Rithemelimi kritikon fjalën e ambasadorit shqiptar në Londër: Foli si të ishte diplomat i Enver Hoxhës, fajësoi qeverinë britanike

Rithemelimi ka kritikuar deklaratën e bërë nga ambasadori shqiptar në Britaninë e Madhe, Qirjako Qirko i cili u kërkoi deputetëve britanikë që t’i jepnin fund fushatës së diskriminimit ndaj shtetasve shqiptarë pasi situatën po e vuanin fëmijët të cilët bullizoheshin në shkolla. 

Nëpërmjet një deklarate për shtyp, zëdhënesja e Rithemelimit, Floriana Garo tha se Qirko foli sikur të ishte ambasador i Enver Hoxhës duke u përpjekur të shfajësonte qeverinë shqiptare për t’ja lënë fajin asaj britanike. 

“Diplomati foli sikur të ishte ambasador i Enver Hoxhës. Ai nuk ishte në gjendje t’i përgjigjej shumicës së pyetjeve të parlamentarëve.  Të vetmet herë që përgjigjej, ai ashtu si shefi i tij në Tiranë, shfajësonte qeverinë e vet dhe fajësonte vendin pritës, Britaninë e Madhe. Ambasadori ia hidhte fajin sa qeverive të huaja, dhe sa shqiptarëve nga trojet etnike në Ballkan duke përdorur një tezë të Sajmir Tahirit para disa vitesh se ata që emigrojnë në Gjermani janë shqiptarë të Greqisë”-tha Garo. 

Më tej ajo shtoi se ambasadori shqiptar ishte dorëzuar para ligjvënësve britanikë duke pranuar se qeveria shqiptare do ta mbështeste deportimin dhe riatdhesimin e emigrantëve shqiptarë. 

“I dorëzuar para pyetjeve të ligjvënësve britanikë, ai e pranoi se qeveria shqiptare do ta mbështeste një plan depërtimi dhe riatdhesimi të emigrantëve shqiptarë, duke i hedhur ata dy herë në det. Një herë duke i përzënë nga vendi amë, dhe të dytën nga vendi pritës. Në përpjekje për të mbuluar të vërtetën, për të pranuar se Shqipëria ka një problem që lidhet me qeverisjen, të cilën ai përfaqëson, zotëria në fjalë e bëri veten të duket si një nxënës filloreje, që i ngritur në dërrasë të zezë nuk e di mësimin”-shtoi zëdhënësja e Rithemelimit.
 

Ditën e djeshme, ambasadori shqiptar kërkoi që të ndalohej ajo që ai e quajti “fushatë diskriminimi” ndaj shqiptarëve pasi mes emigrantëve që ndodheshin në Britaninë e Madhe kishte profesionistë nga të gjitha fushat, si në inxhineri ashtu edhe në mjekësi.

Shqiptarët përbëjnë mbi 1/3 e 33,000 emigrantëve që mbërritën në nëntë muajt e parë të këtij viti me gomone. Qeveria britanie është nën presion të madh nga deputetët konservatorë për t'u marrë me çështjen e trafikantëve të njerëzve që përdorin gomone për të transportuar emigrantët përtej Kanalit të La Manshit.

B.V/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Kopetenti: 08/12/2022 17:12

    Ç'punë ka rithemelimi me Britaninë e Madhe. Ore nuk e kuptoni "jeni non-grata", që do të thotë të padëshiruar për Britaninë e madhe. Nuk ju duan o të trashë merrni vesh apo jo.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Putin: Ne duam t'i japim fund luftës, jo thjesht ta ngrijmë atë! Negociatat? Në Sllovaki

Putin: Ne duam t'i japim fund luftës, jo thjesht ta ngrijmë atë! Negociatat? Në Sllovaki