Rikthehet Sali Shijaku me 65 
vepra në Galerinë Kombëtare

Rikthehet Sali Shijaku me 65 <br />vepra në Galerinë Kombëtare
TIRANE- Asnjëherë nuk ka reshtur së pikturuari, dhe nuk i kanë munguar as ekspozitat personale e ato kolektive në studion e tij apo institucione të tjera. Por për çudi, piktori i madh Sali Shijaku vetëm pas viteve nëntëdhjetë rikthehet në Galerinë Kombëtare të Arteve me ekspozitën e tij të parë vetjake.  

Sali Shijaku është konsideruar nga kritikët si një ndër piktorët e shquar të shekullit XX në Shqipëri. I vlerësuar nga artdashësit dhe koleksionistët e artit, ai është artisti që bën më shumë vepra surprizë sesa ekspozita. Sali Shijaku ka vepra në koleksionin e Galerisë Kombëtare të Arteve, në koleksione private në Shqipëri dhe në familje të ndryshme të vendit e jashtë tij. “Pranvera” e mrekullueshme e Sali Shijakut gjendet  në koleksionin e Andreotit dhe piktura “Zana” gjendet në koleksionin  e Berluskonit.

Ekspozita që do të çelet më 28 Maj 2015, në Galerinë Kombëtare të Arteve do t’i prezantojë publikut krijimtarinë me 65 vepra nga më përfaqësueset, në teknikën e vajit dhe mikse. Pikturat e sjella në këtë ekspozitë i takojnë koleksionit të tij në GKA dhe studios së piktorit. Ekspozita shoqërohet edhe nga katalogu, në të cilin përfshihet ecuria e zhvillimit të pikturës së Shijakut, që nis në vitet ’50 deri në ditët e sotme. Në sallën e ekspozitave të përkoshme në GKA, ekspozita e Sali Shijakut do të qëndrojë e hapur plot një muaj, deri më 28 Qershor 2015. 
 
Profili dhe prezantimi i veprave  
Ai është një artist që i jep gjithnjë vlerë metaforike e poetike imazhit apo objektit që pikturon. Sali Shijaku u bë përfaqësues i një kahu modernist që lindi brenda realizmit socialist, aty nga fundi i viteve `60 dhe fillimi i viteve `70 të shekullit të kaluar. Ishte ndër të rrallët kërkues të mënyrave sa më të natyrshme për të krijuar një vepër arti dhe interesante. Kjo e bëri të dashur për piktorët e brezit të tij dhe studentët e pikturës.

Fitoi zakonin që t’i bindej i lirë natyrës së tij emocionale dhe punonte me imazhet siç dëshironte, në mënyrë impresioninte, ekspresive, realiste apo abstrakte. Ishte talenti i Sali Shijakut që me mënyrën e tij të piktuarit iu jepte një tjetër emocion ilustrimeve të legjendave dhe motiveve kombëtare. Ai ka një potpuri veprash romantike nga nudot tek peisazhet krahas tablove historike, siç janë tabloja piktorike e Mic Sokolit, Vojo Kushit, etj.

Temat nga mitologjia, folklori dhe legjendat janë të preferuarat e tij, sepse siç shprehet piktori, i kanë dhënë mundësi për të mbajtur një qëndrim ndryshe dhe të shprehet i lirë. Piktura e Sali Shijakut në ekspozitën e 28 majit në GKA do të prezantohet në dy periudha, pas viteve ’90 dhe para viteve ’90, që përfaqësojnë dy qëndrime dhe dy interpretime ndaj imazhit apo objektit të pikturuar.

Sali Shijaku para viteve ’90: Ai u shfaq në mjedisin e arteve figurative shqiptare në vitet ’50, në një periudhë, kur piktura në Shqipëri ishte e lidhur me përvojat e pakta, por të mira akademike, të sjella nga piktorët e një brezi profesionistësh të pasionuar. “Sali Shijaku hyri në art me dëshirën për të përshkruar dhe tejkaluar atë akademizëm perëndimor dhe ia doli me sukses, ku jetoi dhe tejkaloi edhe një akademizëm të ndryshëm, atë lindor. Në fillim të viteve 60-të, ai iu kthye atmosfërës figurative shqiptare me pasionin e artistit për të ndryshuar dekadën dhe sot mendojmë se e bëri sëbashku me kolegët e tij”, shkruajnë organizatorët e kësaj eskpozite në njoftimin për median.

Sali Shijaku pas viteve 90: Tashmë një piktori i pjekur, ai vazhdon të krijojë duke transformuar botën e tij të pikturës. Pas viteve ’90 ai shfaqet me ndjeshmëri të jashtëzakonshme figurative dhe pasuri tematike. Piktori Ksenofon Dilo shkruan se “artisti Sali Shijaku ka punuar një numër të madh portretesh, pejsazhesh, natyrash të qeta dhe krijime të tjera, hera - herës përmes një spektri ngjyrash të ngrohta e të gëzuara.

Ato plotësojnë karakterin dhe tiparet e veprës së tij jo vetëm si frymëzime spontane e jo celebrale të jetës, por edhe për paletën e pasur kromatike, palete që fillon e çlirohet gradualisht nga forma të rënduara sidomos siç vërehet pas viteve ’90 e këtej, në kushte dhe atmosferë kulturore të favorshme, ku për vite të tërë jeton e punon.” 


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 26 Maj 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Përfundimi i votimit/ Mbërrijnë kutitë e para në stadiumin e Himarës

Përfundimi i votimit/ Mbërrijnë kutitë e para në stadiumin e Himarës