Kryeministri Edi Rama thotë se do të ketë një risi gjatë mandatit të katërt, një paqe fiskale të negociuar me biznesin Sipas tij, për tre vite, bizneset do të paguajnë një tatim prej 15% mbi fitimin e përputhur me normën e rritjes ekonomike, ndërsa për çdo fitim shtesë mbi këtë normë, tatimi do të jetë vetëm 5%. Në këmbim, inspektimet dhe kontrollet tatimore do të ndërpriten, duke synuar formalizimin e të ardhurave të padeklaruara.
“Biznesi i vogël vuante një taksim të dyfishtë dhe duke u nisur nga një xhiro prej 55 mijë eurosh paguante 10% taksë, 20 % TVSH, njësoj si biznes i madh, s'kishte asnjë dallim. Një furrë buke paguante sa 15 katëshi, njësoj. Ne jo vetëm zeruam taksën, po dhe e rritëm nga 55 në 140 mijë euro, tavanin e xhiros vjetore që llogaritesh biznes i vogël dhe e hoqëm TVSH për gjithë biznesin e vogël, me një xhiro deri në 100 mijë euro. Ky regjim e kemi premtuar dhe do ta mbajmë edhe në mandatin e katërt do të mbetet i pandryshuar.
![]()
Deri në 2029, Shqipëria do të vazhdojë të jetë, jo vetëm i vetmi vend me zero taksë për biznesin e vogël në rajon, por dhe vendi me nivelin më të ulët absolut të taksave në rajon për të punësuarit, ku 93% e të gjithë atyre që marrin një pagë në Republikën e Shqipërisë paguajnë më pak se 10% nga pagat.
I pandryshuar do të mbetet regjimi i taksës 15% për biznesin e madh, por mandati i katërt do të ketë një risi. Në mandatin e katërt ne do të kemi një paqe fiskale të negociuar me biznesin, një instrument i njohur qysh në kohëra shumë të vjetra, të cilën latinët e quanin Pax Fiscalis Cum Negotiis.
Më pëlqen shumë kjo ide dhe do t'i propozojmë biznesit, qysh në qershor një marrëveshje paqeje të negociuar fiskale për një periudhë 3 vjeçare, ku 15 % i tatimit do të paguhet mbi fitimin e përputhur me normën e rritjes ekonomike, ndërsa për çdo fitim shtesë që biznesi do të deklarojë mbi atë normë, do të tatohet vetëm 5%.
Kjo është një paqe që nënkupton edhe fundin e çdo lloj inspektimi tek biznesi, të çdo lloj kontrolli dhe të çdo lloj minuti të harxhuar për kontrolle bazuar mbi një marrëveshje paqeje, por kjo do të nxjerrë në dritë edhe shumë të ardhura të padeklaruara për arsyet që i dimë që biznesi nuk i ka deklaruar veç faktikisht hyn edhe tek një sërë borxhesh e historisë që as nuk kanë për t'i paguar kurrë po të duash”, tha Rama.
Lajmi kryesor:
Rama shpalos programin: Nga janari 2026, paga minimale 500 euro, pensioni minimal 200 euro! ‘Kryepremtimi’ i PS: 'Paqe fiskale' me biznesin për 3 vite (VIDEO)
SI.E./E.H/Shqiptarja.com

