Protesta te Unaza e Re/ Bllokohen dy akset e rrugës, Lulzim Basha: Ndaj banorëve ushtrohet terror psikologjik, marrin telefonata kërcënuese

TIRANË- Është zhvilluar dita e 27-të e protestës së banorëve të Astirit tek Unaza e Re. Banorët u mblodhën për të protestuar si zakonisht në orën 17:00 duke bllokuar rrugën në të dyja akset e saj për më shumë se një orë.

Ndaj bllokimit të rrugës, kanë reaguar drejtuesit e mjeteve, të cilët prej disa minutash i kanë rënë borive duke kërkuar lirimin e rrugës nga protestuesit. 

Lulzim Basha në mbështetje të protestës së banorëve të Astirit 

Në mbështetje të banorëve, ka qënë kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe deputetë të tjerë nga PD-ja dhe nga LSI-ja. Në fjalën e tij, Basha ka denoncuar faktin që ndaj banorëve sipas tij po ushtrohet terror psikologjik.                  

Protesta e banorëve të Astirit është mbështetur nga Partia Demokratike dhe kryetari Lulzim Basha prej disa ditësh. Banorët kundërshtojnë ndërtimin e Unazës së Madhe të Tiranës, pasi sipas tyre ky projekt prek shtëpitë e tyre. ARRSH ka sqaruar se banesat për të cilat kundërshtojnë banorët janë të palegalizuara, ndërkohë që Bashkia Tiranë ka ofruar zgjidhje për ta, bonusin e qirasë dhe strehimin nëpër banesa sociale. Protesta zhvillohet në një kohë kur IKMT vazhdon shembjen e banesave dhe pastrimin e zonës për të bërë të mundur nisjen e punimeve.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:17
Mbyllet protesta tek Unaza e Re, pas një ore banorët zhbllokojnë rrugën

Banorët e zonës së Unazës së Re kanë hapur rrugën që kishin bllokuar prej më shumë se një ore. Tashmë është kthyer në traditë që banorët mblidhen çdo ditë në orën 17:00 dhe për një orë bllokojnë rrugën në shenjë revolte në prishje të shtëpive të tyre.

Ora 17:48
Drejtuesit e mjeteve kundër protestës tek Astiri, kërkojnë lirimin e rrugës duke i rënë borive

Drejtuesit e mjeteve prej disa minutash i bien borive të makinave të tyre, si shenjë kundër bllokimit të rrugës nga banorët e zonës së Astirit. Protestuesit kanë bllokuar dy akset e rrugëve duke e bërë të pamundur kalimin e automjeteve private dhe as të atyre të transportit publik. 

Ora 17:39
Përveç Bashës, në mbështetje të banorëve të Unazës së Madhe dhe deputetë të opozitës

Në mbështetje të protestës së banorëve të Astirit përvec kreut të PD-së, Lulzim Basha kanë dalë edhe shumë deputetë të opozitës. Bëhet fjalë për deputetët: Ervin Salianji, Kejdi Mehmetaj, Valentina Duka, Luçiano Boçi, Nora Malaj, Aldo Bumçi etj.

Ora 17:23
Lulzim Basha: Ndaj banorëve të Astirit po ushtrohet terror psikologjik, persona me profil kriminal shkojnë shtëpi më shtëpi

Kreu i PD-së, Lulzim Basha i pranishëm në protestën e Astirit, ka rikonfirmuar mbështetjen e tij ndaj banorëve të Unazës së Re.

Në pronocimin e tij për mediat, Basha është shprehur se deputetët e opozitës nuk do ti lënë vetëm qytetarët, duke denoncuar edhe kërcënimet e vazhdueshme që ata kanë marrë.

Ndaj banorëve po ushtrohet terror psikologjik, ata marrin telefonata kërcënuese. Banorët thonë që persona me profil kriminal shkojnë shtëpi më shtëpi për të joshur apo frikësuar banorët që të tërhiqen nga protesta. Ka vetëm një zgjidhje, anulimi i këtij projekti, hetimi i tij dhe nxjerra para drejtësisë e personave përgjegjës.  

Lulzim Basha, kreu i PD-së

Ora 17:12
Protesta tek Astiri, banorët bllokojnë dy akset e rrugës

Banorët e zonës së Astirit kanë bllokuar sërish të dy akset e rrugës gjatë protestës që po zhvillojnë ditën e sotme në zonën e Unazës së Madhe. 

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Tentoi të vriste 47 vjeçarin në Fier, arrestohet pas 3 vitesh

Tentoi të vriste 47 vjeçarin në Fier, arrestohet pas 3 vitesh