Numri i pacientëve që kanë mosfunksionim të veshkës sa vjen dhe rritet. Në nivel botëror, në një dekadë numri është rritur me 82,3 %, ndërsa ën vendin tonë priten rezultate që do të mblidhen nga check up, i cili prej 6 muajsh bën edhe analizat e veshkave. Megjithatë mjeku nefrolog Myftar Barbullushi, për Report Tv, pranon rritjen e rastit të të prekurve në vendin tonë.
 
“Për sa kohë ka një trend rritje të diabetit, për sa kohë ka një trend rritje të hipertensionit, është e natyrshme të ketë edhe një trend rritje të sëmundjeve të veshkave. Sepse boll t'ju them një shifër! Nëse themi që diabeti është alarm, 40 % e të sëmurëve me diabet kanë humbje të funksionit të veshkave”- u shpreh Dr Barbullushi.
 
Përveç kontrollit të vazhdueshëm, ajo që do të përmirësonte situatën është edhe kujdesi ndaj stilit të jetesës, në një kohë që kjo e fundit është një nga shkaktarët kryesorë për dëmtim të shëndetit.
 
“2 janë, jetëgjatësia në rritje, që rrit edhe problematikën dhe element ii dytë, stili i jetesës. Ju shikoni që stili i jetesës ka kushtëzuar strese, ka kushtëzuar mbipeshën, ka kushtëzuar diabetin, ka kushtëzuar hipertensionin.
 
Sot të gjitha rekomandimet që vijnë nga mjekët, janë rekomandime parandaluese në themel të secilës, është ndryshimi i stilit të jetesës”.
 
Në kurimin e veshkave, rrol kryesor luan edhe kujdesi i mjekut të familjes, ku sipas doktor Barbullushit, në themel të disa sëmundje është pikërisht mosfunksionimi i veshkave.
 
“Tashmë dihet, është e qartë, që në themel të hipertensionit është veshka. Nuk ka më asnjë lloj mëdyshje që mekanizmi i të pasurit një tensioni të lartë, është mekanizmi i veshkave.
 
Është veshka. Nuk ka tension pa pasur veshkë. Një gjë do të thoja, që cdo i sëmurë që mjekohet për hipertension, nuk ka sens, nuk ka logjikë dhe është pakujdesi nëse nuk bën një vizitë tek nefrologu. “
 
 
Kujdesi i lartë i treguar ndaj shëndetit, një ushqim më i mirë dhe aktivitet fizik, janë këshillat kryesore për një veshkë të shëndetshme. Gjithashtu apel bëhet edhe për një kurim më të mirë të sëmundjeve si hipertensioni dhe obeziteti, të cilat radhisin ndër shkaktarët kryesorë edhe mosfunkionimin e veshkës.
 



dy.b/shqiptarja.com