'E gjithë kodra po shembet drejt fushës së Gelës. Kemi kryer një inspektim të parë në terren me Departamentin e Mbrojtjes Civile, profesorin Nicola Casagli, i cili ka vënë në dukje jo vetëm atë që është e dukshme, por faktin se në realitet e gjithë kodra po rrëshqet drejt fushës së Gelës. Rrëshqitja e dheut është ende aktive.”
Kështu është shprehur kreu i Departamentit Kombëtar të Mbrojtjes Civile, Fabio Ciciliano, i cili në Niscemi (provinca e Caltanissetta-s) po merr pjesë në një takim me presidentin e Rajonit të Siçilisë, Renato Schifani, dhe kreun e Mbrojtjes Civile Rajonale, Salvo Cocina, në Qendrën Operative Komunale (COC), për të bërë një bilanc të situatës së rrëshqitjes së dheut në këtë bashki.
I gjithë shpati mbi të cilin është ndërtuar qendra e banuar e Niscemit është në lëvizje, duke vënë në rrezik serioz stabilitetin e dhjetëra ndërtesave. Personat që janë detyruar të braktisin banesat e tyre kanë arritur tashmë në rreth 1.500 dhe, sipas Mbrojtjes Civile, ky numër pritet të rritet.
Ciciliano dhe ekipet teknike kanë kryer këtë mëngjes një fluturim vëzhgues mbi të gjithë zonën, që ka mundësuar evidentimin e të gjitha çarjeve në kodrën dhe fushën përreth. Në Niscemi ka mbërritur gjithashtu edhe prokurori i Gelës, Salvatore Vella, për një inspektim në zonën e kuqe.
Dje, Këshilli i Ministrave ka akorduar fondet e para për emergjencën. Për personat e zhvendosur janë dhënë nga fondi shtetëror CAS (Kontribut për Sistemim Autonom): 400 euro për familje plus 100 euro për çdo anëtar, deri në një maksimum prej 900 euro në muaj për çdo familje, për një periudhë njëvjeçare.
Procedura është aktivizuar pas nxjerrjes së urdhrit të evakuimit dhe pritet të përfundojë brenda pak ditësh. Kontributi për sistemim autonom (CAS) u dedikohet atyre që janë detyruar të lënë banesën e tyre, aktualisht rreth 1.500 persona.
Presidenti i Asamblesë Rajonale Siçiliane, Gaetano Galvagno, ua ka komunikuar këtë vendim kryetarëve të grupeve parlamentare. Shqetësimi mes banorëve është i madh dhe përmblidhet në fjalët e famullitarit don Giuseppe Cafà:
“Gjeologët që po studiojnë këtë fenomen rrëshqitjeje thonë se nuk ka asnjë krahasim në të gjithë Evropën. Nuk ka ndodhur kurrë një fenomen i tillë. Fronti i rrëshqitjes shtrihet në rreth 4 kilometra dhe në disa pika arrin një thellësi deri në 50 metra. Është krijuar një kanion, në kuptimin e plotë të fjalës.”/Corriere della Sera
Komente









