Rrëzimi i Bordit të Ushqimeve, Kushtetuesja: Qeveria nuk bëri analizë të ndikimit të luftës, duhej argumentuar nevoja e urgjenca

Rrëzimi i Bordit të Ushqimeve, Kushtetuesja: Qeveria nuk bëri analizë të ndikimit të luftës, duhej argumentuar nevoja e urgjenca

Gjykata Kushtetuese

TIRANË- Gjykata Kushtetuese rrëzoi përmes një vendimi të marrë 22 shkurtin e kaluar Bordin e Transparencës për çmimet e shportës. Argumentimi i Gjykatës në dispozitivin e vendimit ishte se ngritja e Bordit ishte bërë me Akti Normativ me fuqinë e ligjit dhe nuk plotësoheshin kriteret kushtetuese urgjenca dhe nevoja, për ta miratuar një akt të tillë.  Në argumentimin e plotë të Gjykatës Kushtetuese thuhet se nuk ishte a arsyeshme që qeveria të bëjë një akt të tillë normativ, për shkak se nuk ka pasur asnjë urgjencë e as nevojë të jashtëzakonshme për t’u bërë me kaq shpejtësi.

Gjykata thekson se dhënia e pushtetit ligjvënës qeverisë ka karakter përjashtimor ndaj pushtetit të Parlamentit për të miratuar dispozita ligjore, dhe është e domosdoshme që të plotësohen këto kushte që të përdoret ky instrument ligjvënës.

“Mbetet në vlerësimin e Këshillit të Ministrave, por çmohet se përdorimi i tij gjerësisht dhe jo në kushtet e parashikuara nga Kushtetuta, do të cenonte pavarësinë e pushtetit legjislativ dhe karakterin demokratik të shtetit. Kjo e drejtë ka natyrë lejuese dhe përjashtimore, prandaj Kushtetuta e ka kushtëzuar ushtrimin e saj me ekzistencën e nevojës dhe urgjencës, si dhe me kontrollin përfundimtar nga Kuvendi të  akteve të nxjerra”, thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

“Nëse ekziston nevoja për nxjerrjen e një ligji, por pa ndonjë urgjencë të dukshme, qeveria nuk mund të ndërmarrë nismën për nxjerrjen e aktit normativ me fuqinë e ligjit, pasi kjo do të përbënte detyrë të pushtetit legjislativ. Vetëm kur situata e krijuar vlerësohet e pamundur të presë aq kohë sa nevojitet për nxjerrjen e ligjit të nevojshëm nga organi legjislativ, qoftë edhe nëpërmjet procedurave të përshpejtuara, iniciativa ligjvënëse mund t’i kalojë qeverisë. Nëse nuk do të vlerësohej ky aspekt, qeveria do të merrte, pa të drejtë, funksionet ligjvënëse të Kuvendit”, vijon vendimi.

Gjykata ka vlerësuar se në kontrollin kushtetues duhet të rezultojë në mënyrë të qartë mungesa e kushteve paraprake për nxjerrjen e akteve normative me fuqinë e ligjit.

“Ekzistenca paraprake e një situate faktike që passjell nevojën dhe urgjencën për përdorimin e një instrumenti të jashtëzakonshëm, siç është akti normativ me fuqinë e ligjit, përbën një kërkesë kushtetuese për miratimin e këtij akti, në kuptimin që, në rast se këto parakushte haptazi ose dukshëm mungojnë, ato përcaktojnë një të metë të aspektit kushtetues të aktit normativ me fuqinë e ligjit.  Shqyrtimi i rasteve kur haptazi/dukshëm mungojnë kushtet e vendimmarrjes me urgjencë, bazohet në një test të përbërë nga një sërë elementesh që përfshijnë preambulën e aktit normativ me fuqinë e ligjit, relacionin shpjegues të tij dhe raportet parlamentare të projektligjit miratues, si dhe kontekstin normativ në të cilin “përfshihet” akti normativ me fuqinë e ligjit”, nënvizon Gjykata Kushtetuese.

Në vendimin e saj Kushtetuesja thotë se Këshilli i Ministrave e ka justifikuar nevojën për nxjerrjen e akteve me situatën urgjente të krijuar nga rritja e menjëhershme e çmimeve të produkteve ushqimore bazë në tregun shqiptar,  ardhur si pasojë e situatave të ndikuara nga tregu ndërkombëtar, çka, sipas Qeverisë, ka bërë të domosdoshme ndërhyrjen dhe rregullimin e kësaj situate me akt normativ, përmes të cilit është synuar përcaktimi i masave të veçanta që do të merren ndaj subjekteve publike ose private.

Po kështu, sipas shpjegimeve në seancë plenare dhe provave të depozituara gjatë seancës, Qeveria ka parashtruar se situata e veçantë e krijuar nga lufta Rusi-Ukrainë ka sjellë pasoja në zinxhirin dhe kanalet e furnizimeve për produktet kryesore jetike të konsumit, si për shkak të importit të shumicës së këtyre mallrave nga vendet në konflikt, ashtu edhe për shkak të ruajtjes së rezervave edhe nga vendet e tjera, përmes ndalimit të eksportit të tyre.

