TIRANË-Kur kanë kaluar më shumë se 13 vite, familja e Edisonit të vogël që humbi jetën në moshën 7-vjeçare nga shpërthimi i tmerrshëm në Gërdec në 15 marsin e 2008-s dhe të gjithë familjet e tjera që humbën të dashurit e tyre, tashmë kanë një dritë shprese për të gjetur drejtësinë e munguar.

GJKKO ka rikthyer për hetim në SPAK dosjen e bujshme të Gërdecit, duke pranuar kështu kërkesën e prokurorisë dhe të familjes Durda. Vendimi është marrë në apelin e GJKKO e cila ka rrëzuar një vendim të mëparshëm të shkallës së parë. Vendimi është marrë nga gjyqtarja Saida Dollani. 

GJKKO në një vendimarrje të datës 27 korrik refuzoi kërkesën e SPAK për të rihapur hetimet për Fatmir Mediun, ministër i mbrojtjes asokohe kur shpërtheu Gërdeci.

"Me referimin në parashikimin e pikës 1, shkronja b), të nenit 46, të ligjit 98/2016 “PërOrganizimin e Pushtetit Gjyqësor në Republikën e Shqipërisë” si dhe, në interesin e treguar nga media, komunikohet në mënyrë të përmbledhur se, sot më datë 24.09.2021, në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, mbi ankimin e Prokurorit të Posaçëm dhe të trashëgimtarëve të viktimës E.D., u zhvillua seanca gjyqësore në dhomë këshillimi, për çështjen penale nr. 212 akti, datë 03.09.2021 regjistrimi, ku Gjykata vendosi, të ndryshojë vendimin nr. 60, datë 27.07.2021 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, duke pranuar kërkesën e Prokurorit të Posaçëm dhe revokoi vendimin e pushimit nr. 6, datë 14.09.2009 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, duke i kthyer aktet Prokurorit të Posaçëm për të proceduar", thuhet në vendimin e marrë sot nga Apeli i GJKKO.

Menjëherë pas publikimit të vendimit reaguan edhe anëtarë të familjes Durdaj dhe avokati i tyre, të cilët e quan një hap të rëndësishëm për vendosjen e drejtësisë. Ndërkohë që avokatët mbrojtës të Fatmir Mediu e konsiderojnë si një akt jo kushtetues. 

Sipas vendimit të GJKKO të shkallës së parë prokuroria ka pasur të gjitha mundësitë që ta hetonte lirisht Fatmir Mediun pasi ai që prej vitit 2012 nuk ka pasur imunitet për t'u hetuar dhe vepra është parashkruar. Në një intervistë për Report Tv, vendim të turpshëm dhe qesharak e quajti Zamira Durdaj nëna e 7 vjeçarit Edison Durdaj që humbi jetën tragjikisht nga shpërthimi i Gërdecit në pranverën e 2008-ës vendimin e ndërsa shprehet se gjyqtari Erion Çela është kërcënuar.

Kujtojmë se Feruzan Durdaj dhe Zamira Durdaj, prindërit e 7 vjeçarit i janë drejtuar me një letër zyrtarisht Gjykatës së Posaçme, ku i kërkonin pranimin e kërkesës së SPAK për nisjen e hetimeve ndaj Mediut. Në letrën drejtuar GJKKO, familja Durdaj shprehet se dosja përmban shumë fakte që mund të cilësohen jo vetëm si shpërdorim detyre dhe që i hapin rrugë gjykimit.

Ndërkaq në shkurt të këtij viti, Feruzan Durdaj dhe Zamira Durdaj, iu drejtuan organeve të drejtësisë së re për të rifilluar ndjekjen penale ndaj Fatmir Mediut, ish Ministër i Mbrojtjes. SPAK e trajtoi pozitivisht këtë kërkesë, duke e vlerësuar se ishte e drejtë të rifillonte ndjekja penale ndaj këtij personi dhe tashmë çështja është në dorën e Gjykatës së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Nga shpërthimi i fuqishëm i 15 marsit të 2008 rreth orës 12:05 humbën jetën 26 persona, mes tyre dhe djali i familjes Durdaj, e ndërsa u plagosën mbi 300 të tjerë. 

Viktimat e Gërdecit
1. Qemal Deliu
2. Kore Deliu
3. Liljana Deliu
4. Jetmir Deliu
5. Flavio Deliu, 3 vjeç
6. Hysen Cani
7. Muhamet Hoxha
8. Besim Çanga
9. Roland Alla
10. Reshit Kruja
11. Mehmet Hazizi
12. Bukurie Cani
13. Arben Hasa
14. Zilie Kaca
15. Endri Dvorani
16. Shefki Cani
17. Zelije Leti
18. Ilirjan Malci
19. Shqipe Hasa
20. Azem Hamolli
21. Nafije Laçi
22. Zylfije Ahmeti
23. Erison Durda (Djali i Zamira Durdës)
24. Rajmonda Durda
25. Jetmir Ballazhi
26. Resmie Kranja

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:14
Rihapja e 'Gërdecit', avokatët e Fatmir Mediut: Akt jo kushtetues, një gjykatë më e ulët rrëzoi vendimin e Gjykatës së Lartë

1627896842_1620312560mediu.jpg

Pas vendimit të Apelit të Gjykatës së Posaçme Kundër Krimit dhe Korrupsionit për të rihapur çështjen 'Gërdeci' ka ardhur edhe reagimi i palës mbrojtëse të ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Në një deklaratë të shpërndarë për mediat, avokat Ardian Visha e konsideron këtë vendim si një akt jo kushtetues. Sipas tij është hera e parë në jurisprudencë kur një gjyqtare e një gjykate të nivelit më të ulët prish vendimin e Gjykatës së Lartë

"Në cilësinë e përfaqësuesit ligjor të Fatmir Mediu shpreh sa më poshtë: Vendimi i deklaruar në media nga  Gjyqtarja e Apelit të Posaçëm, përben një akt jo Kushtetues dhe pluri-shkelës të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe një sërë ligjesh të tjera të vendit.

