Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar lidhur me rritjen e vazhdueshme të çmimeve në Shqipëri.

Përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale, Tabaku e ka lidhur rritjen e çmimeve në vend drejtëpërdrejtë me modelin ekonomik dhe vendimmarrjen qeveritare.

Reagimi i Tabakut erdhi pasi Bordi i Transparencës vendosi të rrisë sërish çmimin e naftës, edhe pas vendimit të sotëm për uljen e akcizës mbi këtë produkt.

Ligjvënësja demokrate thekson se familjet shqiptare po përballen çdo muaj me një realitet gjithnjë e më të vështirë, ku shpenzimet rriten ndërsa të ardhurat mbeten të ulëta. Sipas saj, ‘raporti mes çmimeve dhe të ardhurave është thellësisht i pabarabartë: çmimet në Shqipëri kanë arritur rreth 60% të nivelit të Bashkimit Europian, ndërsa të ardhurat mbeten në vetëm 20% të tyre.’

Tabaku argumenton më tej se kjo situatë nuk është produkt i tregut të lirë, por i deformimit të tij. Ajo evidenton se në sektorë kyç si produktet e shportës dhe karburantet, mungesa e konkurrencës reale ka krijuar struktura oligopoliste, ku çmimet përcaktohen nga aktorë të fuqishëm ekonomikë dhe jo nga rregullat e tregut.

Një tjetër faktor që rëndon mbi çmimet, sipas saj, janë taksat e larta dhe të komplikuara, të cilat transferohen drejtpërdrejt te konsumatori. Nga karburanti te ushqimet bazë, barra fiskale, sipas Tabakut, ka bërë që kostoja e jetesës të rritet në mënyrë të ndjeshme për qytetarët.

Në thelb të problemit, deputetja identifikon modelin ekonomik aktual, të cilin e cilëson si të shteruar dhe të varur nga shpenzimet publike, pa mbështetje reale për prodhimin dhe investimin privat.

“Çmimet e larta nuk janë rastësi. Ato janë rezultat i një sistemi që nuk funksionon për shumicën,” thekson mes të tjerash Tabaku.

Sipas deputetes Tabaku, ndryshimi i kësaj situate kërkon ndryshim të vetë qeverisjes në vendin tonë.