Por nga ana tjetër Gjykata thotë se Akti Normativ vëren se ai i është nënshtruar diskutimeve në tri komisione të Kuvendit: Komisionin për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut; Komisionin për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin; Komisionin për Ekonominë dhe Financat.

Gjykata thotë se nuk vë në diskutim impaktin e luftës Rusi-Ukrainë, pasi jo vetëm në Shqipëri, por edhe në një sërë shtetesh të tjera. Megjithatë, në rastin konkret, Gjykata evidenton se relacionet shoqëruese të akteve normative të kundërshtuara nuk përmbajnë një vlerësim të ndikimit konkret në tregun kombëtar dhe konsumatorin shqiptar nga situata e krijuar në tregun ndërkombëtar dhe të efekteve të luftës Rusi-Ukrainë në këtë situatë, madje në relacionin e aktit normativ lufta në Ukrainë as nuk përmendet si shkak urgjence.

Gjykata rithekson rëndësinë e analizës paraprake të kushteve të nevojës dhe urgjencës, në mënyrë që të mund të kuptohet se ato kanë ekzistuar në kohën e marrjes së nismës për nxjerrjen e aktit normativ me fuqinë e ligjit nga Këshilli i Ministrave, si dhe në kohën e kontrollit të këtyre kritereve nga Kuvendi. Po kështu, analiza e këtyre kushteve duhet të gjejë vend, në mënyrë të arsyetuar, edhe në raportet përkatëse të ligjeve të Kuvendit për miratimin e akteve normative me fuqinë e ligjit.

Pra, si përfundim Gjykata Kushtetuese thotë se urgjenca dhe nevoja, si dy kushte të domosdoshme për të nxjerrjen e akteve normative nuk argumentohen nga Këshilli i Ministrave dhe Kuvendi përmes një analize të situatës konkrete, e cila do të justifikonte nevojën për ndërhyrje urgjente nëpërmjet akteve normative me fuqinë e ligjit. P

“Gjykata thekson se raste nevoje dhe urgjence, të krijuara  në vend, mund të kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga Këshilli i Ministrave, përmes miratimit të akteve normative me fuqinë e ligjit, megjithatë argumentet se pse rasti paraqet nevojë dhe urgjencë dhe pse nuk mund të procedohet përmes miratimit të ligjeve me procedurë normale ose të përshpejtuar, duhet të gjejnë vend në relacionet përkatëse. Ky standard është i domosdoshëm në vlerësimin e Gjykatës, pasi është tregues i matshëm i kontrollit efektiv të pushtetit ligjvënës ndaj ekzekutivit dhe i kontrollit të mëvonshëm të Gjykatës ndaj akteve të këtyre pushteteve. Akti normativ me fuqinë e ligjit sjell efekte të menjëhershme që në momentin e miratimit, megjithatë vetëm ky fakt nuk mund të justifikojë përdorimin e këtij instrumenti kushtetues me karakter përjashtimor për rregullimin e çdo situate ligjore”, thekson Gjykata.

Gjykata pranon se Këshilli i Ministrave mund të ndërhyjë me akte normative me fuqinë e ligjit, në kushtet kur kjo ndërhyrje realizohet, ajo duhet të përmbushë kërkesat e përcaktuara nga neni 101 i Kushtetutës, të cilat duhet të gjejnë vend dhe të analizohen si në relacionet që shoqërojnë aktin normativ, ashtu edhe në dokumentet që shoqërojnë miratimin e ligjeve ratifikuese, në mënyrë që të mund të realizohet edhe kontrolli kushtetues mbi ekzistencën e tyre. Nëse një analizë e tillë mungon, kërkesat e parashikuara nga neni 101 i Kushtetutës nuk mund të konsiderohen si të përmbushura.

Shumica e gjyqtarëve kanë votuar pro shfuqizimit të këtoj akti, ndërsa tre gjyqtarë të tjerë dhënë detaje të tjera shteruese, duke konsideruar se lufta Rusi-Ukrainë ishte një urgjencë.

Bordi i ushqimeve hyri në fuqi më 1 prill dhe detyra ishte monitorimi i çmimeve të produkteve të shportës dhe përcaktimin e marzheve të fitimit të bizneseve të këtij sektori. Deputetët e Partisë Demokratike i janë drejtuar po ashtu Gjykatës Kushtetuese edhe për shfuqizimin e Bordit të Transparencës për Çmimet e Karburanteve, i cili po ashtu është miratuar me një akt normativ, për të cilin ende nuk ka një vendim nga GJK. 

(Kliko këtu për të parë dokumentin e plotë)

K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Provat sugjerojnë se kundërajrorët rusë e goditën avionin e udhëtarëve para se të rrëzohej në Kazakistan

Provat sugjerojnë se kundërajrorët rusë e goditën avionin e udhëtarëve para se të rrëzohej në Kazakistan