Ai (vendimi) përben një pavlefshmëri absolute e në çdo rast baza motivuese e tij nuk mund të jetë kurrë ligji. Është hera e parë në jurisprudencë kur një gjyqtare e një gjykate të nivelit më të ulët prish vendimin e Gjykatës së Lartë!

Veç të tjerave shkelja e ligjit është e dukshme, sepse e njëjta çështje (kërkesë) është shqyrtuar dhe hedhur poshtë nga gjykata e shkallës së parë dhe Gjykata e Apelit, Tiranë në vitin 2019.

Ky vendim hapur cenon parimin e sigurisë juridike, parimin e gjësë së gjykuar, parimin e ligjit favorizues dhe për më tepër synon procedimin për një akuzë afati parashkrues i së cilës ka kaluar më kohë.

Pasi të njihemi me 'arsyetimin' e këtij akti të paligjshëm, do të reagojmë me transparencë e me të gjitha mjetet ligjore të përshtatshme", thuhet në reagim.

Ora 11:45
Rihapja e dosjes “Gërdeci”, flet avokati i familjarëve: Tashmë nuk ka asnjë pengesë për gjykimin, lëvizja e radhës e SPAK

 

Avokati i familjarëve të viktimave të tragjedisë së Gërdecit, Dorian Matlija, thotë se tashmë nuk ka më asnjë pengesë që SPAK të kërkojë gjykimin e çështjes në GJKKO.  Në një intervistë ekskluzive për gazetarin e Report Tv, Arsen Rusta, Matlija thotë se familjet do të përdorin çdo mjet juridik për drejtësi.

Sipas tij është hequr pengesa për tu hapur gjykimi dhe më në fund jemi në kushtet që seanca do të nisë.

"SPAK duhet tashmë të paraqesë kërkesën për gjykim, pra të vazhdojë punën aty ku ka mbetur në vitin 2009. Ndërsa ne do të përdorim të gjitha mjetet tona juridike.  SPAK duhet ta çojë në GJKKO-në e shkallës së parë, asgjë nuk e pengon më", tha avokati Matlija për Report Tv.

Ora 11:41
Iu vra vëllai 7-vjeçar në Gërdec, Gerardo Durdaj: Në gjyq nuk duhet vetëm Fatmir Mediu, mund të thirret edhe ‘sypeshkaqeni’ (Nënkupton Shkëlzen Berishën)

Gerardo Durdaj, vëllai i 7 vjeçarit që mbeti i vrarë në tragjedinë e Gërdecit, thotë se në gjyq nuk duhet të jetë vetëm Fatmir Mediu, por të thirren edhe të tjerë. Në një prononcim për gazetarin Arsen Rusta, ai tha se mund të dalin prova të reja dhe mund të thërriten dëshmitarë.

Madje duke përdorur edhe një pseudonim 'sy peshkaqeni', me të cilin i referohen shpesh djalit të ish-Kryeministrit Sali Berisha, Shkëlzen Berisha, Durdaj tha se edhe ai mund të thirret në seancën e gjyqit. 

‘Nuk kemi pasur shpresa se ky vendim do të vinte, por ja ku jemi sot përpara këtij fakti, presim drejtësi për ata njerëz të pafajshëm në atë tragjedi kanë qenë të lidhura tre gjera, politika, populli dhe korrupsioni. Shpresojmë që populli të dënojë politikën dhe korrupsionin. Kemi bërë apelim ndaj vendimit të shkallës së parë, kemi qenë në çdo proces gjyqësor. Vetëm familja Durda ka bërë 760 procese gjyqësor për procesin e Gërdecit.

Për Fatmir Mediun është vetëm familja Durda. Shpresojmë që ky të jetë fillimi për drejtësinë. Duhet të kemi parasysh që mund të dalin prova të reja, mund të thërriten dëshmitare, mund të thirren edhe sypeshkaqenë në gjykatë. Dihet kush është sy peshkaqeni. Nëse familja Durda fillon proceset gjyqësore ne Shqipëri është një person që vazhdon proceset gjyqësore në një shtet tjetër kundër një shteti tjetër.’- tha Durdaj.

Ora 11:26
Hapet hetimi për 'Gërdecin', nëna e Edisonit 7-vjeçar, Zamira Durdaj: E vetmja gjë që dua është drejtësi, të më thonë pse ma vranë fëmijën

 

Për familjen Durdaj vendimi për rihapjen e hetimeve të dosjes Gërdeci është një hap i rëndësishëm për të vendosur drejtësi për atë tragjedi të marsit 2008.

"Ky është një hap i rëndësishëm. Ne kërkojmë drejtësi, gjykata të ma thotë se cilat ishin arsyet që ccuan në vdekjen e fëmijës tim", ka thënë në një lidhje telefonike për Report Tv, Zamira Durdaj, e cila në Gërdec humbi djalin e saj 7-vjeçar.