Degradimi i rrugës nacionale Rrëshen-Burrel ngriti në protestë banorët e fshatit Tarazh në Mirditë. Në të gjithë gjatësinë e aksit prej 31 km ka rrëshqitje të trasesë dhe dëmtim të asfaltit, duke vështiresuar lëvizjen e automjeteve. Në disa segmente është e pakalueshme pasi mungon mirëmbatja.
“E ka marrë mirëmbajtjen një firmë fantazëm, vjen hedh një karroce çakull dhe ikën! ARRSH-ja ka bërë kontratë me një kompani që nuk e mirëmban rrugën. Shikoni gropat e mëdha dhe rrëshqitjet e tokës, këtu nuk kalohet! E kanë dëmtuar dhe kamionët që transportojnë kromin e Bulqizës”, thanë ata.
Kryebashkiaku i Mirditës Albert Mëlyshi tha se Autoriteti Rrugor Shqiptar, si institucion përgjegjës duhet të ndërhyjë menjehere.
“Mirëmbatja sidomos në dimër është emergjente por në perspektivë Qeveria duhet të investojë për rikonstruksionin e ketij aksi”, tha Albert Mëlyshi kryetar i bashkisë Mirditë.
Rruga Rrëshen-Burrel është ndërtuar në vitin 2013 me financim të Fondit Shqiptar të Zhvillimit me vlerë 22 milion dollarë. Çarjet, gropat dhe rrëshqitjet e tokës nisën para 5 vitesh dhe nuk u riparuan duke çuar ne degradimin e plotë te saj.