Sabiha Kasimati: Më akuzuan si 
terroriste, unë jam evolucioniste

Sabiha Kasimati: Më akuzuan si <br />terroriste, unë jam evolucioniste
Sabiha Kasimati, një nga gratë e shquara intelektuale, shkencëtarja e parë shqiptare, u pushkatua vetëm pse ishte e tillë. Ajo vjen jo rastësisht nga një familje e njohur intelektuale libohovite. I ati i saj, Abdurrahman Kasimati, i kishte kryer studimet universitare për mjekësi në Turqi, ku punoi si mjek dhe jetoi me gjithë familje deri në vitin 1927. Në këtë vit u kthye në Shqipëri, ku fillimisht u vendos në Korçë, mandej në Elbasan, tek shërbeu si mjek dhe gëzoi respektin dhe mirënjohjen e qytetarëve, por edhe vlerësimin e miqësinë e  personaliteteve të këtij qyteti: Aqif pashë Elbasanit, Lef Nosit, Visarion Xhuvanit, Ethem Haxhiademit, Sotir Paparistos, Aleksandër Xhuvanit e të tjerë.

Sabiha Kasimati lindi në Edërne (Adrianopojë) të Turqisë më 15.09.1912. Atje kaloi fëmijërinë, e ushqyer nga prindërit me dashuri për Shqipërinë, por edhe për kulturën evropiane. Kur u kthye familja në atdhe, ajo u vendos tek i vëllai në qytetin e Korçës, ku filloi studimet në Liceun Francez të këtij qyteti. Ajo qe e para femër që e mbaroi këtë shkollë perëndimore, në vitin 1930. Qysh nxënëse, ajo zotëronte disa gjuhë të Perëndimit dhe të Lindjes, në mënyrë të shkëlqyer frëngjishten, aq sa habiste edhe profesorët francezë të Liceut.

Vajzat korçare, por edhe qytetarët e Korçës e kujtojnë edhe sot Sabihanë si dallëndyshen e parë të Liceut, si çupën e emancipuar, të kulturuar dhe me temperament burrëror, që mbeti si një shëmbëlltyrë  e pashlyer për vajzërinë dhe djelmërinë shqiptare.

Mbas mbarimit të Liceut të Korçës, ajo punoi disa kohë si mësuese në shkollën normale femërore të Korçës, duke dhënë lëndët e Edukatës morale dhe të gjuhës frënge. Më vonë u transferua si pedagoge në shkollën shqiptaro-amerikane në Kavajë, ku jepte biologji.

Në vitin 1936 mundi të plotësonte dëshirën e zjarrtë për studime të larta. Shteti shqiptar i akordoi bursë studimi në Universitetin e Torinos, në Fakultetin e Shkencave Biologjike, të cilin e përfundoi me sukses  me notat 30’/30’, me lavdërim (trenta su trenta con lode). Në verën e vitit 1941 mbrojti edhe doktoraturën. Katedra i ofroi vendin e asistentes në ihtiologjinë fluviale, por ajo nuk pranoi dhe u kthye në atdhe.

Në Shqipëri punoi me entusiazmin e një vajze të re e të kulturuar, por edhe me vullnetin e një shkencëtareje të re që kërkonte t’i shërbente vendit të saj në nevojë. U emërua pedagoge në Institutin Femëror “Nëna Mbretneshë” në Tiranë. Mbas disa vjetësh pune me pasion, u detyrua të shkonte në Itali për kurë shëndetsore në një sanatorium të Torinos. Pas shërimit, aty nga viti 1945, u kthye në atdhe. Tek kthehej nga Italia, në aeroport takoi Ali Koprenckën, që ikte nga Shqipëria. Ai i tha:
- Si vete në Shqipëri? Nuk e di se ç’po bëhet atje, hataja po bëhet! Ne, andaj po ikim. Po vendoset diktatura e kuqe.”

Sabihaja iu përgjigj: “Atje janë gjithë shokët e shoqet dhe bashkërisht do të përpiqemi që ajo gjë të mos ndodhë dhe Shqipëria të përparojë.”
Nisi punën në Institutin e Shkencave, siç quhej atëherë bërthama e parë shkencore, që drejtohej nga prof. Selaudin Toto, i cili më pas u pushkatua nga regjimi.
Sabihaja punoi me zell dhe përkushtim në specialitetin e ihtiologjisë (disiplinë shkencore që studion peshqit). Për rezultatet e saj për studimin e peshqve në ujrat e vendit tonë si edhe për vlerën ushqimore dhe ekonomike  të tyre, ajo punoi 10 vjet me radhë.

