Sa i bukur stadiumi i ri "Air Albania"! E megjithatë, edhe këtë herë në ndeshjen Shqipëri-Francë, si shpesh kur shoh përmes televizorit pjesë nga ndeshjet e kombëtares sonë më kap një ankth. Më duket sikur ua mbaj sikletin futbollistëve për të vrapuar më shpejt në fushë, për të patur më teknikë, më sprint, më pasion, më forcë, e sigurisht, gola. Jam rritur në një familje të apasionuarish pas futbollit dhe atmosfera e tifozerisë në çdo ndeshje të bukur, është magjike dhe një festë e veçantë.
Më vjen keq edhe për tifozët, fëmijë e të rritur, që shkojnë të veshur aq bukur e urojnë me zemër të fitojmë. Një mikeshë italiane më tha për ndeshjen mbrëmë: "Po luajnë shumë keq shqiptarët, por dua të fitojnë vetëm për tifozët e mrekullueshëm që kanë". Duket sikur shpirti plot ngjyra e dëshira i tifozerisë, stonon me shpirtin e asaj që duket e luhet në fushë.
Pas formimit të kombëtares së Kosovës dhe impenjimit të djemve të Kosovës në skuadrën e tyre, futbolli që dimë të prodhojmë në Shqipëri nuk duket në rrugë të mbarë. Nuk kemi disiplinë? Nuk punojmë fort? Nuk dimë të inkurajojmë talentet? Diçka thelbësore nuk shkon, por në futboll, si në të gjitha disiplinat publike në sport dhe në art, puna duket qartazi në skenë, fushë apo në sallë. Në dritë të diellit, ose më mirë, të reflektorëve, duket ajo që dinë të bëjnë.
Për shembull në art, për shumë vite me radhë, ndodhte të inkurajoheshin artistë mediokër, të paaftë. Janë edhe punësuar nëpër institucione shtetërore të artit të tillë që nuk bëjnë asgjë, por me të njohur, me sponsorizime politike, kanë gjetur dhe mbajnë fort ndonjë vend, për një rrogë. E çfarë arti do të prodhojnë këta? E sidomos, cili është mesazhi për të rinjtë që hyjnë në botën e artit?
Ndërsa në sport përflitet që bëhen "pazare" me dieta sportistësh, me skuadra të tëra të rinjsh që nuk paguhen. Nuk ka ndonjë investigim serioz, as gazetarë që të jenë marrë me këtë, por rezultatet duken: Më shumë se të shkruhet për problemet serioze të futbollit, duket sikur të gjithë bëjnë garë për të lavdëruar njerëz të federatës apo kë tjetër që mund t'i sajdisë me privilegje a bileta falas.
A ka Shqipëria një sistem meritokracie dhe konkurrence të mirë dhe të barabartë që nis tek më të vegjëlit e vazhdon me këdo që vendos të merret më një disiplinë në sport? A e ndjejnë shqiptarët se çdo sakrificë, çdo djersë e hedhur realisht, përditë në stërvitje, nuk do të shkelet me këmbë nga një drejtues sporti partiak, nuk do të shtypet nga njerëz jo profesionalë, të korruptuar e hileqarë të vendosur si menaxherë në hallkat e futbollit dhe të sporteve tona?
Ka arsye që shumë nga sportistët tanë të jenë në depresion? Kur i sheh të luajnë, më shumë se sportistë, duken pacientë të një sistemi jo aq të shëndoshë.