Rezoluta për ‘Srebrenicën’, të dënojë dhe Berishën për thyerjen e embargos ndaj Milosheviçit!

Rezoluta për ‘Srebrenicën’, të dënojë dhe Berishën për thyerjen e embargos ndaj Milosheviçit!

Sali Berisha

Kërkesa për miratimin e një rezolute për dënimin e genocidit serb në Bosnje, dy muaj përpara se të shënohej 27 vjetori i masakres së Srebrenicës është një hipokrizi e pastër.

Ndërsa iniciimi i kësaj rezolute nga Sali Berisha dhe mbështetësit e tij plot 27 vite pas masakrës së kryer nga Milosheviçi në Srebrenicë, ndërkohë që asokohe ka qënë në pushtet, por dhe ka qënë 8 vite të tjera sërish në pushtet e nuk e ka bërë një gjë të tillë, përbën dhe kulmin e hipokrizisë. Po të doni quajeni dhe kulmin e maskarallëkut. E mban dhe këtë emërtesë, i bie tamam e për “masë”.

E themi këtë sepse kërkesa e tanishme e Berishës për të miratuar një rezolutë për dënimin e genocidit serb në Bosnje, më shumë se sa dhimbje për popullin martir boshnjak, më tepër se sa paralajmërim për ndonjë mënxyrë tjetër në rajonin e trazuar të Ballkanit, në këtë situatë agresioni rus në Ukrainë, përmban nota të theksuara loje për përfitim politik.

Kjo duket qartë tek nxitimi për të formatuar rezolutën dhe për ta dërguar me urgjencë në Parlament, dy muaj para përvjetorit të kësaj masakre serbe mbi popullsinë e pafajshme boshnjake.

Eshtë një përpjekje e Berishës për të qënë prezent në luftën politike, në një moment të fortë krize mbështetje nga ana e partnerëve ndërkombëtarë për të, pas shpalljes “non grata” të tij familjarisht nga ana e SHBA-së. Por dhe të anashkalimit nga ana e kryeministrit Edi Rama, i cili e quan Berishën të “vdekur” politik dhe të gjitha mesazhet e tij i cilëson si të ardhura nga “bota e përtejme”.

Dhe Berisha, teksa e ka hakmarrjen në “ADN”-në e tij, po tenton me të gjitha mënyrat që ta vendosë Ramën në “qoshe” për ta goditur politikisht si një politikan që s’dënon masakrën serbe të Srebrenicës në Bosnje, duje përsëritur njëherësh akuzat e tij të përhershme se “po i shërben politikës së Vuçiç”.

Pavarësisht se vetë Rama dy vite më parë, si kreu i radhës i OSBE e dënoi fort masakrën e Srerbrenicës, pavarësisht se ambasadori ynë në OKB Ferit Hoxha e dënoi disa ditë më parë genocidin serb në Bosnje, ku më 11 korrik 1995, forcat serbe të Bosnjës hynë në Srebrenicë, në zonën që ishte shpallur e sigurtë nga OKB e në ditët që pasuan, vranë mbi 8 000 burra dhe djem myslimanë, ndërsa trupat e tyre i hodhën në gropa në pyjet përreth, Berisha vijon me të tijën.

Pyetja që lind është kjo: Pse Berisha nuk inicioi një rezolutë për dënimin e genocidit serb në Srebrenicë menjëherë pas 11 korrikut të vitit 1995, kur PD ishte në pushtet me një shumicë dërmuese votash në Kuvend, ku mund të votonte dhe me shumicë të cilësuar një dokument të tillë. Qëndroi dhe dy vite të tjera në pushtet Berisha por nuk e bëri. Apo pse nuk e inicioi një rezolutë të tillë në 8 vitet e qeverisjes së dytë të tij në periudhën 2005-2013, por nuk hapi gojë as këtë radhë.

Në krye të herës duhet të nënvizojnë se masakra serbe e Srebrenicës ka ndodhur pikërisht në kulmin e kontrabandës së naftës, dhe nënprodukteve të saj që Sali Berisha, në mënyrë zyrtare bëri me regjimin e Milosheviçit, asokohe President i ish-Jugosllavisë.

Dhe nuk ishte një kontrabandë dosido, por një thyerje e pastër e embargos së vënë nga ana e OKB ndaj ish Jugosllavisë për të bllokuar makinerinë luftarake serbe e cila i kishte shpallur luftë të gjitha ish republikave, duke filluar nga Kroacia e përfunduar tek Bosnje-Herzogovina. Madje ka  ushtruar një genocid të paparë që nga Lufta e Dytë Botërore në Europë.

Thyerja e embargos ndaj Milosheviçit nga ana e qeverisë së Berishës është reflektuar në të gjitha raportet dhe dokumentet e OKB dhe njëherësh Shqipëria bënte pjesë në atë kohë në ato pak shtete që e realizoi shtetërisht një shkelje të tillë. E evidentuar, certifikuar, e bërë publike madje.

Themi shtetërisht, sepse kontrabanda e naftës me Milosheviçin duke thyer embargon e vënë nga OKB është drejtuar nga zyrtarët më të lartë të PD në pushtet dhe në parti, të personalizuar dhe drejtuar nga firma e PD, “Shqiponja”.

Organet ligjzbatuese, më shumë se sa për mbrojtjen e rendit, luftën ndaj krimit, apo ruajtjen e kufijve territorialë të Republikës së Shqipërisë, në atë kohë ishin të “zënë” me pritjen e autokolonave të autobotëve të naftës nga kufiri jugor i vendit dhe shoqërimin e tyre deri në kufirin me Malin e Zi.

Apo “marketimi” i porteve shqiptare ku lëviznin anijet cisternë, të cilat shoqëroheshin deri në destinacion në grykëderdhjen e Bunës, ku bëhej dhe dorëzimi i produktit naftë që furnizonte makinën ushtarake të Milosheviçit. Po ushtronte genocid ndaj boshnjakëve, kroatëve dhe më vonë ndaj shqiptarëve të Kosovës ushtria serbe, e furnizuar me naftë shqiptare. Autokolona me autobote dhe “flota” me cisterna, të mbuhsura me faktë që shkonin drejt kufirit të ish Jugosllavisë ishin në emër të firmës së PD “Shqiponja”, ku si drejtues të saj ishin zyrtarët më të lartë të PD, që kanë pasur në atë kohë postet më të larta shtetërore në qeverisjen po të PD.

Pavavarësisht se Sali Berisha e mohoi për një kohë të gjatë thyerjen e embargos së naftës me Milosheviçin, duke tentuar ta mbulonte me frazelogji nacionaliste, madje dhe me “lëvizje trupash të ushtrisë në kufirin Shqipëri-Mali i Zi”, në të vërtetë gjithçka ishte në funksion të kontrabandës shtetërore dhe përfitimeve personale që buruan për një kohë të gjatë nga kjo thyerje embargoje. Dhe “pastrimit” të rrugëve nga kontrabandistët e vegjël, në favor të firmës së PD “Shqiponja”.

U desh dalja nga botimi i librit të zv.presidentit të ish Jugosllavinës, njëherësh ish udhëheqësit malazez të asaj kohe Mumir Bulatoviç, i cili prezantoi tërë skemën e bisedimeve për lejimin e kontrabandës së naftës me Malin e Zi dhe përmes saj për regjimin e Milosheviçit, që më në fund Berisha të pranonte se ishte thyer embargoja e OKB ndaj regjimit të Beogradit gjatë qeverisjes së parë të tij. Por Berisha u justifikua që këtë kontrabandë Shqipëria e kishte bërë i diktuar nga nevoja emergjente e fermerëve shqiptarë të Kosovës për të punuar tokën me naftën shqiptare.

Asnjë mendje normale nuk e pranon që Milosheviçi do të lejonte naftën shqiptare të marrë kontrabandë e në thyerje të embargos së OKB, të shkonte për traktorët e fshatarëve të Kosovës së okupuar tërësisht nga serbët, dhe të linte tanket dhe makinerinë ushtarake të tij në “tako”,  përballë dyerve të Sarajevës apo zonave të tjera në Bosnje, në Kroaci dhe kudo ku kishte shtrirë luftën për shtrirjen e dominimit serb. Jo vetëm që nuk e ka bërë Milosheviçi atë që thotë Berisha, por as e ka çuar në mendje një gjë të tillë.

Dhe gjatë kësaj kohe, sipas mediave vendase dhe të huaja janë realizuar një sërë takimesh mes hierakëve shqiptarë dhe atyre serbë, por dhe kanë ndodhur krimet më monstruoze këtu në Shqipëri, kundër anëtarëve të lëvizjes për çlirim të Kosovës, çka të bën të mendosh se udhëheqja shqiptare e asaj periudhe ka qënë në shërbim të Beogradit, por ka shënuar dhe përfitimet e veta monetare. Shërbimi paguhet, tradhëtia ndaj interesave të vendit, akoma më shumë.

Berisha e ka pranuar takimin me zëvendësin e Milosheviçit, udhëheqësin malazez Bulatoviç dhe bisedën për lejimin e kontrabandës. Imagjino çfarë ka mbetur pa zbuluar nga biseda e tyre. Eshtë takuar dhe ish kreu i SHIK-ut shqiptar Bashkim Gazidede, njeriu më besnik i Berishës president në atë kohë, me Arkanin famëkeq, te ish pularia në Shkodër. Por dhe në Maqedoni. Në media është botuar fakti që Sali Berisha është takuar pikërisht në vitin 1995 me “kasapin” e Ballkanit Milosheviç dhe Kiro Gligorovin, presidentin maqedonas të asaj kohe në Shën Naum- Ohër. Madje nga ky takim erdhi dhe rrëmbimi, torturimi, vrasja dhe zhdukja e veprimtarit për çlirimin e Kosovës Remzi Hoxha në Kune Vain-Lezhë. Por dhe arrestime e dëbime të tjera, duke filluar me legjendarin Adem Jashari e deri tek Hashim Thaçi. Bënë burg në Shqipëri këta dhe u dëbuan pa afat, tjetër se si derdhen lot hipokrizie për udhëheqësin legjenda të Jasharajve.