[gallery]21351[/gallery]
Dr. Namik Kasimati, nipi i Sabihasë, kujton: “Sabihaja si ihtiologe përfundoi në vitin 1948 një studim shkencor mbi peshqit në ujrat shqiptare. E entusiazmuar, shkoi në Durrës dhe i tha shoqes së saj, Durie Hulusi: “Jam e gëzuar që mbarova një studim mbi peshqit që do t’i shërbejë jo vetëm Shqipërisë, por edhe shteteve  të tjerë që janë në kufi me Shqipërinë”.
 
Dr.Sabiha Kasimati ishte emëruar shefe e sektorit të zoologjisë, por u mor vetëm me ihtologji. Atë fushë e kishte hulumtuar që nga koha e studimeve universitare, ndaj kur u kthye, hulumtoi, gjurmoi e studioi gjithë faunën ihtiologjike detare dhe liqenore të ujrave shqiptare. Gjatë dhjetë vitesh kërkimesh, ajo arriti të evidentonte gjithë faunën ujore shqiptare, bëri klasifikimin në taksonominë ihtiologjike në klasa, gjini, lloje e nënlloje peshqish, përcaktoi zonat e përhapjeve të llojeve më të rëndësishme të peshqve, ciklet biologjike të tyre etj. Mbas një pune voluminoze për plotësimin e mijëra skedave, koleksioneve të monstrave të grumbulluar në dhjetëra ekspedita, duke filluar nga liqeni i Butrintit e deri te liqenjtë e Lurës, nga liqeni i Prespës e deri në detrat Adriatik e Jon si edhe në lumenjtë e rëndësishëm, duke regjistruar e përpunuar edhe mijëra referenca bibliografike e fotografi, Sabihaja asokohe kishte bërë të gatshme monografinë voluminoze “Peshqit e Shqipërisë”.
 
Sabihaja ishte një intelektuale e kompletuar, që kishte studiuar në Perëndim, një filozofe dhe biologe që e njihte mirë thelbin dhe shfaqjen e panatyrshme e çnjerëzore të sistemit totalitar komunist, i cili po vendosej në Shqipëri. Ajo u dëshpërua thellësisht nga goditjet e rënda që po u jepeshin  intelektualëve të vendit, veçanërisht atyre që kishin studiuar në Perëndim, mjaft nga të cilët ishin kolegët e saj. Gjyqet ushtarake dënonin me pushkatime dhe burgime të rënda elitën shqiptare.  Ajo u trondit veçanërisht nga pushkatimi i drejtorit të saj, shkencëtarit Selaudin Toto si edhe i intelektualëve opozitarë Gjergj Kokoshi, Suad Asllani, Sulo Klosi,  Shefqet Beja, prof. Stanislav Zuberit etj, veçanërisht nga dënimi i shkrimtares së parë shqiptare, Musine Kokalari. Kështu Sabihaja filloi të shprehte pakënaqësinë për regjimin dhe për Enver Hoxhën, shokun e saj të klasës në Liceun e Korçës.

Këto pakënaqësi të saj, si edhe prejardhja  nga një familje e madhe, tërësisht intelektuale dhe demokratike, bënë që emri i Sabihasë të futej në listat e zeza të Sigurimit të Shtetit si “kundërshtare e regjimit”.

Dr. Namik Kasimati, rrëfen: “Duke qenë se Sabihaja kishte mbaruar Liceun Francez bashkë me Enver Hoxhën dhe e njihte mirë, i kërkoi një takim.
Sabihaja: Kam ardhur të të them se ti po vret gjithë intelektualët. Dua të të pyes se me cilët ke ndërmend ta ndërtosh Shqipërinë, me teneqexhinjtë apo me këpucarët?
Enveri: Boll lexove iluministët francezë, të këshilloj të lexosh Marksin dhe Leninin.

Pas dy ditësh, Nako Spiru, të cilin Sabihaja e kishte shok, e thirri Sabihanë për një kafe dhe në bisedë e sipër i tha: “Sabiha, duhet ta qepësh gojën, jo me karficë, por me babushkë”.

