Sa më larg Serbisë, aq më i kthjellët shikimi

Sa më larg Serbisë, aq më i kthjellët shikimi

Aleksandër Vuçiç

Dejan Atanackoviç ka mbaruar studimet për pikturë në të famshmen Accademia di Belle Arti në Firence në Italisë më 1996. Atëherë sapo kishte marrë fund lufta në Bosnjë dhe së shpejti regjimi i Beogradit do të fillonte një luftë tjetër, në Kosovë. Ndoshta jeta, shkollimi dhe edukimi larg Serbisë e kanë bërë Atanackoviçin më mendjehapur ndaj botës, më kritik ndaj anomalive në vendin e tij dhe më realist, ta zëmë, ndaj çështjes së Kosovës.

Si qytetar që mendon me kokën e tij dhe nuk pranon t’i bashkohet turmës, Atanackoviç javën që shkoi deklaroi se çështja e Kosovës ka marrë fund dhe Kosova kurrë nuk do të kthehet në kuadër të Serbisë. Dilema Kosova apo BE-ja, sipas tij, është krejtësisht e rrejshme, sepse pa marrë parasysh çfarë raporti do të ketë Serbia ndaj BE-së, Kosova nuk do të kthehet nën Serbi. Atanackoviç tha se po të kishte mjaft mend, Beogradi dhe Prishtina do të kishin platformë të përbashkët për integrim në BE. Ai theksoi se Kosova absolutisht duhet të ketë karrigen e saj në OKB dhe shtoi se Serbia në mënyra të ndryshme tashmë e ka pranuar Kosovën. Një Kosovë e integruar në organizatat ndërkombëtare do ta shtyjë atë të respektojë shumë standarde nga të cilat do të përfitonin edhe Serbia, edhe pakica serbe në Kosovë, mendon Atanackoviç.

Zëra si ky janë të vetmuar dhe të izoluar në Serbi, por kjo nuk domethënë se janë të parëndësishëm. Përkundrazi.

Parimi sa më larg Serbisë, aq më i kthjellët shikimi, vlen edhe për Llazar Xhamiçin, ish-shef për Planifikim dhe Brendim në selinë evropiane të Google, shtetas serb dhe britanik, i njohur me fjalinë e mençur se e vetmja mënyrë për të parashikuar të ardhmen është ta shpikim atë vetë. Në një analizë mbi gjendjen e shoqërisë serbe të botuar në revistën NIN të Beogradit, Xhamiç shpalos një pjesë të lëngatës e cila e paralizon Serbinë. Konstatimet e tij janë të rëndësishme për shkak se politika serbe luan rol negativ edhe në kontekst rajonal. Sipas tij, regjimi aktual serb është vazhdimësi direkte e erës së Sllobodan Millosheviçit.

Prej vitesh, shumica e teksteve dhe e analizave mbi ngjarjet në Serbi na kujtojnë kaleidoskopin, një lodër optike. Me fjalë të tjera, vazhdon ai, ne sillemi në qarkun e njëjtë komentatoresk ku dallojnë vetëm stili narrativ dhe artikulimi i komentatorit. Nganjëherë edhe evidenca, por jo përherë. Kemi përfunduar në garën e metaforave dhe analogjive, në gjahun për aforizma, sepse (krahas shansit që të mbahet më mirë në mend) kjo është e vetmja që ka mbetur që të vazhdojmë të flasim për gjendjen në Serbi dhe përgjegjësinë e pushtetit, në mënyrë që të mos jemi monotonë as ndaj vetes, as ndaj të tjerëve.

Përbërësit bazikë të acidit duhmërëndë që prej vitesh e quajmë “pushtet serb” janë të dukshëm, të pandryshueshëm dhe, në thelb, banal: boshllëku ideologjik dhe oportunizmi fund e krye darvinist për pasurim personal; autoritarizmi dhe arroganca shoqëruese, primitivizmi dhe mungesa e kompetencës, antievropianizmi dhe nacionalizimi si taktika për të ruajtur pushtetin absolut; propaganda strategjike dhe profesionale për manipulimin e opinionit publik. Gjithçka tjetër buron prej tyre, të gjitha mënyrat e manifestimit të veprimtarisë së përditshme, krejt fenomenologjia që përbën “mishin” të cilin komentariati e “përtyp” çdo ditë. Për këtë arsye na duket se të gjithë tingëllojnë njëjtë. Për këtë arsye metaforat dhe analogjitë, me sa duket, janë të vetmet që na kanë mbetur që kritikat të tingëllojnë të freskëta.

Si në kohën e Millosheviçit, edhe tani nacionalizimi është vetëm metodologji, taktikë për veprimtari propagandistike dhe “prodhim i konsensusit”, mënyrë për të qëndruar në pushtet dhe për të mos shtruar pyetje mbi gjendjen e përhershme të plaçkitjes së resurseve shoqërore, shkruan Xhamiç.

Nacionalizimi i pushtetit serb është truk magjistari për “largimin e vëmendjes”, teknikë iluzioniste e koncentrimit të shikimit në një vend tjetër, ndërsa duart e zellshme të iluzionistit e kryejnë trukin. Në rastin konkret korrupsionin masiv. Mënyra e vetme që ky efikasitet propagandistik të mbahet me dekada, siç është rasti te ne, shton Xhamiq, është që ndaj popullsisë të organizohet luftë e pandërprerë psikike, e koncentruar dhe profesionale. Krahas teknikave të huazuara të manipulimit nga fletoret ekzistuese të propagandës perëndimore, të pasuruar me novacione teknologjike nga Kina dhe me teknikat relativizuese psikologjike të gdhendura në Rusi, gjithçka tjetër është e jona. Sidomos mënyra se si traumat nga e kaluara janë shndërruar në armë të manipulimit, thuajse për ato trauma nuk është përgjegjës pikërisht ky pushtet, më saktë shumë njerëz të këtij pushteti – nga kryetari i shtetit e teposhtë, të cilët në kohën e Millosheviqit kanë qenë në pozita të rëndësishme politike.

Kontinuiteti dhe profesionalizmi i propagandës vendore të regjimit janë pasojë e drejtpërdrejtë e faktit se kryetari i tanishëm i shtetit ka qenë ministër për media i Millosheviqit.

Në aspektin afatgjatë për shoqërinë tonë, thekson Xhamiç, është veçanërisht i rrezikshëm ky “trauma-vampirizëm”, përhapja e traumave historike, shndërrimi i Serbisë në stad të traumës, mllefi ndaj “botës”, i ushqyer me një superkoncentrat të gënjeshtrave dhe miteve në mediat e regjimit. Kjo është trauma më e madhe nga të gjithat dhe më e vështira për t’u zgjidhur.

Pasojat afatgjata të këtij vampirizmi prej disa dekadash – si esencë e luftës psikologjike civile serbe – është shpëlarja e trurit: një popullsi që s’di të bisedojë mes vete, dhuna si reagim refleksiv ndaj mospajtimeve, parësia absolute e impulsit emotiv, pa menduar fare, injoranca dhe moskuptimi i botës moderne, shkatërrimi total i etikës në të gjitha sferat jetësore dhe humbja e kompasit civilizues.

Ne, shton Xhamiq, tërë kohën këqyrim poshtë, në tokë, në kërthizën tonë, në një planet në të cilin problemet janë të tilla, saqë janë të mëdha edhe për Kinën e Amerikën e lëre më për Serbinë, por ne absolutisht nuk kemi çfarë të themi ndaj kësaj situate; nuk dimë, nuk na intereson, nuk kemi as strategji, as plane; më e rëndësishme është se kush na “urren”.

M.T/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë