Romët, 20 shoqata deklaratë:
Paratë e BE nuk kanë shkuar kot

Romët, 20 shoqata deklaratë:<br />Paratë e BE nuk kanë shkuar kot
TIRANË - Njëzet organizata të shoqërisë civile u bëjnë thirrje autoriteteve të zbatojnë të drejtat themelore të njeriut të komunitetit Rom.

Ato kanë kujtuar faktin se prej disa javësh tashmë, mbi dyzet familje nga komuniteti Rom i Tiranës, prej të cilëve 88 fëmijë, janë duke jetuar në strehime të përkohshme në trotuare pas dëbimit nga vendbanimi i tyre joformal, tek ish ndërmarrja e ‘Dekorit’ në Rrugën e Kavajës.

"Ky komunitet gjendet në një situatë tejet delikate, pasi kushtet e tij shëndetësore dhe higjienike përkeqësohen nga dita në ditë. Fëmijët dhe komuniteti në përgjithësi janë të ekspozuar në mënyrë të vazhdueshme ndaj rrezikut të trafikut të rënduar rrugor", thuhet në deklaratë, duke shtuar se "Bashkimi Evropian u ka bërë thirrje autoriteteve për të vepruar", por edhe "pse ka zhurmë në media nuk është bërë asgjë".

Sipas 20 organizatave, 3 milionët e BE-së për projekte për romët nuk kanë shkuar dëm, pasi sipas deklaratës, "këto organizata kanë ofruar shërbime, kanë bërë fushata për të drejtat e Romëve etj", por "kjo nuk është zjgidhje e qëndrueshme", "duhet ndërhyrja e shtetit", si dhe "një lidership i fortë".

JEMI FINANCUAR NGA BE, POR PO PUNOJMË ÇDO DITË ME ROMËT
Organizatat, të cilat janë përmendur se kanë marrë 3 milionë euro projekte nga BE shprehen se "organizatat joqeveritare dhe organizatat që janë financuar nga BE-ja për projekte me qëllim realizimin e të drejtave të njeriut të komunitetit Rom, prej disa vitesh, janë duke punuar çdo ditë me anëtarët e këtij komuniteti".

"Falë punës tonë me dhe për qytetarët Rom, këto organizata i kuptojnë shumë mirë sfidat me të cilat komuniteti Rom përballet çdo ditë: diskriminimin, varfërinë e tejskajshme, kushtet jonjerëzore të jetesës dhe luftën e përditshme për mbijetesë".

Në deklarartë përmendet se "këto organizata kanë ofruar shërbime, kanë bërë fushata për të drejtat e Romëve, kanë punuar shumë për të sjellë ndryshime të qëndrueshme në situatën e tyre, kanë advokuar për gjithëpërfshirjen e fëmijëve Romë në shkolla dhe kanë luftuar për të garantuar që ata të marrin mbështetjen që u nevojitet nga shteti".

"Kemi obuar për alokimin nga ana e qeverisë të burimeve të nevojshme për të garantuar, që Plani Kombëtar i Veprimit për Romët të financohet në mënyrën e duhur".

SHUMË DEBATE NË MEDIA, ASNJË VEPRIM PËR ROMËT
Shumë debate ka pasur në media mbi situatën e patolerueshme me të cilën janë përballur anëtarët e dëbuar të komunitetit Rom, e megjithatë asnjë veprim nuk është ndërmarrë nga autoritetet bashkiake apo ato të qeverisë qendrore për sigurimin e asistencës, shërbimeve apo mbështetjes për këtë komunitet".

ASISTENCA JONË JO ZGJIDHJE E QËNDRUESHME, PËRGJEGJËSIA TE SHTETI
"Organizatat Joqeveritare u kanë ofruar familjeve të dëbuara asistencë të menjëhershme por kjo nuk përbën një zgjidhje të qëndrueshme. Përgjegjësia për ofrimin e asistencës qytetarëve shqiptarë, që kanë nevojë për të, bie pa diskutim mbi shtetin", thuhet më tej në deklaratë. "Komuniteti Rom në fjalë është duke jetuar në kushte të patolerueshme dhe jonjerëzore. Autoritetet bashkiake dhe shtetërore duhet të ndërmarrin veprime të menjëhershme për të gjetur zgjidhje të shpejta dhe për të përmbushur të drejtat themelore të njeriut të këtij komuniteti".

