RUSI- Një helikopter ushtarak rus u rrëzua pranë një fushe aviacioni në rajonin e largët lindor të Chukotka-s në Rusi, duke i marrë jetën 4 personave që ndodheshin në bord. Në bordin e helikopterit ndodheshin 3 pjesëtarë të ekuipazhit dhe një teknik.
Sipas “The Independent“, Ministria e Mbrojtjes ruse tha se rrëzimi i helikopterit Mi-8 mund të ketë ardhur si pasojë e një defekti teknik.
Ky është aksidenti i dytë fatal me helikopter Mi-8 që ndodh në një hark kohor prej 2 javësh. Më 19 Maj, një tjetër Mi-8 u rrëzua pranë qytezës së Klin, 90 kilometra larg Moskës, duke i marrë jetën 3 anëtarëve të ekuipazhit.
Edhe në atë rast zyrtarët rusë thanë se me shumë mundësi aksidenti ndodhi për shkak të një defekti teknik.
Mi-8 janë helikopterë që përdoren për qëllime të ndryshme, të dizenjuar në kohën e Bashkimit Sovjetik dhe që sot prodhohen nga Rusia. Ky model është një prej helikopterëve më të zakonshëm të Forcave të Armatosura Ruse.