Sali Berisha, 'në të zezë' de fakto prej vitesh! Si u përdor opozita e media pranë saj, si bunker në 8 vjet për të luftuar SHBA

Sali Berisha, 'në të zezë' de fakto prej vitesh! Si u përdor opozita e media pranë saj, si bunker në 8 vjet për të luftuar SHBA

Vendosja e Sali Berishës në “listën e zezë” të SHBA-së, edhe pse de jure u shpall sot, faktikisht ka nisur prej shumë vitesh, madje që kur Sali Berisha ka qenë kryeministër i Shqipërisë.

Madje që nga katastrofa e Gërdecit, kur Berisha shkatërroi drejtësinë për të mbrojtur të birin dhe vetveten.

Më pas rasti i Ilir Metës dhe 21 janari, kur rrëzoi edhe provat e FBI-së dhe u përplas me ambasadorët e SHBA, John Uithers e Aleksandër Arvizu.

Përdori paratë e dyshimta për të lobuar në disa kompani në Uashington për të ndalur sa të jetë e mundur bllokadën që SHBA i vendosi Sali Berishës.

Ndërkaq, ikja e Sali Berishës nga pushteti në 2013, edhe pse ishte një vullnet politik i zgjedhësve shqiptar pati edhe përshëndetjen nga aleatët ndërkombëtarë, që u pa hapur në qëndrimet e dhëna, ku i cilësuan ato zgjedhje si ato të 22 marsit 1992.

Por pas ndëshkimit të Berishës nga SHBA, ai, qarqet e tij mediatike, por edhe enturazhi i Ilir Metës, kanë shpallur luftën ndaj SHBA.

Një luftë, e cila ka lodhur vendin, ka ndotur shoqërinë në mënyrën më të padrejtë, pasi thjesht janë hapur lajme të rreme e sulme të paskrupullta.

Një histori 8- vjeçare që e ka dërrmuar opinionin politik, e ka lodhur vetë opozitën, e në fund nuk ka sjellë asnjë përfitim: Thjesht për të mbrojtur Sali Berishën.

Historia e përplasjes me SHBA

Intervista e ambasadores amerikane në  Tiranë Yuri Kim në Opinion, ka qenë një zhvillim i rëndësishëm fundor për një sjellje që një pjesë e medias shqiptare ka mbajtur në këto 8 vite.

Një histori dramatike e një standardi të dyfishtë që media pranë PD-së dhe LSI-së ka nisur të sulmojë të gjithë ambasadorët, diplomatët, apo politikanët e huaj që kanë përkrahur reformën në drejtësi, kanë përkrahur sistemin e vettingut, spastrimin e drejtësisë, e natyrisht nisjen e asaj që quhet reforma antikorrupsion ndaj zyrtarëve të lartë.

Ky standard i dyfishtë u pa në një farë mënyre në intervistën e Fevziut, që ishte një përsëritje e sjelljes në intervistën paraardhëse.

Po cili është ky standard i dyfishtë? Ky standard fillon pikërisht në atë që vetë ambasadorja e deklaroi dhe ka bërë me turp një pjesë të medias në vend, që fut kokën si struci dhe nuk bën rolin e saj; të japë lajmet dhe të mos shpikë lajme të rreme.

Ambasadorja përmendi një të vërtetë; ku një nga botuesit e njohur në vend, Ylli Ndroqi është proceduar nga SPAK për narkotrafik, në gushtin e vitit të shkuar, e ku janë sekuestruar pasuritë e tij.

E një pjesë e medias thjesht sulmoi SPAK, duke mbajtur një qëndrim në mbrojtje të Ndroqit, siç ka ndodhur edhe sot nga njerëzit e klanit mediatik të familjes Berisha.

Ka një standard në rastin kur një institucion si Prokuroria e Posaçme ndaj Krimit dhe Korrupsionit, apo një tjetër organ i Prokurorisë nis hetimet zyrtatisht ndaj një personi.

Qoftë njeriu më i famshëm në botë: ai quhet i hetuar.

Nëse ky standard ndodhi me Saimir Tahirin, ish-ministrin e Brendshëm, përse nuk ndodh me Ylli Ndroqin, apo edhe Francesco Bechetti-n, të cilët janë pjesë e një procesi zyrtar të drejtësisë shqiptare.

Por, këtu tek ne ka ndodhur e kundërta, sa ka nisur të qarkullonte ideja e reformës në drejtësi, janë sulmuar egërsisht dhe pa asnjë princip profesional përfaqësuesit zyrtar të SHBA-së dhe Bashkimit Europian në Tiranë.

Dihet tashmë, odiseja e lajmeve të rreme, sulmeve, akuzave krejt të pabaza ndaj Donald Lu.

Asnjëra prej të gjitha akuzave të nxjerra edhe në gojën e panelistave VIP nuk është vërtetuar gjithë këto vite.

