Në Shqipëri, çadra ka një funksion që shkon përtej spektaklit politik, ajo është një hapësirë ku opozita mund të shfryjë frustrimin, të mobilizojë mbështetësit fanatikë dhe të prodhojë presion simbolik mbi qeverinë. Por kjo shfryrje kolektive dhe mobilizim fanatikësh rreth çadrës nuk janë të mjaftueshëm për të ndërtuar alternativë qeverisëse ato thjeshtë kanë forcë simbolike me efekt të përkohshëm.
Ky leksion vjen nga produkti politik i siguruar nëpërmjet këtij mekanizmi nga PS në 2010, PD në 2017 dhe nuk mjaftojnë këto dy raste por shtohet edhe një tjetër ai së fundmi i Shqipëria bëhet. Eksperienca e mëparshme ka treguar se çadra si mjet për të tërhequr vëmendje mediatike dhe për të treguar se “po ndodh diçka”, më së shumti ka ushqyer mediat me lajme, ka shpërqendruar opinionin publik nga vendimet e qeverisë dhe ka eklipsuar aftësinë e partive të tjera opozitare për të prezantuar një alternativë më atraktive opozitare duke patur një rezultat të përkohshëm aspak substancial.
Fenomeni i përsëritjes së gabimeve nga parti që pretendojnë në publik se janë të ndryshëm nga establishmenti i vjetër politikë tregojnë se kanë jo vetëm të njëjtin mendësi por edhe varfëri në gjetje mekanizmash për tu bërë parti konkurruese duke i imponuar publikut një cikël të pafund të shfryrjes kolektive pa rezultat politik.
Çadra, pa alternativa reale, bëhet një mekanizëm shpërqendrimi ku vëmendja mediatike kalon tek folësi i fundin i çadrës sesa te SPAK dhe aksionet e premtuara të PD eklipsohen nga zhurma pa produkt i çadrës së ngritur nga një parti pa mbështetës më.
Eksperienca e mëparshme ka treguar se vetëm kombinimi i veprimeve simbolike me ndërtimin e alternativës qeverisëse, ekipe kompetente, lidership të besueshëm dhe kredibilitet moral mund të prodhojë rezultat dhe të kthejë shfryrjen kolektive në mobilizim për rrëzimin e qeverisë.
Në fund, morali është i thjeshtë, por filozofikisht i rëndësishëm, çadra nuk është një mjet i keq, por përdorimi i saj i vetëm, pa veprime reale dhe strategji për ndërtimin e alternativës, shndërrohet në një cikël dështimi, një iluzion i përsëritur dhe një “zhgënjim” për publikun që sheh vetëm spektaklin, por jo strategjinë sesi do jetë nesër qeverisja.
Vetëm ai që kupton se simbolika duhet të alternohet me veprime konkrete dhe lidership të aftë mund të përdorë çadrën si instrument, dhe jo si skenë që shpërqendron vëmendjen dhe eklipson veprimet e partive të mëdha opozitare./Javanews
Komente