Këto biseda Sabihaja ia kallëzoi të vëllait, Dr. Hivzi Kasimatit, babait tim, që banonte në Korçë dhe me të cilin Sabihaja takohej shpesh.”( Dr.Namik Kasimati, kujtime)
Sabihaja ishte e çiltër, e shkujdesur dhe nuk mendonte se i ishte qepur pas vdekja. Ajo kishte kurajon t’ia përplaste të vërtetën në sy Enver Hoxhës, por, nga ana tjetër,  të takonte pa droje edhe shoqet, shokët e miqtë që ishin goditur pa të drejtë nga diktatura. Një herë ajo shkoi në kampin e internimit në Jubë, ku punonin si të burgosur shokët e saj Tika Tezha, Felatun Vila etj. Mirëpo Tika i tha: “Sabi, mos shkel më këtu, sepse je në rrezik. Ne e dimë se ç’ka hequr kurrizi ynë që të detyroheshim të depononim kundër teje, në mënyrë që edhe ti  të hyje në burg”.

Ing. Viktor Kasimati, i biri i Refiut, kujton: “Një ditë, aty nga fund i vitit 1948, Sabihaja ndodhej në shtëpinë tonë. Im atë u vonua pak atë ditë se kishin pasur një mbledhje me rëndësi në shkollën Politeknike, ku punonte si pedagog. Ishte koha kur PKSH kishte dënuar Koci Xoxen dhe grupin e tij, duke ia ngarkuar atij të gjitha kimet që kishte bërë pushteti komunist mbi shqiptarët, sidomos mbi elitën intelektuale.

Im atë i tregoi Sabihasë kur po hanim drekën: “Na foli një personalitet komunist, Tuk Jakova, i cili na tha që janë kryer shumë shkelje të ligjeve dhe janë dënuar shumë njerës pa faj. Por në të ardhmen  nuk do të ndodhin më gjëra të tilla”
Sabihaja e dëgjoi me vëmendje dhe ia kthey aty për aty:
“Refi, mos i beso këto! Kjo është taktika e tyre, shtrëngo, liro pak dhe prapë shtrëngo më fort se më parë për të mbajtur pushtetin. Mbaje mend që pas pak kohe, do të rifillojnë përsëri terrorin.”

Në fakt, rifillimi i terrorit masiv në vitin 1951 mori edhe kokën e Sabihasë.
Vendimi për të realizuar këtë masakër, u mor jo në sallën e gjyqit, por në Byronë Politike e PPSH, saktësisht në mbledhjen e datës 20.02.1951, me pretekstin e hedhjes të një sasie të vogël dinamiti në oborrin e Ambasadës Sovjetike, që theu vetëm disa xhama në mbrëmjen e datës 19.02.1951, ora 19.15. Urgjentisht u mblodh kupola e partisë-shtet dhe me propozim të ministrit të Brendshëm, Mehmet Shehut, u vendos të merreshin masa të jashtëzakonshme represive “pa marrë parasysh ligjet në fuqi”.(Të gjithë anëtarët e Byrosë, përfshirë edhe E. Hoxhën : Jemi dakord me këto masa. ( Proces verbali i mbledhjes së Byrosë Politike, 20 shkurt 1951)

Shfaqet lakuriq një pushtet kriminal terrorist, që nuk respektonte as kushtetutën dhe legjislacionin që kishte hartuar e miratuar vetë. Ministri i Brendshëm kërkoi nga Byroja Politike që arrestimet të bëheshin qysh atë natë. “Një masë të tillë e kemi marrë edhe kur u vra Bardhok Biba, dmth kemi pushkatuar edhe jashtë ligjeve në fuqi. Listat i kemi gati. Po të jeni dakord ju, veprojmë që sonte”. Ai kërkoi që të arrestoheshin menjëherë 100 ose 150 vetë, nga të cilët 10 ose 15 më të rëndësishmit, të pushkatoheshin pa gjyq.

Pra, ishte vetë Partia, vetë pushteti politik, me Enver Hoxhén në krye, që shkelnin ligjet dhe urdhëronin një krim shtetëror, një terrorizëm shtetëror, një genocid shtetëror me përmasa të mëdha, për motive politike e pushtetore. Në vendimin e Byrosë politike, përveç pushkatimeve e burgimeve pa gjyq, u vendos që të bëhej një operacion masiv spastrimi, të persekutoheshin e të internoheshin persona e familje “reaksionare” në tërë hapësirën shqiptare.

