Prokuroria e Posaçme ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar për gjykim dosjen në ngarkim të Altin Hajrit, pronarit të kompleksit “Golden” në Shijak, i akuzuar për pesë vepra penale në lidhje me rrëmbimin dhe më pas zhdukjen e Jan Prengës në 17 janar të vitit 2020. Në ambientet e kompleksit të tij u dërgua Jan Prenga, për të cilin SPAK, bazuar në prova filmike, thotë se e ka të konfirmuar së është vrarë, pavarësisht se gati 3 vite pas ngjarjes nuk ka gjetur kufomën.

Për të njëjtën ngjarje, Gjykata e Posaçme dënoi në 29 shtator të këtij viti me burgim të përjetshëm kopshtarin e kompleksit “Golden”, Festim Bexhdili, i vetmi person i arrestuar, i cili sipas gjykatës ka marrë pjesë në mënyrë direkte në zhdukjen e kufomës.

Festim Bexhdili ka dëshmuar më herët se në datën 17 janar është telefonuar nga Altin Hajri, i dyshuar si një nga personat kryesorë që ka vënë në zbatim planin për rrëmbimin dhe mbajtjes peng të Jan Prengës, për të marrë një trup të pajetë me një furgon të bardhë dhe se është larguar disa kilometra nga resorti. Ai deklaroi se trupin e pajetë ia dorëzoi Altin Hajrit dhe një pjesëtari të familjes Doçi nga Shkodra dhe se më pas nuk ka dijeni se çfarë ka ndodhur, por kjo dëshmi e tij nuk e ka bindur SPAK.

Ndërkohë, gjykimi vijon për Dritan Rexhepin, Gentjan Funiqin, Martin Bletën, Korado Keshtejan, Artan Doçajn, Aldo Majnishtën dhe Geraldo Martinin. I vetmi nga të mësipërmit i arrestuar dhe që pret ekstradimin nga Spanja drejt vendit tonë është Gentjan Funiqi.

Si ndodhi ngjarja
Jan Prenga u rrëmbye në Kamëz më 17 Janar 2020 dhe prej gati 3 vitesh trupi i tij nuk është gjetur. Kompleksi 'Golden' në Shijak u kthye ne skenën e krimit për Jan Prengën, ndërsa policia me anë të pamjeve filmike provoi praninë e trupit të tij dhe vendosi pas hekurave Leonard Hajri, Bajram Hajri, Festim Bexhdili, Olsi Turja si dhe Ardian Docaj, ndërsa sot në burg ka mbetur vetëm kopshtari Festim Bexhdili.  Ai u ekzekutua me urdhër nga "kokat" e bandës, për shkak të një sasie prej 283 kg kokainë, që vëllai i Jan Prengës, Astrit  mbante peng në Angli dhe nuk e tregonte se ku e kishte çuar.