Ai shkroi në heshtje, pa ia treguar askujt librat e tij, të cilët dolën në dritë vetëm pas ndarjes së tij nga jeta, në vitin 1993 dhe kur regjimi komunist kishte rënë.

Bëhet fjalë për Robert Priftin, një intelektual i veçantë, që bën pjesë në atë që quhet “letërsi e sirtarëve” apo “letërsi e fshehur”, e cila për këtë arsye ka mbetur edhe e panjohur.

Sot, vepra e tij vjen e botuar nën përkujdesjen e të birit, Edgar Prifti, ndërsa ai përkujtohet në 100-vjetorin e lindjes.

Robert Prifti është ndoshta më i voni nga të gjithë autorët e sirtarit, që po bëhet i njohur. Robert Prifti shfaqet sot në botë për fat të mirë si një autor me një krijimtari të veçantë, e cila është formuar nën këtë atmosferë të ashpër politike sikurse e përshkruam dhe sociale si një rast i pangjashëm me të tjerët me dy pseudonime me shkrim në gjuhë të huaj. Si pikla të vogla i kemi të gjitha aty. Ishte lëvrues i romanit tregimit të poezisë në një volum të madh dorëshkrimesh për të shpërfaqur ide që ishin rreptësisht të ndaluara nën diktaturë, në një censurë që ishte në fakt një centaur i vërtetë”, thotë studiuesja Viola Isufaj.

“Historia e letërsisë shqipe ë ka shumë për të thënë, sidomos për sa i përket të shkuarës, kur kthehemi në pas edhe shohim kontributin që Robert Prifti ka thënë, mënyrën se si ai ka shkruar, mënyrën e tij të punës, ë tekstet e tij, kulturën e gjërë që përcjellin këto tekste. Sigurisht që janë një vlerë, janë një vlerë e shtuar dhe që e pasurojnë jo vetëm botimet për sa i përket para viteve ’90-të, por edhe botimet e këtyre viteve, pikërisht me këtë pasuri të madhe gjuhësore që ky autor ka.”,- thotë Alda Bardhyli, drejtuese e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, që organizoi edhe aktivitetin në Qendrën “Sotir Kolea” të Bibliotekës Kombëtare.

Spartak Topollaj, ish nxënës i Robert Priftit ndau me të pranishmit kujtimet e tij.

“Ne ishim nxënës në gjimnazin ‘Ismail Qemali’, në ato kufijtë mes adoleshencës dhe rinisë dhe ishim në gjendje të kuptonim dhe të dallonim edhe profesorët. I donim dhe i respektonim pothuajse të gjithë, edhe ndonjë që nuk na pëlqente në kuptimin e lëndës. Sepse unë, përshembull isha i predispozuar më shumë për lëndët shoqërore, ndërsa matematikën e fizikën nuk është se i kisha qejf, por kiminë ma bëri shumë të dashur profesor Roberti.”

Robert Prifti ishte një ndër intelektualë më të veçantë shqiptarë: poliglot, njohës i 8 gjuhëve të huaja dhe kimist me profesion. Përgjatë viteve të diktaturës ai u njoh si mësues i disa lëndëve shkencore, si dhe i gjuhëve të huaja. Por në më shumë se 4 dekada të diktaturës, gjatë të cilave ai jetoi, shkroi një varg veprash në prozë dhe poezi, të gjitha në gjuhën italiane, vepra për të cilat nuk kishte njohuri as familja e tij.