KUDO NË SHQIPËRI ROMËT NË SITUATA SHUMË TË VËSHTIRA
"Kudo në Shqipëri, komunitetet Rome jetojnë në situata sociale dhe ekonomike shumë të vështira. Shteti duhet të caktojë burime njerëzore dhe financiare për t’i garantuar komunitetit Rom barazi dhe përfshirje sociale dhe për të zbatuar plotësisht Planin Kombëtar të Veprimit për Romët. Ky veprim është i nevojshëm jo sepse Shqipëria dëshiron të përmbushë kriteret për hyrjen në BE, por sepse, si një vend me një shoqëri demokratike, ajo duhet të garantojë përmbushjen e të drejtave njerëzore, sociale dhe ekonomike të të gjithë qytetarëve të saj. Anëtarët e komunitetit Rom janë qytetarë shqiptarë si të gjithë të tjerët dhe shteti duhet të mbështesë të drejtat e tyre, t’ju mbrojë dinjitetin, të promovojë barazinë dhe t’u garantojë një strehim të përshtatshëm si dhe kushtet sociale bazë nëpërmjet ofrimit të mbështetjes dhe shërbimeve bazike të nevojshme për ata dhe për të gjithë komunitetet e tjera në nevojë.

NDRYSHIMI AFATGJATË PËR ROMËT ARRIHET ME LIDERSHIP TË FORTË
"Një ndryshim afatgjatë për komunitetin Rom në Shqipëri mund të arrihet me një lidership të fortë nga ana e shtetit. Gjithashtu, nevojitet një bashkëpunim efektiv mes qeverisë vendore dhe qendrore, komuniteteve Rome dhe shoqërisë civile. Organizatat që punojnë me dhe për komunitetet në nevojë në Shqipëri konfirmojnë angazhimin e tyre për të bashkëpunuar plotësisht me autoritetet shtetërore të cilat duhet të ndërmarrin veprime të menjëhershme për t’i bërë të drejtat njerëzore të komuniteteve Rome një realitet".

20 ORGANIZATAT E SHOQËRISË CIVILE QË KANË NËNSHKRUAR DEKLARATËN
1. Koalicioni “Bashkë për Kujdesin Tërësor të Fëmijëve” (BKTF)
2. Save the Children
3. World Vision
4. Terre des Hommes
5. Association for the Social Support of Youth (ARSIS)
6. Roma Active Albania (RAA)
7. Fëmijët e Botës dhe të Shqipërisë (FBSH)
8. European Institute of Tirana
9. Ndihmë për Fëmijët (NPF)
10. Në dobi të Gruas Shqiptare
11. Qendra e Shërbimeve Ligjore dhe Praktikave të Integruara (QSHPLI)
12. Qendra për Kërkim dhe Zhvillim (QKZH)
13. Shoqata Kombëtare Edukim për Jetën (SHKEJ)
14. Tirana Legal Aid Society (TLAS)
15. Tjetër Vizion
16. Volontariato Internazionale per Lo Sviluppo (VIS)
17. Centro Informazione ed Educazione allo Sviluppo (CIES)
18. SOS Fshatrat e Fëmijëve Shqipëri
19. Partnerë për Fëmijët (PPF)
20. Shoqata Kristiane e Grave Shqiptare (YWCA of Albania)

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Qeveria do të zhvillojë Industrinë Ushtarake, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Nis hetimi për Ceo-n e Telegram, jep 5 mln euro për lirimin me kusht! I ndalohet largimi nga Franca

Nis hetimi për Ceo-n e Telegram, jep 5 mln euro për lirimin me kusht! I ndalohet largimi nga Franca