vendin e tyre në një copëz historie të një shteti. Që do të thotë, nëse specialistët vlerësojnë se ato objekte janë aq të çmuara që i përkasin vitit 1940 dhe janë bërë nga mjeshtrat italianë, nuk ka faj vetëm Berisha që në tetë vjet i ka mbajtur në bodrumet e kryeministrisë. E ka fajin Ylli Bufi, Aleksandër Meksi, Bashkim Fino, Pandi Majko, Ilir Meta, Fatos Nano, Sali Berisha...pra të gjithë kryeministrat apo sekretarët e përgjithshëm që kanë punuar me ta.

Historia e rrëfimit të gjetjes së këtyre objekteve dhe rikthimit të tyre në gjendjen e mëparshme për t’i rivendosur në vendin e tyre, është shumë e bukur, edhe nga pikëpamja mediatike. Por tani, mjaft më. Qeveria ka edhe shumë punë të tjera për të bërë. Nuk është vetëm restaurimi i tavolinave. Eshtë rindërtimi i gjithë vendit.

(Shkrimi u publikua sot ne gazeten Shqiptarja.com)
Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Parada e shqiptarëve në Tiranë/ Kryetari i shoqatës ‘Vatra’ në Turqi:

Parada e shqiptarëve në Tiranë/ Kryetari i shoqatës ‘Vatra’ në Turqi: