MOSKË, 17 mars /ATSH-AFP/ - Rusia do të dërgojë bombardues strategjikë në Krime, konfirmoi sot një burim në Ministrinë ruse të Mbrojtjes, një vit pas aneksimit të gadishullit nga Rusia.
"Duke marrë pjesë në një stërvitje për aftësi luftimi për sulme të paparashikuara, në Krime do të vendosen bombarduesit strategjikë, tip 'Tupolev 22-M3", shtoi ky burim pa saktësuar datën.
Këta bombardues supersonikë me rreze të gjatë veprimi, të aftë për të mbajtur armë bërthamore, do të përdoren për manovrat ushtarake me urdhër të presidentit rus Vladimir Putin, i cili kërkon edhe vendosjen e rreth 38 000 trupave në Arktik.
Në kuadër të këtyre manovrave, Rusia ka vendosur sot edhe raketat tip "Iskander-M" në pjesën perëndimore të Kaliningradit, në kufi me Poloninë dhe Lituaninë, si edhe ka vendosur në gjendje alarmi divizionet ajrore me bazë në Pskov, pranë kufijve të Letonisë dhe Estonisë.
Javën e kaluar, ushtria ruse kreu manovra të një shkalle të gjerë në disa zona duke dërguar 8 000 ushtarë në Krime dhe në juglindje, pranë kufirit me Ukrainën./ /m.l/ a.jor.