Tre kandidatura janë dorëzuar deri më tani për Prokuror të Përgjithshëm, ndërsa afati i aplikimit përfundon më 1 gusht.  Rovena Zoto, me mbi 15 vite përvojë në sistemin e drejtësisë është e vetmja grua që ka shprehur interes deri më tani, përballë dy kandidatëve të tjerë, Adnan Xholi dhe Ylli Pjetërnikaj.

Prokurori i SPAK, Adnan Xhol ka provuar dy herë për të qenë drejtuesi i Spak, në garën ku fitues dolën Altin Dumani e së fundi Klodian Braho.

Olsjan Çela e mbyll mandatin e tij 7-vjeçar në Prokurorinë e Përgjithshme në dhjetor të vitit 2026, pa të drejtë riemërimi.

Rovena Zoto, hetimi i fundit futi në 'rrjetë' bosin e call centerave mashtrues 

Me një përvojë mbi 15 vjeçare në sistemin e drejtësisë, prokurorja Rovena Zoto (Bozo) dorëzoi në Këshillin e Lartë te Prokurorisë kandidaturën në garën për Prokuror të Përgjithshëm.

Gjatë karrierës së saj, Zoto ka ushtruar detyra në fusha të ndryshme të ndjekjes penale, në dy prej prokurorive më të rëndësishme të vendit, me ngarkesë të lartë, duke u përfshirë në hetimin e çështjeve komplekse dhe në drejtimin e strukturave të prokurorisë.

Rovena Zoto e ka nisur karrierën në Prokurorinë e Lushnjës, e ndalur veçanërisht në hetimin e krimit ekonomiko-financiar, pastrimin e parave, hetimin pasuror dhe vepra që lidhen me financimin e terrorizmit.

Prej vitit 2021, është prokurore në Tiranë, e angazhuar në hetimin e veprave penale që lidhen me narkotikët, trafiqet, dhe krimet e rënda ndaj jetës. 

Prej marsit të këtij viti Rovena Zoto drejton edhe një seksion në  Prokurorinë e Tiranës, atë për Drejtësi Penale për të Miturit.

Së fundi, prokurorja 43-vjecare ishte në krye të një hetimi që në bashkëpunim me partnerët austriakë zbuloi dhe goditi një rrjet call centerash mashtrues në Tiranë, që mendohet tu kenë zhvatur qytetarëve evropianë deri në 50 milionë euro. Një hetim kompleks gati 2-vjecar që vuri para përgjegjësisë penale deri tek bosët që drejtonin skemën, siç ishte Granit Pepnika, i arrestuar në fillim të këtij muaji në një vilë luksoze në Dhërmi.

Në hetimin që ajo drejtoi, Prokuroria e Tiranës në 2024-ën, sekuestroi pasuri me vlerë rreth 50 milionë euro të Kristjan Boçit, Elmban Abules, Vladimir Avramit si dhe 4 personave të tjerë të lidhur me ta, me dyshimin e një skeme të pastrimit të parave me blerje fiktive me vlera jo reale. 

Ajo përfundoi Shkollën e Magjistraturës në vitin 2010. Në vitin 2023 Zoto kaloi me sukses vetingun duke u konfirmuar në detyrë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:55
Ylli Pjetërnikaj hyn në garë për Prokuror të Përgjithshëm, dorëzon kandidaturën në KLP

Prokurori Ylli Pjetërnikaj ka dorëzuar dokumentacionin në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, duke shprehur zyrtarisht interesin për të kandiduar për postin e Prokurorit të Përgjithshëm.

Pjetërnikaj bëhet emri i tretë që hyn në garë për drejtimin e organit qendror të akuzës, pas Adnan Xholit dhe Rovena Zotos. Afati për dorëzimin e kandidaturave përfundon më 1 gusht.

Ylli Pjetërnikaj është prokuror dhe pedagog në Shkollën e Magjistraturës, me gradën akademike Doktor i Shkencave në fushën e së drejtës.

Ai ka ndërtuar një karrierë në prokurori, mësimdhënie dhe kërkim shkencor. Gjatë aktivitetit të tij profesional ka ushtruar detyrën e prokurorit në Kukës, Lezhë, Tiranë dhe Shkodër, ku ka shërbyer edhe si drejtues i Prokurorisë.

Pjetërnikaj është autor dhe bashkautor i disa veprave shkencore në fushën e së drejtës penale dhe është i specializuar në krimin kibernetik përmes programit të Cranfield University, në kuadër të bursës Chevening Ëestern Balkans Cyber Security Felloëship.

Ai është gjithashtu anëtar i Bordit Editorial të International Association of Prosecutors (IAP) dhe i Association Internationale de Droit Pénal (AIDP).