Ai thotë se përfshirja në program e të përndjekurve dhe pronarëve nuk e cedon PS djathtas, pasi Rama e ka sjellë në qendër të majtë, pas heqjes dorë nga strategjia “përtej së majtës dhe të djathtës”. Ndërsa Blushin e cilëson një pigment shtesë të së majtës në PS.
Kryetari socialist Edi Rama ka zhvilluar një tur takimesh në SHBA në Departamentin e Shtetit dhe me kongresmenë dhe në Londër me drejtuesit më të lartë të partisë Laburiste, vëllezërit Miliband. Mendoni se Rama e ka sjellë PS dhe opozitën më afër pushtetit?
Takimet liderit të Partisë Socialiste dhe të opozitës shqiptare, Edi Rama në SHBA janë një tregues i dukshëm mbi paraqitjen optimale të tij dhe të programit të opozitës përpara zyrtarëve më të lartë të Uashingtonit. Njëherësh është një prezantim mjaft i mirë i programit të qeverisjes së nesërme të së majtës dhe koalicionit të saj, të udhëhequr nga lideri Rama.
Ju mendoni se në Uashington Edi Rama është dëgjuar me interes si kreu i koalicionit që do jetë shpejt në pushtet e si kryeministër i ardhshëm i vendit?
Programi i socialistëve është shumë konkret dhe dëgjimi i tij me interes në Uashington e në Londër tregon se ai është një program që s'do mbetet në letër por do të vihet shpejt në jetë. Pra është e sigurtë që do merret shpejt pushteti. Nuk pranon asnjë zyrtar i lartë në Uashington të dëgjojë dhe të vlerësojë paraqitjen e programit nga një parti që nuk është afër pushtetit pushtetit. Zyrtarët e lartë në SHBA dëgjuan dhe panë nga lideri i PS, përmes programit që u paraqit para tyre, alternativën e opozitës për qeverisjen e nesërme. Kryetari i PS, Rama u paraqit si kandidat i sotëm për kryeministër e si kryeministër i së nesërmes së afërt.
Ju po thoni se do ketë zhvillime të shpejta...?
Gjatë vizitës në SHBA dhe në Britani, përmes bisedimeve shihet qartë miratimi për idetë e paraqitura nga kreu i PS, Rama për programin qeverisës. Si gjatë takimeve me zv.ndihmës sekretarin amerikan të shtetit, Reeker ashtu dhe kreun e laburistëve britanikë, Miliband, Rama përfitoi qartë mbështetjen nga këto dy qendra të botës së zhvilluar, për pikëpamjet e tij për qeverisjen e nesërme dhe për programin qeverisës. Dhe në këto dy qendra të politikës botërore pritet me interes një njeri që po vjen shpejt në pushtet dhe jo kandidatë që duan shumë kohë për të arritur ardhjen në krye të qeverisjes së vendit.
Partia Socialiste në programin e saj ka futur dhe të përndjekurit politikë e pronarët për zgjidhjen e çështjes së tyre. Eshtë ky një cedim djathtas për një parti të majtë?
Aspak. Ky është qëndrimi i një partie fituese moderne të majtë, është një qëndrim mjaft serioz dhe jashtëzakonisht oportun për Shqipërinë. Ndërkaq këto dy grupe shoqërore, përkatësisht të përndjekurit politikë e pronarët, realisht kanë qënë të shpërfillura, pasi për 20 vjet problemet e tyre kardinale nuk u vunë në lëvizje nga demokratët. Dhe këtë mision e merr përsipër për ta realizuar PS. Pra përfshirja e këtyre dy kategorive sociale në programin e PS s'është një cedim djathtas por një zgjerim spektri në një kuptim, por dhe një zgjidhje praktike e problemeve të mëdha të këtyre grupeve shoqërore që po rropaten për 20 vite me radhë në kërkim të të drejtave të tyre, duke hasur në murin e heshtur të pushtetit.
Nuk del PS nga shtrati i së majtës pas futja së shtresës së të përndjekurve dhe pronarëve në programin e partisë?
Nuk del nga shinat e së majtës partia Socialiste nëse futet në program zgjidhja e çështjes së të përndjekurve politikë dhe të pronarëve. Nuk del nga shinat e së majtës nëse socialistët realizojnë zgjerimin e spektrit politik. Po të flasim realisht, në kuptimin ekonomik këto dy shtresa janë të majta. Pasi të përndjekurit dhe pronarët të cilët ende nuk kanë zgjidhur çështjen e tyre, atë të dëmshpërblimit dhe të kthimit dhe kompensimit të pronave, janë të majtë ekonomikisht, pra e parë në këtë prizëm dhe PS u ofron zgjidhjen e vet. Në pikëpamjen e tyre konceptuale janë të djathtë, pasi të dyja palët kanë nevoja thelbësore për të trajtuar. Deri më tani janë trajtuar si të djathtë, është abuzuar me ta duke y marrë votat por duke mos e zgjidhur për 20 vite me radhë problemin e tyre madhor.