Shqipëria komuniste ishte në një kapërcyell kohësh, po kalonte nga dominanca jugosllave në atë sovjetike, ndaj duheshin kurbanë të tjerë për të mbajtur pushtetin si edhe kurbanë të rinj në themelet e miqësisë me BS dhe në vijën staliniste të PPSH. “Duhen vrarë njerëz të tjerë për të mbajtur pushtetin” -thoshte Mehmet Shehu.
Arrestimet që u bënë menjëherë sipas vendimit të Byrosë Politike më datën 20-23 shkurt 1951, ishin të paligjshme, sepse u kryen pa ndonjë urdhër-arresti té prokurorit dhe  pa ndonjë vendim gjykate. (Vetëm më vonë u plotësuan urdhër-reshtimet dhe procesverbalet e “gjykimit”)

Arrestimet u bënë mbi listat e vdekjes, të parapërgatitura nga Sigurimi i Shtetit në Ministrinë e Brendshme.( Arkivi i Ministrisë së Brendshme)
Sabihaja u arrestua më 20.02.1951 me pretekstin e “bombës” në Ambasadën Sovjetike.

Ajo bënte pjesë në listën e Sektorit të Dytë të Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit, të përpiluar nga kapiten Rasim Dedja. Përbri emrit të saj ishte vënë një kryq, që do të thoshte se ajo do të pushkatohej. Përpiluesi i listave të zeza, rrëfen: “Vlerësimi për personat që do të pushkatoheshin dhe që janë pushkatuar në fakt, është bërë direkt nga udhëheqja e Ministrisë, që në atë kohë ka qenë Mehmet Shehu me  zëvendësministrin e tij – Kadri Hazbiu, që mbulonte Sigurimin e Shtetit”.

Mehmet Shehu ishte ministër i Brendshëm, direkt i interesuar për ngjarjen. Ai propozoi në mbledhjen e Byrosë Politike që të pushkatoheshin pa gjyq 10-15 persona dhe  byroja ia miratoi njëzëri, bashkë me komandantin (E. Hoxhën), pra, i kishte duart e lira. Pa miratimin e diktatorit nuk bëhej asgjë. Enver Hoxha i miratoi të gjitha veprimet dhe emrat e viktimave, që ishin përzgjedhur, duke iu vënë nga një kryq përpëra. Por Enveri shtoi nga ana e tij emrat e Sabiha Kasimatit,  Reiz Selfos, Manush Peshkëpisë, Qemal Kasoruhos, të cilët ishin nga treva e Gjirokastrës dhe ai i njihte personalisht. Bie fjala, emri i Reiz Selfos nuk ishte në asnjë  nga listat. Dikur Reiz Selfo kishte pasur kurajon t’ia përplaste të vërtetën në fytyrë E. Hoxhës, i cili u hakmor ndaj tij, ashtu siç u hakmor ndaj Sabiha Kasimatit, e cila i kishte thënë ish-shokut të klasës: “Kam ardhur të të them se ti po vret gjithë intelektualët. Dua të të pyes se me cilët ke ndërmend ta ndërtosh Shqipërinë, me teneqexhinjtë apo me këpucarët?”

Kryqet i kishin vënë udhëheqësit e lartë të partisë e shtetit. Për pushkatimin e saj dhe njëzet e dy intelektualëve të tjerë kishte vendosur Byroja Politike e KQ të PPSH, me vendimin e datës 20 shkurt 1951. Nuk ka shembull në gjithë vendet e Lindjes komuniste, që të vendoste për të vrarë njerëz Byroja Politike e Partisë, madje, pa gjyq dhe duke shkelur edhe ligjet e asaj kohe!

Akuza e Prokurorit ushtarak Siri Çarçani, mban datën 25.2.1951 dhe përmban absurditete: “Janë vënë në shërbim të spiunazheve të huaja imperialiste; janë bërë anëtarë të një organizate terroriste. Kanë propoganduar rrëzimin me dhunë të Pushtetit popullor  dhe kanë hedhur parrulla  pro shpërthimit të një lufte të re nga ana e imperialistëve  amerikano – anglezë e satelitëve të tyre”. (Arkivi  MB, dosja e bombes ne Ambasaden Sovjetike)
Është një akuzë kolektive për terrorizëm, e pa mbështetur në asnjë provë.

