TIRANË- Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar do të përballet në gjyq me gazetarët, por këtë herë jo si dy palë të pabarabarta. Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë ka njoftuar se të hënën do të depozitojë në Gjykatën Kushtetuese kërkesën që kundërshton rregulloren e brendshme të GJKKO-së e konsideruar gjerësisht si censuruese ndaj medias dhe gazetarëve.
AGSH njoftoi se do të kërkojë fillimisht pezullimin e rregullores dhe më pas shfuqizimin e saj si të papajtueshme me kushtetutën për pjesën që i takon medias dhe gazetarëve.
“Të hënën në orën 10:00 Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë do të depozitojë në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për të pezulluar e më pas shpalljen antikushtetuese të rregullores së Gjykatës së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar sa i përket pjesës së mediave dhe gazetarëve”, njofton Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë.
Rregullorja e GJKKO-së ka hyrë në fuqi me 1 shtator ndërsa ajo u publikua në fund të muajit korrik, kur institucionet kishin nisur tanimë pushimet verore.Gazetarët, organizatat e mediave brenda dhe jashtë vendit e kundërshtuan atë ndërsa i bënë fillimisht thirrje GJKKO-së që të shtyjë hyrjen në fuqi dhe që paraprakisht të bëhen konsultime me gazetarët! Por me 1 shtator GJKKO i shpërfilli të gjithë brenda dhe jashtë vendit, kur njoftoi hyrjen në fuqi të rregullores, ndërsa një ditë më parë mbylli dhe grupin në Whatsapp, me te gjithë gazetarët, ku shpërndaheshin njoftimet zyrtare të kësaj gjykate. Një grup i ri është njoftuar s do të hapet, por vetëm me gazetarët e akredituar.
Përmes rregullores së re GJKKO ndalon praninë e gazetarëve në seanca gjyqësore me celularët e tyre, një mjet i domosdoshëm për komunikime në kohë reale me redaksitë e tyre. Praktikisht gazetarët kufizohen të mbajnë shënim vetëm me laps e letër. Atyre nuk u lejohet as rregjistrimi audio i seancës, ndërsa vetë Gjykata refuzon t’ua japë. Prania e kamerave thuajse përjashtohet, në kundërshtim të hapur dhe me një udhëzim të posaçëm të Këshillit të Lartë Gjyqësor.
Pjesa dërrmuese e gazetarëve që përditë ndjekin seancat në këtë gjykatë kanë refuzuar të plotësojnë formularët e propozuar për të marrë akreditimin, ku atyre ju kërkohet deri dhe adresa e banimit. Gjithashtu punonjësit e medias detyrohen që çdo ditë të hartojnë dhjetëra kërkesa për të ndjekur gjyqet të cilat duhen dërguar njëra pas tjetrës në GJKKO 24 orë përpara nisjes së gjyqit!
Organizatat ndërkombëtare të medias e kanë konsideruar Rregulloren e re, si një ndër rregjimet më kufizuese për lirinë e informacionit.










Komente
Komento