Rumania dhe Letonia njoftojnë për shkelje të hapësirës së tyre ajrore nga dronë rusë

Rumania dhe Letonia njoftojnë për shkelje të hapësirës së tyre ajrore nga dronë rusë

Foto ilustruese

Dy shtete, anëtare të NATO-s, thanë të dielën se dronët rusë shkelën hapësirën e tyre ajrore. Rumania njoftoi se një dron rus shkeli hapësirën e saj ajrore gjatë sulmeve të natës që ndërmori Moska kundër Ukrainës fqinje. Ndërkohë, Letonia njoftoi se një dron rus u rrëzua në pjesën lindore të vendit një ditë më parë.

Një dron rus hyri në territorin rumun herët të dielën ndërsa Moska goditi "objektiva civilë dhe infrastrukturën portuale" përtej Danubit në Ukrainë, njoftoi Ministria e Mbrojtjes Kombëtare e Rumanisë.

Bukureshti aktivizoi avionë luftarakë të tipit F-16 për patrullimin e hapësirës ajrore ndërsa njoftoi banorët e dy rajoneve lindore përmes mesazheve me tekst, thanë zyrtarët rumunë.

Rumania tha se po heton mundësinë e një pike ku mund të ketë rënë mjeti fluturues në një zonë të pabanuar përgjatë kufirit me Ukrainën. Nuk ka patur njoftime për viktima apo dëme.

Më vonë të dielën, Ministri i Mbrojtjes i Letonisë, Andris Sprūds, tha se një dron rus ishte rrëzuar një ditë më parë pranë qytetit Rezekne dhe me gjasë ishte futur në Letoni nga Bjellorusia fqinje.

Qyteti Rezekne, me mbi 25,000 banorë, shtrihet rreth 55 kilometra në perëndim të Rusisë dhe rreth 75 kilometra nga Bjellorusia, aleati i ngushtë i Kremlinit.

Ndërsa shkelja e hapësirës ajrore të Letonisë duket të jetë një incident i rrallë, Rumania ka konfirmuar disa raste të gjetjes së fragmenteve të dronëve në territorin e saj që nga fillimi i agresionit ruk kundër Ukrainës në shkurt të vitit 2022. Rasti më i fundit u njoftua në korrik të këtij viti.

Mircea Geoană, zëvendëssekretari i përgjithshëm i NATO-s në largim dhe ish-diplomat i lartë rumun, tha të dielën në mëngjes se aleanca ushtarake e dënoi shkeljen e hapësirës ajrore rumune nga Rusia.

“Ndërsa nuk kemi asnjë informacion që tregon për një sulm të qëllimshëm nga Rusia kundër aleatëve, këto akte janë të papërgjegjshme dhe potencialisht të rrezikshme”, shkroi ai në platformën e mediave sociale X.

Ushtria e Letonisë tha të dielën se nuk kishte tregues se Moska apo Minsku i kishin nisur dronët qëllimisht drejt vendit të saj. Në një deklaratë publike, ushtria letoneze tha se kishte identifikuar vendin e rrëzimit të dronit dhe se po vazhdonin hetimet. Ministri i Mbrojtjes së Letonisë, Andris Sprūds, u përpoq ta minimizonte rëndësinë e inkursionit me dron.

“Mund të konfirmoj se nuk ka viktima apo dëme materiale”, tha zoti Sprūds për Radion Letoneze të dielën, duke shtuar se çdo rrezik ishte eliminuar menjëherë.

“Natyrisht, është një incident i rëndë, pasi është një kujtesë tjetër se pranë çfarë shtetesh fqinje jetojmë”.

Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andrii Sybiha, i quajti inkursionet, siç u shpreh ai, “një kujtesë se veprimet agresive të Federatës Ruse shkojnë përtej kufijve të Ukrainës”.

“Përgjigja kolektive e aleatëve duhet të jetë mbështetja maksimale për Ukrainën tani, për t'i dhënë fund (agresionit rus), për të mbrojtur jetët dhe për të ruajtur paqen në Evropë”, tha zoti Sybiha në një postim në rrjetin X./VOA

Xh.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Rama e deputetët e vjetër të PS në lista të hapura, është vendimi i duhur?



×

Lajmi i fundit

Liga e Kombeve/ Spanja 'shemb' 1-4 Zvicrën, Danimarka i jep leksion Serbisë! Kroacia fiton me 'perlën' e Modric, Cristiano Ronaldo shkon 901

Liga e Kombeve/ Spanja 'shemb' 1-4 Zvicrën, Danimarka i jep leksion Serbisë! Kroacia fiton me 'perlën' e Modric, Cristiano Ronaldo shkon 901