/ATSH/- Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto inspektoi të premten qendrën e rinovimit te vagonëve për trenin e ri që do të operojë në linjën Durrës-Tiranë.
Haxhinasto ka ndaluar në bazën e riparimit të vagonëve dhe lokomotivave në zonën e plazhit, aty ku me fonde të hekurudhës shqiptare po kryhet rinovimi total i 12 vagonëve dhe i një lokomotive.
Pasi ka parë nga afër punën që po bëhet me riparimin e vagonëve të vjetër, ministri Haxhinasto tha se," transporti hekurudhor i pasagjerëve dhe mallrave është gjithmonë në qendër të vëmendjes, pasi ai është një sektor me mjaft rëndësi duke qenë se rrugët dëmtohen shpejt për shkak të trafikut".
Ministri Haxhinasto theksoi se ka ndikuar negativisht nxjerrja jashtë përdorimi e stacionit të trenit në qytetin e Tiarës, duke ulur me 50 për qind numrin e pasagjerëve që udhëtojnë me trena.
Ai ka shtuar se jemi dakord që të ndërtohet stacioni multimodal në Kashar, por duhet që edhe qyteti i Tiranës të ketë stacionin e trenit për nevojat e popullatës.
Ministria e Transporteve zhvilloi  bisedime me operatorë vendas dhe të huaj për dhënien me koncesion të linjave të ndryshme hekurudhore, me qëllim që të mirëmbahen dhe të jenë në funksion të plotë të gjithë akset hekurudhore.
Bashkë me punën për rinovimin e vagonëve, ministri është njohur edhe me logon e re të hekurudhës, e cila do të jetë tani e tutje e vendosur në të gjithë infrastrukturën e saj.
Fondi për rinovimin e një vagoni është 25 milionë lekë dhe është siguruar nga të ardhurat e hekurudhës shqiptare.