E akuzuan Donald Lu-në se është njeri i Soros dhe jo i qeverisë amerikane.

Kur u zgjodh Trump president i SHBA, disa nga mediat pranë Berishës e Metës publikuan lajmin e rremë që Lu është shkarkuar.

Përkundrazi, Donald Lu jo vetëm që nuk u shkarkua, por qëndroi edhe një vit më shumë në Shqipëri, ndërkohë që u emërua ambasador në Kirgistan, e pas mbarimit të mandatit atje, është zgjedhur zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit.

E njëjta gjë ndodhi me ambasadoren e BE-së në Tiranë, kroaten Romana Vlahutin. E cila siç dhe Donald Lu, ka qenë një nga promotoret e reformës në drejtësi.

Mediat pranë Berishës dhe Metës e akuzuan për korrupsion duke përdorur një lajm të rremë.

U akuzua se ka blerë një vilë në Tiranë, ndërkohë edhe sot e kësaj dite, ajo ndërtesë është seli rezidenciale e ambasadës së Komisionit Europian në Shqipëri.

Pastaj u përdorën fjalë fyese nga më të ndryshmet. Sot, zonja Vlahutin është një nga zyrtarët e lartë të Shërbimit të Jashtëm të BE-së.

Po ashtu ndodhi edhe me ambasadorin Luigi Soreca, një nga prokurorët e njohur të antimafia-s italiane, por edhe me ambasadoren Yuri Kim.

Që i akuzojnë si përkrahëse të Ramës, thjesht e vetëm se promovojnë reformën në drejtësi, e ku qëndrimet e tyre bien ndesh me vizionin e Ilir Metës dhe Sali Berishës.

Po pyetja në këtë rast është e qartë: këta ambasadorë a sjellin qëndrimet e vendeve që përfaqësojnë, pra që SHBA dhe BE janë pro reformës në drejtësi, e këto qëndrime të tyre nuk i pëlqejnë Sali Berishës dhe Ilir Metës?

Kjo duket shumë e qartë, dhe e ka vulosur përfundimisht ambasadorja Yuri Kim në intervistën e mbrëmshme në opinion.

Atëherë çështja nuk ka dilema: Kemi të bëjmë me qëndrime kundër SHBA dhe BE të Ilir Metës dhe Sali Berishës për reformën në drejtësi, që si rezultante kanë promovimin e SPAK e cila do të duhet të hetojë zyrtarët e lartë të Shqipërisë.

Militantë, njerëz të lidhur me klanet e Metës dhe Berishës, kanë qëndrimin e tyre se Kim dhe Soreca janë me Ramën, janë të “blerë” nga ai, pra nuk i duan.

Por kjo mos dashje e tyre, nuk ka fare lidhje me lajmin, pra që SHBA dhe BE mbështesin reformën në drejtësi.

E pikërisht ky lajm kërkon të elaborohet se çfarë kjo mbështetje synon, çfarë zhvillimesh sjell, e natyrisht gjithçka ka të bëjë me atë që po ndodh në Pallatin e Drejtësisë në vend.

Tani nuk ka më dilema që ambasadorët nuk përfaqësojnë asgjë tjetër veçse qëndrimin zyrtar të SHBA dhe BE-së.

Nëse Ilir Meta dhe Sali Berisha nuk i përkrahin këto qëndrime, ky është thjesht opinion.

Por si president i Republikës i pari, e si deputet i Kuvendit i dyti, i takon t’i mbështesin, ngase është çështje thelbësore e shtetit shqiptar.

Partia Demokratike dhe LSI ka pasur të gjithë mundësinë që të përfshihet edhe më shumë në reformën në drejtësi.

Ajo pasi votoi ndryshimet kushtetuese dhe mori pjesë në zgjedhjen e zyrtarëve të organeve të vettingut, kontestoi të gjitha ligjet kryesore të reformës në drejtësi.

Duke nisur nga ligji i vettingut që i jepte fuqi Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, duke përdorur si argument “Sovranitetin”.

PD dhe LSI kishin të gjitha mundësitë të merrnin pjesë në zgjedhjen e kryeprokurorit të Përkohshëm kur i mbaroi mandate Adriatik Llallës.

Por ato zgjedhin thjesht të kërkonin, madje me forcë të mbanin Llallën, si alternativë të vetme, edhe pse ky i fundit u cilësua person “non grata” nga sekretari i Shtetit të SHBA, e që ishte thjesht një prolog i asaj që i ndodhi Sali Berishës sot, e aleatëve të tij nesër.

E pikërisht për të mbrojtur Sali Berishën, u tentua të futej vendi në përplasje e kolaps 3 herë; 2017, 2019 dhe natyrisht më 25 prill.

Çfarë do të thonë sot ky enturazh që i shërbeu thjesht interesave të disa individëve dhe familjeve…

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë