Është për çudi. Kur e gjithë dynjaja ecin para, ne shkojmë mbrapsht. Kur të gjithë shkojnë përpara, ne numërojmë mbara. Kur të gjithë shikojnë kah e ardhmja, ne i kthehemi historisë, jo që të nxjerrim ndonjë mësim, por që ta komentojmë se si do të ishte më mirë, sikur ta kishin kthyer rrugën diku në mesjetë.
Ne po mundohemi ta bëjmë atë që s’e ka bërë kush dot, kthimin dhe riparimin e kohës.
Tash së fundi janë ricikluar, ose janë kthyer nga margjina dy temat që patëm menduar se ishin harruar, ose së paku s’kanë më ndonjë rëndësi, feja dhe spiunazhi, na u rikthyen në variantin më të keq.
Në sistemin demokratik, apo në “sallamadi sistem”, siç jemi ne, secili qytetar e ka lirinë e shprehjes që nuk mund t’ia ndalojë kush që ta shpërdorë me refleksione negative e fjalë që shpeshherë ndotin opinionin.
Derisa popujt tjerë gjithandej botës kanë jetuar me ngarkesën e urrejtjeve fetare, shqiptarët e të tri konfesioneve: katolikë, ortodoksë e myslimanë kanë pasur një koncept unikat për fenë. Kanë qenë shembull i diversitetit fetar, sepse mbi fenë gjithmonë e kanë vendosur kombin dhe aty ku kanë jetuar, krishterë e myslimanë, e kanë festuar bashkë edhe Bajramin edhe Krishtlindjet.
Është një shembull nga fillimi i shekullit të kaluar, kur pushteti serb u munda ta ndezë luftën fetare ndërmjet shqiptarëve, duke u futur derrat e prerë nëpër xhami, ditën e Bajramit nëpër Dukagjin. Diçka që në një ambient tjetër do të ndizte “kryqëzatën“ e dytë, por ideja “origjinale” e Serbisë shkoi huq. Shqiptarët që kishin jetuar me shekuj bashkë nuk u provokuan, sepse atë e deshifruan lehtë si një e zezë që u vjen nga pushteti.
Pas kaq vitesh Serbia nuk banon më këtu. Por, sidomos tash së fundmi, po na del si shpesh punë me dofarë Naletesh e Luciferësh, që në rolin e Serbisë së dikurshme ndërsejnë shqiptarët se kush qenka i krishterë më i fortë e mysliman me mjekër më të gjatë...
Debati i fundit për fenë, ashtu siç ka nisur, nuk do të shpëtojë pa refleksione të dhunës, sepse askush s’po tregon as tolerancën elementare, madje as ata që thirren për të vendosur ligj e për të bërë ligje.
Po shihet se dikush po i fryn erës së ndarjeve fetare dhe disa madje si shpesh po e kopjojnë bibanin që reagon kush i fishkëllen. Njëri alarmon se myslimanët qenkan në rrezik nga kaurët, tjetri se po i qenkan vërsulur “atletit të Krishtit”. Dhe të dy reagojnë, si të ishin vetë gardianët e fesë, por ata që më shumë u rrinë gati këtyre çështjeve, janë besimtarët islamë.
Do të ishte mirë që çështjen e fesë ta trajtojmë ashtu siç ka qenë tash e 500 vjet. Ai që është mysliman i devotshëm të falet 5 herë ose 10 herë nëse dëshiron, ai që është i krishterë të kryqëzohet po ashtu 10 herë. Por, një fjalë popullore thotë se “në katund të vjetër mos qit zakon t‘ri”. Me këtë batutë duhet të funksionojnë shqiptarët, të jetojnë qysh kanë jetuar me shekuj, gjysh e stërgjysh.
Edhe ligjvënësit me çështjet që lidhen me kambanat ose ezanin, në vend të zgjedhjes të mos krijojnë probleme. Të paktën projektligjin kundër ndotjes akustike ta debatojnë me qytetarët, në mënyrë që të qartësohet se Ligji nuk e sanksion ezanin e as kambanat, por e standardizon nivelin e decibelëve gjatë thirrjes për lutje.
Kështu siç ka nisur, siç thoshte një shok, “inshalla s’kris”.
Si të mos mjaftonte debati i nxehtë për fenë, tash na u riaktualizua edhe çështja e spiunëve, kush ka bashkëpunuar me UDB-në e kush me Enver Hoxhën.
Edhe ky një debat i ricikluar së fundi, ngjall reagime gjithandej opinionit. Dikush thotë se ka pasur qindra spiunë në UÇK, tjetri thotë se brenda Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës ka bashkëpunëtorë të Sigurimit Serb (BIA).
Madje deklaratat shkuan deri në atë masë, sa thanë se edhe dëshmorë ka që kanë qenë spiunë të UDB-së. Edhe ky debat, si ai për fenë, konsiderohet i kotë. Jo që Kosova nuk ka nevojë të dijë se kush ishin kolaboracionistët, por se ka punë më të ngutshme se këto. Fundi i fundit, ai që ka ngrënë hudhër, do t’i dalë era!
/Shqiptarja.com