Situata me koronavirusin në Shqipëri vazhdon të përkeqësohet, pasi në 24 orët e fundit janë shënuar 44 raste të reja, dy më shumë se një ditë më parë, ndërsa një 59-vjeçar nga Lushnja ka humbur jetën.

Sipas ministrisë së Shëndetësisë, rastet janë 22 në Tiranë, 6 në Krujë, nga 4 raste në Durrës, Kamëz, Shkodër, 2 raste në Lushnje dhe nga 1 rast në Vlorë dhe Elbasan. Rastet e konfirmuara janë kontakte të rasteve pozitive por edhe shume raste të reja që janë në hetim në Shkodër, Elbasan dhe Vlorë. Gazetarja e Report TV, Doris Sallaku thotë se shumica janë raste kontakti të të infektuarve të mëparshëm në QSUT, që tashmë është kthyer në vatër infeksioni. 

Sipas minsitrisë, "janë testuar 40 personel shëndetësor dhe kanë rezultuar pozitivë 9 prej tyre, të gjitha kontakte, ndërsa janë shëruar 21 qytetarë duke e çuar numrin e të shëruarve mbi 1 mijë që nga fillimi i epidemisë".

Pacienti nga Lushnjë, i cili ka ndërruar jetë ishte i shtruar prej 6 ditësh në terapi intensive. 59-vjeçari vuante nga Kardiomiopati e dilatuar, sëmundje renale kronike, diabet mellitus, anemi. "Pas asistencës së madhe të stafit mjekësor në terapi intensive, 59 vjeçari nuk ka mundur të mbijetojë. Ministria e Shëndetësisë i shpreh ngushëllime familjarëve të të ndjerit", thuhet në përditësimin e ministrisë së Shëndetësisë.

Çështje shqetësuese është edhe fakti se në spitalin Infektiv numri i të shtruarve po rritet. "Aktualisht janë 52 pacientë të shtruar, ndërsa 8 prej të shtruarve janë në terapi intensive. Në vendin tonë janë aktualisht 349 persona aktivë me COVID19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Krujë ku ka transmetime komunitare", thotë ministria.

COVID-19 – Statistika (11 Qershor 2020)
Testime totale                         19562
Raste pozitive                          1385
Raste të shëruara                      1001
Raste Aktive                             349

35 jetë të humbura
Qarku Tiranë 21,
Durrës 6,
Fier 4,
Vlorë 1,
Shkodër 2,
Kukës 1

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive 
Tiranë           211
Shkodër         42
Krujë             32
Kamëz            23
Durrës           16
Mat                 9
Lushnje           5
Tropojë          2
Korçë              1
Librazhd          1
Mallakastër     1
Lezhë                 1
Pukë                  1
Berat                    1
Ura Vajgurore    1
Vlorë                    1
Elbasan                1

Që prej lirimit të masave dhe hapjes së bizneseve shqiptarët nuk po respektojnë më masat, duke filluar që nga ministrja e Shëndetësisë, e cila në çdo dalje publike nuk mban maskë dhe doreza. Report TV ka bërë një vëzhgim në tregun e Kombinatit, ku qytetarët jo vetëm nuk zbatonin masat, por edhe tuneli dezinfektues që ishte vendosur në hyrje, tani është hequr.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:39
Merren 25 tamponë nga kontaktet e 67-vjeçarit të prekur me koronavirus nga Gjirokastra

1590223397_koronavirusi3.jpg

Burimet nga Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor të Gjirokastrës konfirmojnë se sot janë marrë tamponë tek 25 persona në Gjirokastër të cilët janë familjarë, të afërm dhe kontaktet që ka pasur 67- vjeçari, i cili ndodhet i shtruar në Spitalin e Infektivit në kryeqytet. Tamponët janë dërguar mesditën e sotme në drejtim të kryeqytetit për të vërtetuar nëse dikush prej tyre mbart virusin e rrezikshëm. 

Burimet nga NJVKSH konfirmojnë se 67-vjeçari është shtruar në Spitalin e Infektivit në kryeqytet para 10 ditëve pasi është mbajtur nën kontroll të rreptë në Spitalin Rajonal të Gjirokastrës nga hepatiti akut që e preku. Në kryeqytet ai mund të jetë prekur nga Covid-i pikërisht nga stafi mjekësor apo ndonjë person tjetër që kishte virusin. Mësohet se situata shëndetësore e tij është e qëndrueshme deri në këto momente ndërkohë që priten nesër përfundimet e analizave për të 25 personave që u mor tamponi ditën e sotme në Gjirokastër. 

