Rregullorja e re e Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar e cila censuron punën e gazetarëve po monitorohet dhe nga Bashkimi Europian.

Në një reagim për Report Tv, ndonëse nuk shpreh kritika të drejtpërdrejta për dokumentin, që pritet të hyjë në fuqi më 1 shtator, Delegacioni i BE-së lë të kuptohet qartazi se e sheh atë problematik në raportin që krijon me mediat kur flet për "gjetjen e një ekuilibri të drejtë ndërmjet masave të sigurisë dhe aksesit në informacion dhe transparencës së proceseve gjyqësore, në përputhje me standardet dhe parimet evropiane”.

Delegacioni thotë se në mbështetje të gjetjes së këtij ekuilibri “BE-ja është e gatshme të vijojë të ofrojë ekspertizë të specializuar si për sistemin gjyqësor, ashtu edhe për komunitetin mediatik”.

Në komentet e tij për këtë çështje e cila ka shkaktuar një reagim të fortë kundërshtues nga komuniteti i gazetarëve vendas, por dhe shoqatave ndërkombëtare të mediave, Delegacioni thekson se “BE-ja do të vijojë t’i monitorojë nga afër këto çështje në kuadër të negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE”.

Reagimi i plotë i Delegacionit të BE-së në Shqipëri për Report Tv:

"Bashkimi Europian është në dijeni të një rregulloreje të re të brendshme për sigurinë, rendin dhe rregullat e sjelljes në ambientet e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO), e cila merr parasysh karakteristikat e veçanta organizative, operacionale dhe të sigurisë që lidhen me GJKKO-në dhe proceset gjyqësore të saj.

BE-ja është e gatshme të vijojë të ofrojë ekspertizë të specializuar si për sistemin gjyqësor, ashtu edhe për komunitetin mediatik, në mbështetje të gjetjes së një ekuilibri të drejtë ndërmjet masave të sigurisë dhe aksesit në informacion dhe transparencës së proceseve gjyqësore, në përputhje me standardet dhe parimet evropiane. BE-ja do të vijojë t’i monitorojë nga afër këto çështje në kuadër të negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE".

Një javë më parë, edhe prezenca e OSBE-së në Shqipëri i tha Report tv se po monitoron procesin analizon nga afër situatën. OSBE-ja bëri të ditur po ashtu se do të vlerësojë edhe nëse akti i hartuar nga kryetari në detyrë i GJKKO-së Erion Bani, është ose jo në përputhje me legjislacionin vendas në fuqi dhe angazhimet përkatëse të OSBE-së dhe standardet ndërkombëtare.

Të shqetësuar janë shprehur edhe organizatat ndërkombëtare të mediave.

Reporterët pa Kufij, Federata Evropiane e Gazetarëve dhe Rrjeti Safejournalisht kërkojnë pezullimin e kësaj rregulloreje dhe një analizë dhe konsultim me grupet e interesit përpara se të vihet në zbatim.

Shoqatat shqiptare të gazetarëve kanë reaguar po ashtu duke e kundërshtarur me forcë Rregulloren e GJKKO-së e cila sipas tyre përbën një kufizim të ri të lirisë së mediave dhe të drejtës kushtetuese për informim publik.

Dokumenti i hartuar nga kryetari në detyrë Erion Bani, vendos kufizime dhe ndalime, që praktikisht e ndalojnë mbulimin mediatik të proceseve gjyqësore në këtë Gjykatë. Prania e kamerave bëhet thuajse e pamundur, ndërsa gazetarëve, të cilët duhet të kërkojnë leje për ndjekjen e çdo seance, iu hiqet dhe përdorimi i telefonave celularë, si një mjet pune për transmetimin në kohë reale përmes mesazheve me tekst, të informacioneve nga seancat.