Në një shkrim të disa ditëve më parë, njëri ndër figurat kryesore të PS, Ben Blushi kërkon që PS të kthehet në korsinë e vet të majtë. Mendoni se Blushi ka prekur një çështje nevralgjike?
Që nga momenti kur lideri i PS, Edi Rama u shkëput nga strategjia e tij "përtej të majtës dhe të djathtës", ai është vendosur totalisht dhe përfundimisht në shinat e së majtës. Këtë e tregon më së miri programi i paraqitur në kongres por dhe ai i paraqitur në tryezat e shumta dhe rezultative të organizuara deri më tani. Qëndrimi i Blushit i shton "pigmentin" e majtë PS, por nuk mund të bëhet observacion për një program djathtas, pasi PS është vendosur në pozicionin e qendrës së majtë.
Janë vënë re se ka qëndrime të ndryshme nga ana e aleatëve, ku kërcënojnë me largim nëse PS nuk detyron PD për korrektimin e sistemit. Si e konsideroni qëndrimin e aleatëve të PS?
Mendoj se këto qëndrime të aleatëve ndaj PS si partia më e madhe opozitare dhe ndaj zotit Rama si lider i opozitës janë njëfarë presioni që bëhet gjithnjë në prag të zgjedhjeve. Përsa i përket Reformës Zgjedhore dhe korrektimit të sistemit zgjedhor, Rama e ka artikuluar qartë mbështetjen ndaj aleatëve, teksa e ka ngritur dhe në komisionin ad hock një problem të tillë. Nëse e pengon vetoja e PD, pasi kshtu është përcaktuar në funksionimin e komisionit për reformën zgjedhore, ky është problem tjeter. Por Rama e PS janë shprehur shumë qartë në favor të aleatëve.
Pra kërkojnë ndarje pushteti më shumë...?
Përsa i përket faktin tjetër që ata kërkojnë shumë ndaj PS është krejt normale, ndodh gjithnjë në prag të sfidave elektorale. Partitë vogla aleate kërkojnë gjithnjë përballë partive të mëdha lehtësira, por dhe reagojnë për të gjitha ngjarjet që ndodhin. Këto janë elementë të taktikave politike të tyre, realiste dhe normale në këto momente të zhvillimit politik, kur po shihet se PS po vjen në pushtet. Ata kanë parë dhe faktin që PD i dha shumë pushtet LSI, ndaj kërkojnë dhe nga PS një gjë të tillë, një ndarje të tillë pushteti. Pra janë reagime normale të aleatëve ndaj partisë më të madhe, për të ndarë pushtetin e nesërm.
Le të kthehemi tek debati politik, ku zgjedhja e presidentit ka kohë që që zien dhe përtej emrave të përveçëm tashmë kemi një pozicionim të qartë të ndërkombëtarëve dhe opozitës që kërkojnë një president konsensual, ndërkohë qe Berisha e kërkon nga PD?
Emrat janë të parakohshëm, por dhe koncepti që diskutohet që tani, konsensual ose jo e shoh si zhurmë për t'u përqëdruar në këtë pikë dhe larguar nga problemet e tjera. Dihet që zgjidhja jepet në fund, karakteri konsensual për Presidentin do imponohet. Normale që PS dhe ndërkombëtarët të kërkojnë konsensualin, pasi PD s'ka fituar në zgjedhje, ndërsa kërkon tërësisht pushtetin për vete. Imponimi e çon në zgjidhje Presidentin, s'është lëshim.
Mendoj se po të përqëndrohej debati te zgjedhjet e parakohëshme do ishte me racionale se sa përqëndrimi tek presidenti.
Mendoni se me Berishën kryeministër s'ka zgjedhje të drejta...?
Është e pamundur që me Berishën kryeministër të bëhen zgjedhje të drejta dhe të pakontestueshme. Pasi janë 20 vjet dhe aq shumë probleme janë krijuar sa duhet të jesh krejtësisht budalla që të presësh që me Sali Berishën të bëhen zgjedhje normale.
Po thoni se e vetmja zgjidhje është qeveria teknike...?
Zgjidhja më optimale do ishte qeveria teknike. Greqia dhe Italia, janë modele dhe për zgjidhjen e krizës ekonomike, por dhe për zgjidhjen e krizës politike, duke implementuar në të dyja vendet qeveri teknike. Berisha dhe ekipi i tij nuk e kuptojnë nocionin e zgjedhjeve normale, madje tashmë mund të mos dinë fare se si bëhen zgjedhjet normale.
Po hapja e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit dhe debati për to?
Janë përralla këto.
(sg/shqiptarja.com)