Rikthimi në Shqipëri pas 12 vitesh/ Aishe Haklaj: Kam ardhur të kallëzoj në SPAK Sali Berishën për vrasjen e 4 vëllezërve të mi! Kam besim te drejtësia e re

Ardhja e Aishe Haklaj në Shqipëri, pas 12 vitesh, ka një motiv të fortë. Ekskluzivisht për Report Tv ka zbuluar se ka ardhur në atdhe për të denoncuar në SPAK Sali Berishën për vrasjen e 4  vëllezërve të saj. Për këtë , ajo thotë se ka prova dhe dëshmitarë të pakontestueshme që Berisha është vrasësi, organizatori, ideatori dhe vrasësi i vëllezërve të saj që janë të gatshëm të dëshmojnë. Në marrjen e këtij vendimi, Aishe Haklaj thotë se ka ndikuar drejtësia e re, tek e cila ka besim.

“Po. Unë kam ardhur që të dërgoj denoncimin e familjes sime në drejtësinë e re shqiptare, e cila quhet SPAK. Denoncim zyrtar, ku kam bërë edhe një prokurë, kemi gjetur edhe dy avokatë dhe do t’i drejtohemi SPAK-ut. Për vrasjet e familjarëve tanë. Po, për vrasjet e katër vëllezërve.

Po. Sepse edhe në qoftë se ata do të thonë që kanë kaluar shumë vite, ne kemi denoncuar vit pas viti, rast pas rasti dhe nuk kemi pushuar, nuk kemi reshtur së denoncuari, pavarësisht se shteti shqiptar nuk ka funksionuar. Dhe ne mendojmë se ai, se shteti shqiptar nuk ka funksionuar si rezultat i ekzistencës së organizatës kriminale të Sali Berishës ose si rezultat i uzurpimit të shtetit shqiptar nga Sali Berisha, nga agjenti, nga i shituri Sali Berisha, nga krimineli, nga vrasësi Sali Berisha, i cili nuk ka vrarë vetëm familjen Haklaj, por ka vrarë, po vret edhe shqiptarët që po vriten sot rrugëve, djemtë e rinj që po vriten sot rrugëve, me armët që ai ka hedhur në rrugë dhe me të gjithë atë urrejtje që ai ka krijuar mes popullit të tij. Ai ka krijuar një urrejtje që ndoshta do të shkojë edhe 100 vite, Saliu nuk do të ekzistojë, ku ajo urrejtje do të vazhdojë të ekzistojë.

Ai ka mbjellë një urrejtje të paparë, e cila do të ekzistojë mendoj unë. Ne kemi prova, kemi fakte, kemi dëshmitarë që dëshmojnë se Sali Berisha është vrasësi, organizatori, ideatori dhe vrasësi, pavarësisht se me duart e kujt i ka vrarë vëllezërit tanë.

Po, ne jemi të bindur. Kemi shumë fakte, shumë prova, shumë dëshmi. Jemi dëshmitarë të gjallë të krimeve të Saliut, sepse nuk ma nxjerr goja të them të Sali Berishës. Ne kemi besim tani dhe si rezultat i këtij besimi kam ardhur unë tani. Sepse më përpara drejtësia ka qenë e krimbur pikërisht nga ai njeri. Ajo ka qenë e uzurpuar, ajo ka qenë e komanduar, ajo ka qenë e përdorur pikërisht nga Sali Berisha. Ai nxirrte gjyqtarë dhe prokurorë për 2 muaj, te Plepat e Durrësit, dhe ata bëheshin të bindurit e tij dhe të komanduarit e tij. Unë kam pasur rastin të ndjek gjyqet e të mbijetuarve të familjes dhe i kam filluar nga Tropoja, nga Gjykata e Tropojës, dhe kam edhe dokumente që Gjykata e Tropojës ka lëshuar një urdhër kontroll banese për kontrollin e banesës sime sepse kërkoheshin fakte dhe prova që unë të burgosem. Dhe nuk kërkoheshin fakte dhe prova që të viheshin para përgjegjësisë ata që po bënin krime, edhe ndaj banesës, edhe ndaj varreve, por Sali Berisha dhe pushteti i tij kërkonte fakte dhe prova që të më burgoste mua dhe të më mbyllte gojën që të mos i denoncoja rast pas rasti ngjarjet që ai po bënte. Ne kemi të dhëna dhe fakte e prova që ato krime i ka bërë policia e Sali Berishës”, tha thënë Aishe Haklaj ekskluzivisht për Report Tv.

Ajo thotë se për këtë janë të gatshëm të dëshmojnë edhe anëtarët e tjerë të familjes së saj, përfshirë edhe motrën Zylfie Haklajn, teksa thotë se do ishte e gatshme të vinte në Shqipëri, sa herë t’i kërkohej.

“Po, të gjithë jemi të gatshëm të dëshmojmë. Nëse do të kërkohet, ne jemi të gatshëm të dëshmojmë dhe kemi shumë fakte dhe shumë prova që ai njeri, në të vërtetë është me duar të lyera me gjak, jo vetëm me familjen tonë por me gjakun e shqiptarëve, këtej dhe andej kufirit”, ka thënë Aishe Haklaj.

Ndonëse ka besim te drejtësia e re, megjithatë nëse nuk ka një vendim, ajo ka zbuluar se çështja nuk do të mbyllet, por do të shkojë deri në gjykata ndërkombëtare.

“Ne nuk do të tërhiqemi asnjëherë. Edhe kur jemi paraqitur në Suedi, shteti suedez na dha një avokat shumë të zotin, shumë dinjitoz. Dhe edhe atëherë i kemi thënë atij njeriu që ne duam që atë njeri ta çojmë në gjykatat ndërkombëtare. Po, do të drejtohemi edhe andej. Nuk do të pushojmë së kërkuari të drejtën e gjakut të vëllezërve tanë”, ka zbuluar Aishe Haklaj.


Lajmi kryesor:

Ekskluzive/ Aishe Haklaj: Erdha pas 12 vitesh të kallëzoj në SPAK Sali Berishën për vrasjen e 4 vëllezërve të mi! Kam besim te drejtësia e re (VIDEO)


K.T./r.k./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen