Një apel për rritje të kujdesit në një kohë kur vijojmë të përballemi me numër të lartë të të infektuarve, vjen edhe nga Partia Demokratike, por kjo e fundit nuk kursen as akuzat ndaj ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.

Nëpërmjet ish deputetit Bardh Spahia, selia blu ngre shqetësimin e mungesës së tamponëve në spitale. Sipas Spahisë, në spitalin e Shkodrës nuk janë kryer testimet edhe pse pacientët kanë shfaqur shenja të qarta klinike.

“Vetëm në Shqipëri testet janë instrumenti më pak i përdorur, edhe pse kemi një situatë të dalë jashtë kontrollit tashmë, si në qendrat spitalore ashtu edhe në institucionet publike.” shkruan Spahia në rrjetet sociale.

Ish deputeti i Partisë Demokratike i kërkon Ministrisë së Shëndetësisë edhe të shtojë përpjekjet për këputjen e zinxhirit të infektimit në qendrat spitalore.