Të gjitha janë të lidhura dhe e kanë zanafillën tek kontrabanda e naftës, thyerja e embargos së vëndosur nga OKB ndaj Milosheviçit, dhe sentimente të tjera sekrete apo familjare që ndikonin dukshëm tek politika e Berishës, duke lehtësuar dukshëm përballimin e embargos nga Beogradi.

E thenë më qartë, Berisha s’mund të bënte në atë periudhë asnjë rezolutë për të dënuar genocidin serb në Bosnje, pasi ishte kontributor indirekt në këto masakra, përmes furnizimit të makinës luftarake vrastare serbe me naftë por dhe me elementë të tjerë lufte që ndihmuan për vite me radhë regjimin e Beogradit, i cili më 1998-1999 shkarkoi gjithë mllefiun edhe ndaj shqiptarëve të Kosovës, duke i vrarë dhe deportuar në Shqipëri.

Nëse Berisha do t’i kishte pasur duart e lira nga Serbia, votat në Kuvend i kishte që në vitin 1995 për ta miratuar një rezolutë të tillë. Madje dhe në qeverisjen e dytë, kur ishte kryeministër. Nuk do të haste në asnjë kundërshtim nga ana e opozitës së atëhershme socialiste. Por kompleksi i fajtorit ndaj viktimave të Srebrenicës e më vonë të Kosovës, e ka bllokuar ta bënte një gjë të tillë.

Tani e kërkon këtë rezolutë sepse është gjysma e opozitës së opozitës, i shpallur “non grata” dhe në nevojë për të qënë faktor politik. Por dhe për t’i lënë PS dy muaj para përvjetorit të masakrës së Srebrenicës, “faturën” e refuzimit të një dokumenti të tillë parlamentar. Që mund zgjidhet në mënyrë fare të kollajtë.

Pavarësisht dënimit zyrtar të genocidit serb në Srebrenicë nga ana e kryeministrit Edi Rama apo nga ana e ambasadorit tonë në OKB, Ferit Hoxha, dhe sa herë që u është dhënë mundësia, në përvjetorin e 27 të kësaj masakre, mazhoranca mund t’ia plotësojë “dëshirën” Berishës me një rezolutë për dënimin e masakrës serbe të Srebrenicës. E cila, përpos të tjerave mund të ketë dhe një pikë shtesë: Dënimi i thyerjes së embargos së OKB për karburantet ndaj ish Jugosllavisë. Përfshin dhe Shqipërinë, përpos disa vendeve të tjera që e mbështetën Milosheviçin në atë kohë. Do të ishte jo vetëm një mbështetje për popullin boshnjak që humbi bijtë e bijat më të mira të saj nga genocidi serb, apo dhe shqiptarët e Kosovës më vonë, por dhe një akt qw dënon furnizimin shtetërisht të makinës luftarake të Milosheviçit me naftë nga shteti shqiptar i qeverisur në atë kohë me dorë të hekurt nga Berisha.

Pikërisht këtë rezolutë me këto elementë të ftohet për ta votuar në Kuvend Sali Berisha, më 11 korrik, në ditën e përvjetorit të genocidit serb në Srebrenicë. Do ishte një qetësim dhe për vetë Berishën, nëse mendon se duhet një akt i tillë i dënimit në tërësi të maskrës serbe në Bosnjë e më vonë në Kosovë. Pasi karburanti ishte i tij, ndryshe makineria serbe do të mbetej në “tako”.

Qytetarët shqiptarët kanë qënë gjithnjë solidarë me boshnjakët, kanë dënuar genocidin serb në Srebrenicë, dhe ansjëherë nuk janë pajtuar me thyerjen e embargos së vënë nga OKB ndaj Molosheviçit. Nuk kanë kompleksin e qeverisjes së mbrapshtë të Berishës së asaj kohe! Të njejtën gjë ka bërë dhe qeverisja socialiste dhe kryeministri i saj. Pra nëse Berisha këmbëngul, atëherë duhet t’i plotësohet kjo dëshirë, ta votojë dhe vetë: Dënim dhe atyre që thyen embargon.

J.GJ./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kushtetuesja rrëzon 4 familjarët e ish-zv/kryeministrit Ahmetaj dhe bashkëjetueses së tij, SPAK u sekuestroi prova për hetimin! Zbardhet VENDIMI

Kushtetuesja rrëzon 4 familjarët e ish-zv/kryeministrit Ahmetaj dhe bashkëjetueses së tij, SPAK u sekuestroi prova për hetimin! Zbardhet VENDIMI