Të akuzuarit, nuk kishin asnjë lidhje apo bashkëpunim me njëri tjetrin; nuk ishin pjesëtarë të ndonjë organizate politike apo terroriste të cilësuar, asnjërit nuk i përmendet në akuzë pjesëmarrja në hedhjen e  bombës në Ambasadën  Sovjetike – për shkak të së cilës ata u arrestuan! Siç dihet botërisht, ata persona që hodhën dinamitin, si Qazim Laçi, Hysen Lulla  etj, anëtarë të organizatës “Bashkimi Kombëtar”, u arrestuan po ato ditë, u mbajtën fshehtas në hetuesi për tetë muaj dhe u dënuan për hedhjen e dinamitit në Ambasadën Sovjetike me vdekje dhe burgime të rënda. Pra ishin të tjerë ata që e hodhën dinamitin si një akt antisovjetik, antistalinist.
Siri Çarçani dëshmon: “Për dijeninë time, Gjykata e Lartë Ushtarake nuk ka zhvilluar gjyq ndaj këtyre të pandehurve.” Po ashtu, drejtori i Sigurimit té Shtetit, Rasim Dedja, dëshmon: “Për pushkatimin e këtyre personave, nuk është bërë gjyq dhe këtë e them, sepse nga zyrat e Ministrisë së brendshme ata janë çuar direkt në vendin e pushkatimit” (Proces-verbal i mbajtur nga Prokuroria e Përgjithshme, v.1992)

Me qenë se ekzekutimi pa gjyq bëri bujë, brenda dhe jashtë Shqipërisë, atéhere Gjykata e Lartë Ushtarake në bashkëpunim me Sigurimin e Shtetit, pasi ishin pushkatuar 22 të arrestuarit, nisën procedurat e përpilimit të procesverbaleve të rreme, fiktive, sikur gjyqi ishte zhvilluar. Ekzistojnë dy procesverbale gjyqësore të falsifikuara të Gjykatës së Lartë. Njëri mban datën 26.2.1951:

“Gjykata Ushtarake me kryetar nënkolonel Shuaip Panariti, anëtar kapiteni i parë Vangjel Kocani dhe kapiten i parë Nonda Papuli, e sekretar Hidaji Bejo e ka filluar shqyrtimin e çështjes më 26.02.1951 dhe është shprehur për dënimin e të gjithë të akuzuarve me vdekje – me pushkatim, duke u bazuar  në ligjin 372 datë 12.2.1946. Ky  vendim gjykate është i formës së prerë dhe i ekzekutueshëm menjëherë.” Në fund ka firmosur  kryetari i gjykatës së Lartë Ushtarake Shuaip Panariti  dhe anëtari Vangjel Kocani; nuk është firmosur nga anëtari tjetër Nonda Papuli dhe sekretari Hidaji Bejo. ( Procesverbali i datës 26.02.1941)
Anëtari i trupit gjykues të Gjykatës së Lartë Ushtarake dhe nënkryetar i saj, Vangjel Kocani, dëshmon:

“E kujtoj mirë se në vitin 1951 ka ndodhur një ngjarje në Tiranë dhe konkretisht u fol se ishte hedhur një bombë në Ambasadën Sovjetike…Pas ca ditësh të kësaj ngjarjeje, apo me kalimin e një jave, unë jam thirrur nga kryetari i Gjykatës së Lartë Ushtarake, Shuaip Panariti dhe më tha se ti e di që është hedhur një bombë në Ambasadën Sovjetike, sigurimi ka arrestuar  dhe një pjesë  nga të arrestuarit, 22 veta janë pushkatuar pa u bërë gjyq, prandaj duhet që të firmosim një vendim gjyqësor penal formal, pasi gjyq nuk mund të bëjmë, se Sigurimi i ka pushkatuar pa gjyq personat… Shuaipi më tha se vendimi i gjykatës është formal, nuk ka asnjë pasojë dhe duhet ta bëjmë këtë pasi është urdhër i udhëheqjes së shtetit dhe në atë kohë kryeministër ishte Enver Hoxha. Shuaipi më tha: “Ti, Vangjel mos u shqetëso, derisa vendimi është formal dhe ne në fakt nuk gjykojmë njeri”. Më porositi që për këtë vendim penal fiktiv, “duhet të mbyllësh gojën e të mos i thuhet asnjë njeriu se është sekret i madh shtetëror”. Pas kësaj kemi shkuar me Shuaipin në zyrat e Ministrisë së Brendshme. Shuaipi më paraqiti vendimin gjyqësor të daktilografuar dhe unë e kam firmosur. Kur ma dha vendimin për ta firmosur, Shuaipi nuk më ka treguar ndonjë dosje hetimore , nuk kam parë asnjë lloj materiali hetimor”.( Procesverbal i mbajtur në Prokurorinë e Përgjithshsme, v.1992)

