Është një shfaqje tepër e njohur për fëmijët e viteve ’80-të e që tashmë do të rivihet në skenën e Teatrit të Kukullave në një mënyrë të re.
“Zemërimi i shkronjave”, krijuar në vitin 1981, është e para shfaqje e përzgjedhur si pjesë e projektit “Marionetat e Trashëgimisë” të mbështetur nga programi EU4Culture, e që synon të risjellë e t’u japë sërish jetë shfaqjeve klasike të Teatrit të Kukullave.
“Sigurisht, ajo do të risillet në një formë ndryshe, e përditësuar, për t’i ndërgjegjësuar fëmijët pak edhe për alfabetin dhe gjuhën shqipe dhe për t’i larguar njëçikë nga teknologjia. Shfaqja nuk mud të vijë me kukullat e dikurshme se ajo që ka vite që është vënë në skenë. Të gjitha kukullat do të prodhohen enkas për shfaqjen.”, - thotë Melsi Qirici, drejtore e Teatrit të Kukullave.
![]()
Kukullat fëmijë dhe shkronjat do të ngjiten në skenë për të vegjlit, duke ndarë në dy kore gazmore në luftë me njëri-tjetrin, zanoret dhe bashkëtingëlloret, ndërkohë që kushtet teknologjike e lejojnë të eksperimentohet edhe me skenografinë. Shfaqja do të vijë edhe me rishikim të tekstit, i cili bashkë me regjinë i është besuar Endri Çelës.
“Përveç përgjegjës edhe kënaqësi, që jam i pari, i cili ka marrë përsipër ringritjen e një vepre, që ka pasur sukses të madh në të shkuarën e që e sjell në mënyrë moderne. Është një tekst që sado sukses të ketë patur ka nevojë për rifreskim, sepse flasim për në kohën e sotme. Nëse më parë gabohej vetëm të përdormi i një ë-je, një ë e shtuar më shumë apo një ë e hequr, sot problemet në artikulim, në gjuhën e folur të fëmijëve janë më të mëdha se kaq. Teksti po plotësohet dhe rifreskohet me elementë të ditëve të sotme.”, - thotë Endri Çela.
Rikthimi i shfaqjes “Zemërimi i shkronjave” çel fillimin e një pune më të gjerë në këtë drejtim, pasi të paktën njëherë në vit, fëmijët do të kenë mundësi të shijojnë shfaqjet e vjetra të Teatrit të Kukullave të risjella në kohë. Ndërkaq, fëmijët por edhe të rriturit shumë shpejt do të kenë mundësi të njihen edhe me historinë 75-vjeçare të teatrit, e cila do të bëhet e mundur falë muzealizimit të godinës.
B.G/r.k./Shqiptarja.comKomente

