Riorganizimi i sistemit gjyqësor në vitin 1925

Riorganizimi i sistemit gjyqësor në vitin 1925

Tirana 1925

Ndryshimi i formës së regjimit dhe rrethanat e reja që u krijuan brenda vendit shtruan nevojën e rishikimit të legjislacionit mbi organizimin e gjykatave. Ligji për riorganizimin e gjykatave e të drejtësisë kaloi nëpërmjet një procesi të gjatë konsultimesh dhe diskutimesh nga specialistët më të mirë që kishte vendi, si dhe nëpër të gjitha hallkat e parashikuara në Kushtetutë.

Në mënyrë të veçantë një kontribut të madh për hartimin e këtij ligji dha Këshilli i Drejtësisë. Kjo vihet re edhe nga sugjerimet, siç ishte për shembull ai lidhur me zhurinë. Sipas Këshillit, ky institucion ishte tipar i popujve të qytetëruar dhe traditë e hershme popullit shqiptarë. Në Gegëri dhe në Toskëri institucioni i zhurisë ishte një praktikë e njohur dhe aplikative në jetën e përditshme të fshatarit shqiptarë. Pleqësia në sytë e popullit tonë konsiderohej si një organ me kredibilitet po aq të madh sa ç`ishte sovraniteti i shtetit. Prandaj, sipas Këshillit të Drejtësisë, zhuria duhej të ishte pjesë e domosdoshme e sistemit gjyqësorë shqiptarë. Por një aspekt tjetër po aq i rëndësishëm i këtij institucioni ishte edhe fakti se ekzistenca e tij ulte ndjeshëm propabilitetin e korrupsionit në sistemin gjyqësorë. Kjo i vinte gjykatësit para përgjegjësisë dhe kontrollit për zbatimin me rigorozitet të ligjeve dhe Kushtetutës.

Këshilli shihte me sy kritik edhe një tendencë që shfaqte ligji për kufizimin e korresponencës së prokurorëve me administratën, duke e vendosur atë nën kontrollin e Ministrisë së Drejtësisë. Kjo, sipas Këshillit, cenonte deri diku lirinë e nevojshme që prokurorët e vendit duhej të kishin për të përmbushur me suskses detyrën gjatë hetimeve. Mendime të vlefshme Këshilli dha edhe për rastet e penalizimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve nga Gjykata e Diktimit, si autoritet suprem i sistemit gjyqësor shqiptarë.

Nga dokumentacioni i kohës konstatohet lehtësisht se riorganizimi i sistemit gjyqësor erdhi edhe si nevojë e kërkesave të paraqitura nga organet e administratës lokale. Kështu, zëvendësprefekti i Dibrës i shkruante Ministrisë së Drejtësisë mbi vështirësitë e qarkut në fjalë, që vinin për shkak të mungesës së gjykatave të nevojshme për shqyrtimin e padive civile. Ai sillte si rast konkret atë të një fshatari të Gurës së Madhe, i cili për të zgjidhur një mosmarrëveshje, duhej të shkonte në qendrën e Prefekturës. Prandaj, nënpunësi i lartpërmendur kërkonte nga Ministria e Drejtësisë reformimin e Gjykatës së Paqit në Mat, për shkak se ky rreth kishte një sipërfaqe shumë të gjerë dhe një popullsi që arrinte në 30.000 banorë. Kjo u bë me miratimin e “Ligjit për riorganizimin e gjykatave e të drejtësisë” datë 2.5.1925. Me anë të këtij ligji u bë përshkallëzimi dhe riorganizimi i sistemit gjyqësor dhe përcaktimi i kompetencave të gjykatës. Aty jepeshin format dhe shkallët e organizimit gjyqësor. Sipas ligjit të ri, Gjykatat e Shkallës së Parë do krijoheshin pranë çdo nënprefekture e prefekture dhe do gjykonin çështjet civile e tregtare; gabimet e deliktet. Gjykatat e Apelit do ngriheshin në çdo prefekturë dhe do gjykonin çështjet e ankimuara nga Gjykatat e Paqit, madje mund të gjykonin dhe si gjykatë e shkallës së parë. Ligji parashikonte edhe ngritjen e Gjykatës së Diktimit, me qendër në Tiranë, që do gjykonte e ndarë në dy degë, civile dhe penale. Gjithashtu, ligji sanksiononte edhe Gjykatat Fetare që merreshin me zgjidhjen e një numri shumë të kufizuar çështjesh.

Veç kësaj, u parashikua juria në çështjet penale, duke u përpjekur që t’i jepej një pamje demokratike pushtetit gjyqësor, duke bërë pjesë të tij dhe të drejtën zakonore. Në ligj përcaktohej qartë edhe personeli i gjykatave (gjyqtarë, ndihmësgjyqtarë, prokurorë) në përputhje me ngarkesën që ato do të kishin sipas qarqeve.

Një risi tjetër e ligjit për riorganizimin e gjykatave është përcaktimi i kritereve dhe cilësive personale që duhej të përmbushnin kandidatët për t`u bërë gjyqtarë e prokurorë. Sipas ligjit në fjalë ata duhej të ishin nënshtetas shqiptarë; të kishin mbushur moshën 25 vjeç; të shkruanin dhe të lexonin qartë gjuhën shqipe; të kishin mbaruar universitetin e drejtësisë ose të kishin ushtruar për dhjetë vite profesionin e gjyqtarit ose avokatit; të mos ishte i veshur me rroba fetare; të mos kishin famë të keqe dhe të gëzonin cilësi morale; të mos ishte i gjykuar e dënuar për krime; të gëzonte të drejtat politike si të gjithë qytetarët e tjerë; të mos ishte i pushuar nga puna për shkelje të disiplinës etj. Ata persona që kishin mbaruar fakultetin e drejtësisë dhe dëshironin të punonin si gjyqtarë, duhej që paraprakisht të kishin fituar një eksperiencë pune dy vjeçare si avokatë ose si nënpunës të këtij sistemi. Kjo tregon se për rekrutimin e personelit në sistemin gjyqësorë ekzistonin parakushte, të cilat ndikonin në rritjen e cilësisë së tyre, duke shmangur pjesën ambiciozëve të pakualifikuar.

Ligji parashikonte edhe një afat kohorë trevjeçarë për shkallën e kualifikimit dhe kapërcimin e gjyqtarëve nga një gradë tek një tjetër. Planifikimi i karrierës së personelit ndiqte kështu të gjitha etapat e domosdoshme. Ai u krijonte mundësinë të gjithë atyre avokatëve që kishin arsimin e lartë përkatës, përvojën dhe cilësitë e duhura morale, që të merrnin pjesë në procesin e rekrutimit të gjyqtarëve. Madje, në ligj parashikoheshin edhe masa penalizuese për ata avokatë të cilëve posti i gjyqtarit i propozohej nga shteti dhe nuk pranonin, duke iu hequr licenca për mos ushtrimin e profesionit nga 6 muaj deri në 2 vjet.

Mbulimi i territorit të vendit me shërbimin gjyqësorë do t`i vinte në ndihmë banorëve, të cilët edhe për mosmarrëveshje të vogla niseshin në qendrat e Prefekturave dhe nënprefekturave. Vonesa e zgjidhjes së këtyre konflikteve shkaktonte konflikte të reja, duke agravuar situatën dhe prishur qetësinë publike. Prandaj, penalizimi i atyre avokatëve që kishin mbaruar fakultetin juridik dhe që nuk pranonin të rekrutoheshin në sistemin gjyqësorë ishte më tepër një zgjedhje e imponuar se sa një dëshirë e shtetit shqiptar.

Kandidatët për gjyqtarë zgjidheshin nga një komision i posaçëm, i cili emrat e fituesve ia propozonte Ministrisë së Drejtësisë. Ndërsa kjo e fundit pasi i miratonte ia dërgonte ato Presidentit të Republikës për t`i dekretuar. Gjyqtarët mund të largoheshin nga detyra vetëm me vendim të formës së prerë kur konstatohej shkelje në proceset gjyqësore ose në rastet kur kryenin vepra penale që binin në kundërshtim me detyrën që mbanin.

Në rastet kur gjysma ose më shumë se sa gjysma e proceseve të gjykuara nga ana e tyre hidheshin poshtë nga gjykatat e shkallëve më të larta, atëherë Ministria e Drejtësisë merrte masa duke e përjashtuar atë nga sistemi gjyqësorë. Kjo tregon se gjyqtarët automatikisht ishin nën një monitorim të vazhdueshëm. Rezultati i vendimeve të dhëna prej tyre çertifikohej nga vetë sistemi gjyqësorë. Prandaj, ata ishin të detyruar dhe të interesuar që të jepnin vendime objektive, në përputhje me ligjet e shtetit shqiptar.

Organizimi i gjykatave në mbarë vendin ishte një përpjekje serioze e shtetit shqiptar. Megjith mungesat e shumta në infrastukturë dhe personel, shërbimi gjyqësorë u zhvillua ndjeshëm. Ai u shtri pothuajse në çdo qytet të Shqipërisë, duke i mundësuar qytetarëve dhe fshatarëve që problemet t`i zgjidhnin sa më afër shtëpive të tyre dhe sa shpejt që të ishte e mundur.

G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Tragjedi në Brazil/ Shembet ura, 2 të vdekur dhe dhjetëra të tjerë të zhdukur

Tragjedi në Brazil/ Shembet ura, 2 të vdekur dhe dhjetëra të tjerë të zhdukur