Sekretari i Gjykatës së Lartë, Hydai Bejo, dëshmon: “Nuk e firmosa kur ma sollën vendimin, sepse nuk mora vesh, u bë apo nuk u bë gjyq. S’mund të hidhja firmë, pa qenë në gjykim. Po ashtu, refuzoi të firmoste edhe Nonda Papuli, S’kishim si të bënim ndryshe.” (Dëshmi e Hydai Bejos, sipas procesverbalit)

Por nuk mungojnë vetëm firmat e anëtarëve të trupit gjykues, mungojnë edhe të dhënat e tjera që shënohen zakonisht në procesverbalet, gjithashtu datat janë ngatërruar, pra, gjithçka është kundërthënëse, hartuar në nxitim e sipër. Njëri procesverbal i falsifikuar mban datën  27.2.51, kur të akuzuarit  nuk ekzistonin më, ata ishin vrarë në mesnatën e datës 26.2.1951 dhe ishin varrosur. Madje, njëri prej tyre, Jonuz Kaceli ishte vrarë nga torturat në birucat e Sigurimit të Shtetit dhe e kishin hedhur nga dritarja, duke thënë se kishte bërë vetëvrasje!

Të gjitha këto manovrime e shkelje juridike, nuk e mbuluan dhe nuk e fshehën dot masakrën e kryer pa gjyq dhe pa asnjë fajësi të provuar.
Sabihaja nuk e pranoi akuzën për akte terroriste, për pjesëmarrje në organizata terroriste, për vënie në shërbim të agjenturave të huaja, por pranoi me burrëri se, si intelektuale, ishte kundër pushtetit totalitar dhe ideologjisë së tij komuniste:
“Kam qenë kundër pushtetit popullor, sepse nuk pajtohet me ideologjinë time. Unë nuk kam qenë kurrë e mendimit se me akte revolucionare të arrihej në socializëm. Jam lidhur me një grup shokësh, të cilët edhe ata kanë qenë armiq të Partisë Komuniste…”
Sabihaja ishte një demokrate e vërtetë evropiane.

Zonja Didi Biçaku, nga familja e Aqif pashë Elbasanit, e cila u arrestua në një kohë me Sabihanë dhe qëndroi në një birucë me të në burg, ka dëshmuar: “Më kujtohet çasti kur Sabihaja u kthye nga hetuesia. Ishte e qetë. Hë? - e pyeta shkurt. – Më akuzuan si terroriste, m’u përgjigj ajo. U thashë: Unë kam studiuar për biologji dhe jam evolucioniste. Evolucioni është në natyrën e gjërave. Me dhunë nuk shkohet dot as në socializëm, as në demokraci; shkohet drejt shkatërrimit.»

E vranë pa gjyq intelektualen, pedagogen, shkencëtaren, demokraten e shquar, martiren Sabiha Kasimati! Në mesnatën e datës 26 shkurt 1951, të lidhur me tela me gjemba, bashkë me 21 burra nga e gjithë Shqipëria, i pushkatuan dhe i hodhën në një gropë të përbashkët, pranë Urës së Beshirit. Fshatarët kanë dëgjuar britmat e saj, deri sa dha shpirt. Eshtrat e saj sot prehen në varrezat e dëshmorëve të kombit, në një varr të përbashkët me 22 martirët e pushkatuar atë natë të përgjakshme.
Xha Kadriu nga Mëniku, që zbuloi varrin, rëfen: “Më vonë, kur ai vend, ku u pushkatuan, filloi të shpyllëzohej, një traktoristi që po punonte aty, i ra të fikët tek pa që traktori tërhiqte zvarrë një kufomë gruaje, të cilën e mbuluan përsëri. Ishte trupi i patretur ende i Sabiha Kasimatit!”
 
Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Tragjedia në Shkodër, a duhet gratë të denoncojnë çdo formë dhune?



×

Lajmi i fundit

Lufta në Gaza, ushtria izraelite urdhëron banorët e Rafahut lindor që të evakuohen

Lufta në Gaza, ushtria izraelite urdhëron banorët e Rafahut lindor që të evakuohen