Romani policor i tranzicionit dhe telenovela e komunizmit

Romani policor i tranzicionit dhe telenovela e komunizmit

Nëse do të bëhej një vështrim i shpejtë për personazhin me të cilin është marrë më shumë media shqiptare nga viti ’90 e deri më sot, ai është Mehmet Shehu. Pra, për afro 30 vjet, emri i tij dhe bëmat, gjithashtu, vetëvrasja dhe krimet, janë përmendur rreth 131 400 herë nëse do të shumëzojmë 30 vjet me 12 muaj dhe atë që del nga kjo me 360 ditë jo 365. Nuk besoj se mund të ketë tjetër personazh historik në botë që të jetë përmendur ose që të ketë siguruar pavdekësinë ashtu si Mehmet Shehu. Në anën tjetër, teksti i diktaturës ose romani i saj është mbajtur gjallë nga Nexhmije Hoxha, e cila jo vetëm që ka qenë aktive në shtyp, por me botimet e saj të fundit, është bërë përsëri personazh qëndror i medies. Kjo fenomenologji e diktaturës e mbartur në personazhet kyç të saj, pra në figurën e Mehmet Shehut dhe të Nexhmije Hoxhës, zotëron narrativën e tranzicionit shqiptar dhe duket se nuk mund ta sfidojë askush tjetër. Në anën përballë saj, një narrativë tjetër ka mbuluar si re e zezë ligjërimin publik shqiptar dhe ky është romani policor që ka si autor pothujse të gjithë ata që janë padronë të një studioeje ose gazetarët e shumtë që tani i paraqiten publikut jo si kronistë, por si fallxhorë dhe si prokurorë regjimesh që nëpër studio televizive zbulojnë grupe, kriminelë dhe bëjnë aluzione nga më të sofistikuarat për lidhje transversale dhe horizontale kriminelësh aq sa të duket se Pablo Eskobar paska qenë një fëmijë kërthi, përballë heronjve të botës së krimit që na vizatojnë gazetarët shqiptarë nëpër studio televizive.

Kështu, si për ta përmbyllur këtë panoramë edhe kryeministri ynë poston video me trupa speciale që do të vënë përpara e do të shkrijnë krimin që mesa duket po na marrka frymën të gjithëve. As më shumë e as më pak, po në këtë vend të paraqitur kështu prej mediave, të duket se ne të gjithë flejmë nëpër bunkera , dalim nëpër rrugë me kallashnikovë, shkojmë në bare apo në markete me maska dhe para se të hyjmë në shtëpi vrasim nja dy a tre komshinj e pastaj shtrohemi të hamë.

Janari është muaji më i pavaforshëm për të folur për krimin sepse ai ka dhe një datë që shënohet me numrin 21. Në këtë datë të gjitha mediet bëjnë kujdes që të ftojnë në studio heroin e asaj ditë të largët që u përsërit shqiptarëve çdo vit se unë, Sali Ramë Berisha, nuk jam penduar që kam vrarë katër veta në Bulevard, madje do ta kisha vrarë edhe Edi Ramën po të më ishte afruar poshtë dritares.

Të gjendur përballë këtij rrethimi mediatik shqiptarët e kanë të vështirë të ndajnë tani afërinë e tyre për personazhet q ë u shfaqen nga narrativa e kësaj kohe. Nexhmije Hoxha u rrëfen për idealet e pastra të komunizmit dhe për arsyen e thellë se përse Enveri vrau njerëz dhe eleminoi shokët e tij. Mehmet Shehu na vizatohet pak simpatik sepse paska qenë edhe agjent i sovjetikëve, por edhe agjent i amerikanëve më shumë. Ndërkaq mbledhjet e Byrosë Politike paraqiten në shtyp si romanet politike të shekullit dhe në to fraza banale burokratësh e vrasësish mbushen me misterin e kohës së largët kur nderi dhe heroizmi proletar ishin virtytete shqiptare që çudisnin botën. Vendin e kësaj bote të largët e zënë menjëherë rrëfimet plot afsh të Berishës për vrasjet në Bulevard dhe për privatizimin brilant që ai së bashku me të birin i bënë energjisë elektrike të shqiptarëve të mjerë. Shypi flet për vila pushtetarësh dhe për parajsën e Gjirit të Lalsit, ndërsa Nexhmija shkruan për krimet e diktaturës me sinqeritetin e atij që ka vrarë në emër të një ideali. Me një ndryshim që vila e saj në Bllok është bërë Muze dhe vend pelegrinazhi për të huajt. Tani ajo shkruan nga një banesë në periferi dhe beson përsëri te ideaet e saj që realizoheshin vetëm po të vrisje kundërshtarët politikë. Vilat e politikanëve të tanishëm dhe parajsa e Gjirit të Lalsit qëndrojnë si dekor në shfaqjen heronjve të tranzicionit të cilët, për të treguar krimet e komunizmit, u dëftejnë turistëve vilën e Enver Hoxhës në Bllok.

Shqiptarët e kanë humbur orientimin semiologjik dhe tani po rritet një brez që ka filluar të ketë të njëjtin kuptim si për heronjtë e medieve shqiptare, Mehmet Shehun dhe Nexhmije Hoxhën, ashtu dhe për heroin e tranzicionit shqiptar atentatorin e shquar Sali Ramë Berisha.

Një komb që nuk arrin të tregojë dhe të shkruajë siç duhet historinë dhe jetën e tij është një turmë e mjerë që heq dorë nga roli si aktor në jetën e vet dhe shndërrohet në një spektator vanitoz që mbllaçit fara dhe sheh telenovelat turke.

B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Emri: 02/02/2020 23:19

    studentet e universitetit te Elbasanit i dine akoma bemat e tua Ilir. A do dalin ne media ndonjehere ato?

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Cilat janë përfitimet shëndetësore që vijnë nga konsumimi i çokollatës së zezë

Cilat janë përfitimet shëndetësore që vijnë nga konsumimi i çokollatës së zezë