Ora 10:01
Merr virusin në Tiranë, infekton familjen! 4 raste pozitiv me covid-19 në Durrës

4 persona në Durrës, anëtarë të një familje kanë rezultuar pozitiv me covid-19 gjatë 24 orëve të fundit.

Burim i infektimit të tyre është bërë njëri nga anëtarët, që kishte ardhur në Tiranë dhe më pas ka infektuar dhe 3 pjesëtarët e tjerë të familjes.

Ora 09:48
Dy raste me covid-19 në Lushnje, infektohen në QSUT në Tiranë

Në Lushnje janë regjistruar 2 raste të reja me covid në 24 orët e fundit.  Sipas burimeve të Report Tv, të dy personat kanë qenë shkruar në QSUT në Tiranë, ku mendohet se kanë marrë dhe virusin.

Ora 09:41
6 raste të reja në Krujë, disa të afërm të infektuarve në QSUT

6 persona kanë rezultuar pozitiv me koronavirus në qarkun e Krujës. Të prekurit janë raste kontakti të mëparshme, ku disa janë të afër të të infektuarve në QSUT.

Të prekurit gjatë 24 orëve të fundit janë të moshës nga 40-70 vjeç.

Ora 09:40
4 raste pozitive në Shkodër! Shënohet rasti i parë në Gjirokastër, i prekuri ishte shtruar tek Infektivi në Tiranë

Në 24 orët e fundit në Shkodër janë konfirmuar pozitiv 4 raste të reja me koronavirus . Nga 30 testet e bëra në Shkodër, 4 dolën pozitiv dhe sipas burimeve janë të gjithë raste kontakti të të infektuarve të mëparshëm.

Edhe në Gjirokastër është shënuar rasti i parë me covid-19 që nga shpërthimi i pandemisë.

I infektuari 53 vjeç ka qenë i shtruar në Spitalin Infektiv në Tiranë për hepatit, ku mendohet se ka marrë dhe koronavirusin.

Ora 08:52
Dy raste të reja me covid-19, një në Vlorë dhe një në Elbasan

Një rast pozitiv me koronavirus është konfirmuar në Vlorë. Sipas burimeve për Report Tv një burrë është shfaqur me simptoma në Poliklinikën e Vlorës, dhe pasi i është bërë tamponi ka rezultuar pozitiv.

I prekuri në Vlorë ka punuar si bojaxhi në Himarë gjatë kësaj periudhe, ku dyshohet se mund të jetë infektuar. 40-vjeçari po punonte në ndërtesën e një qytetari nga Tirana në Himarë dhe pas kthimit ai ka shfaqur simptomat ku rezultoi dhe pozitiv.  Burime nga spitali i Vlorës bëjnë me dije se janë marrë tamponë dhe familjarëve të tij.

Gjithashtu edhe në Elbasan ka rezultuar gjatë 24 orëve të fundit një person pozitiv me covid. Në vend janë bërë 10 tamponë dhe ka dalë pozitiv një 73-vjeçare.

73-vjeçarja e infektuar mendohet se është infektuar pasi kishte marrë pjesë në një ceremoni mortore në Tiranë. Ajo është e vetëkarantinuar në banesë, ndërsa është bërë dhe dezinfektimi i ambienteve ku ajo jeton dhe zonës ku banon.

Dita e djeshme ka shënuar rekord të infektuarish që nga shpërthimi i pandemisë me 42 raste të reja, ndërsa që pas hapjes së vendi duket si qytetarët por dhe institucionet shëndetësore kanë harruar prezencën e virusit në vend.

Veç kujdesit personal të çdo qytetari, përgjegjësia bie mbi shpatullat e autoriteteve që nuk kanë ushtruar kontrollin e duhur për zbatimin e protokolleve të veçanta për të gjitha njësitë që u hapën, ku mungesa e zbatimit të tyre shihet qartë kudo që të hedhësh sytë, njerëz në grupe, pa maska dhe asnjë respektim distance.